12 Mars, 2018 - 7:30 pm
Faik Konica qe një nga figurat më të shquara të çështjes kombëtare, studiues i historisë kombëtare dhe i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar, shkruan KultPlus.
Më 1897 shkoi në Bruksel ku themeloi revistën e përkohshme të quajtur “Albania”, e shkruar pjesërisht në shqipe dhe pjesërisht në frëngjisht. Më 1903 u largua nga Brukseli dhe u shpërngul në Londër, ku mori leje të punonte në Departamentin e Dorëshkrimeve të Muzeumit Britanik.
Më 14 mars 1912 u regjistrua pranë Zyrës së Emërimeve të Universitetit të Harvardit, pra gjatë semestrit të dytë të vitit shkollor. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.
Sot KultPlus kujton një nga thëniet e tij, ku tregon pikëpamjen e shqiptarëve ndaj grave.
“Ka një rregull shqiptar të njohur botërisht e të provuar në jetë: gruaja është e paprekshme. Edhe në gjakmarrjen dhe në luftërat më të egra gratë nuk janë qëlluar”, kishte thënë Konica.
Faik Konica vdiq më 15 dhjetor 1942 në Uashington, nga një hemorragji cerebrale. Trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit nën tingujt e kompozitorit të famshëm Vagnerit, që aq shumë e kish adhuruar./ KultPlus.com