10 Nëntor, 2020 - 9:51 am
Ka vdekur poeti i njohur Adem Zaplluzha, shkruan KultPlus.
Ai u lind në Prizren në vitin 1943. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje, ndërsa Akademinë Pedagogjike në Prishtinë. Një kohë punoi si mësues në Studençan dhe Hoçë e Qytetit e më pas vijoi të punojë në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Nga viti 1957, kur edhe e botoi vjershën e tij të parë, e deri në këtë vit, botoi mbi 200 vepra letrare, kryesisht me poezi.
Adem Zaplluzha ishte njëri nga themeluesit e grupit letrar “Fan Noli” në Prizren, po ashtu ishte edhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Gjatë rrugëtimit të tij letrar ishte bashkëpunëtor i vyer i shumë revistave letrare në gjuhën shqipe, ndër to edhe i revistës për fëmijë “Fidani” në Prizren.
Është prezantuar në disa leksikone të shkrimtarëve shqiptarë.
Në maj të vitit 2013 Klubi i Artistëve dhe i shkrimtarëve të Durrësit ia ndau çmimin e karrierës për kontributin e dhënë në letrat shqipe.
Kontributi i tij për letërsinë shqipe do të rroj përherë./KultPlus.com