27 Korrik, 2020 - 4:28 pm
Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit fton qytetarët, studiuesit dhe të interesuarit të shohin dosjen e Vrionëve, përsekutuar nga Sigurimi i Shtetit.
Në kuadër të kurimit të së shkuarës AIDSSH hedh dritë mbi një nga familjet më të mëdha të vendi siç janë Vrionët.
“I lindur më 16 mars 1916, në familjen e mirënjohur beratase të Vrionëve, Jusufi u arsimua në Paris, pas emërimit të të atit diplomat. Në vitet 1920, Iliaz bej Vrioni u dekorua me Urdhrin e Lartë të Legjionit të Nderit nga shteti francez. I shkolluar për drejtësi në Francë e Itali, intelektual i nivelit të lartë, Jusuf Vrioni u rikthye në Shqipëri në 1943.Më 13 shtator 1947 u arrestua nga regjimi komunist, me akuzën “për faje penale kundra Popullit dhe Shtetit, si anëtar i organizatës trathëtare Social- Demokrate dhe si agjent i spiunazhit Francez në Tiranë””, shprehet AIDSSH.
AIDSSH shton se “pas hetuesisë tejet të vështirë më shumë se njëvjeçare, Jusuf Vrioni u dënua nga Gjykata Ushtarake e Tiranës, më 8 korrik 1950, me 15 vjet privim lirie dhe punë të detyrueshme për aktivitet spiunazhi në shërbim të Francës dhe lidhje të ndryshme me të huajt, aktakuzë e ngritur dhe firmosur nga Ministri i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu,. Po në aktakuzë shkruhej se: “Përpara hetuesis, ka mbajtë nji qëndrim nga më armiqësorët, duke qëndruar shumë i vendosur në rrugën e trathtisë dhe duke mos pranuar asnjë nga akuzat që i atribuoheshin, por ma e keqja asht se n’asnji mënyrë nuk përgjegjesh rreth pyetjeve që i bëheshin, duke pretenduar se këta janë pyetje pa vend dhe të shkëputura, me nji fjalë kërkonte që hetuesija të ndjeki një formë proceduriale t’atillë që dëshironte ky, dhe këtë e bante gjithmonënjë kohë kohe kur vehesh në pozita të vështira dhe kur nuk kish ndonjë bazë mbrojtjeje”. Dënimin e kreu në burgun e Burrelit”.
“Pas lirimit nga burgu dhe internimit në Fier, në 1960 u emërua përkthyes në Tiranë, në shtëpinë botuese “8 Nëntori”, ku përktheu në gjuhën frënge veprat e Ismail Kadaresë, Enver Hoxhës, libra të regjimit e propagandës…Jusuf Vrioni u ndoq për 27 vjet me radhë nga Sigurimi i Shtetit, në përpunim 2/A dhe 2/B, që nga 29.2.1964 deri më 28.04.1991, kohë kur dosja u arkivua. Në dokumentet e dosjes së përpunimit nr. 1452, citohet: “Është shtresë e pasur feudale, babai i tij ka qenë kryeministër si dhe ministër fuqiplotë (ambasador) në Francë në kohën e Zogut. Vetë ka qenë me Legalitetin dhe mbas çlirimit është dënuar me burg, si spiun i francezëve. Është anëtar i “Partisë Popullore”. Ka tendenca zogiste. Miqësi me ministrin (ambasadorin) anglez. Vrioni ka shprehur rezerva për Gjyqin Special ndaj “kriminelëve të luftës” dhe e ka cilësuar si inkompetent, “ku ligji është zbatuar arbitrarisht”, AIDSSH.
Gjithashtu, AIDSSH shton se “Ka pasur kritika për mungesë lirie të shtypit; administratë të pashkolluar, dhe ka kërkuar nga misionet e huaja që të mos e njohin qeverinë e dalë nga zgjedhjet. Po sipas raportimeve, Vrioni dyshonte në drejtësinë e gjyqeve komuniste. Sipas tij, njerëzit janë marrë në qafë për një fjalë goje, se kanë shprehur mendimin e tyre të lirë se nga torturat, të gjithë e kanë dhënë nga një fjalë. Demokracia e vërtetë nuk vendoset me burgje dhe vrasje”. Veç Vrionit, mbi 17 veta të rrethit të tij mbaheshin në vëzhgim. Dosja e përpunimit e Isuf (Jusuf) Iliaz Vrionit është deklasifikuar nga AIDSSH më 21.1.2019. Të interesuarit mund të njihen me përmbajtjen e saj, në përputhje me ligjin 45/2015”, shprehet AIDSSH/ATSH /KultPlus.com