31 Korrik, 2019 - 6:06 pm
Lidhja e së sotmes me të shkuarën, traumat e historisë, që është dhe thelbi i këtij libri, do të jetë një temë e përhershme diskutimi për njerëzimin. E në këtë diskutim që gjithnjë do të vishet nga ngjyra të kohës, ky roman që na vjen nga vitet ‘60, do të hapë gjithnjë shteg, për ta kuptuar më së miri të shkuarën.
Nga Alda BARDHYLI
“Mbi tokën e huaj binte shi e dëborë përzier bashkë. Sqota kish qullur betonin e pistës së aeroportit, ndërtesat, rojet. Ajo lagte fushën dhe brigjet dhe shkëlqente mbi asfaltin e zi të xhadesë. Sikur të mos ishte fillimi i vjeshtës, çdo njeriu tjetër, përveç gjeneralit të porsaardhur, do t’i dukej ky shi monoton, një koincidencë e trishtuar…”. Ismail Kadare e nis kështu udhëtimin e gjeneralit italian në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore, për të tërhequr eshtrat e ushtarëve të vrarë në këtë vend, në luftën e fundit botërore. Gjenerali e dinte që në Shqipëri vjeshta është e lagësht e me shi. Para se të nisej kishte mësuar mes të tjerave dhe diçka për klimën e Shqipërisë.
Udhëtimin e tij në Shqipërinë komuniste nën shoqërinë e një prifti, e lexova sërish pak kohë më parë, në një botim të hershëm të këtij libri, nga Naim Frashëri, gjetur në librat që shiten rrugës, marrë nga kushedi se cila bibliotekë, por duke ruajtur atë ndjesinë e botimeve të mira që dinë t’i rezistojnë kohës. I ndarë në njëzet e katër kapituj, e në 241 faqe, ky roman, ku natyra shkrihet brenda trupit të një gjenerali, është pa dyshim një nga romanet më të rëndësishme të shekullit XX. Një letërsi pa shkëlqime të mëdha deri në vitet ‘60, letërsia shqipe do të kalonte me këtë libër kufijtë e saj, duke u vendosur përgjithmonë bri vendeve me letërsi të madhe.
Vetë subjekti e justifikon zymtësinë e këtij libri, i cili nis me shiun e dëborën përzier në pistën e aeroportit, e përfundon me gjeneralin që, veshur me uniformën e madhe, vështronte si binin flokët e dëborës mbi çimenton e lagët, si squlleshin përnjëherë nga lagështia, pastaj dekompozoheshin dhe zhdukeshin, ndërsa pranë tyre vazhdonin të binin flokë të reja, të freskëta nga qielli i pafund… Por kjo zymtësi, parë në kontekstin e kohës kur është shkruar, mund të lexohet dhe si një rrëfim i shkrimtarit për Shqipërinë komuniste, ku natyra nuk kishte si të ishte ndryshe, përveçse e lagësht dhe e përhimtë…
Që në faqet e para të librit lexuesi ndihet në anën e gjeneralit dhe pse nuk duhet të harrojmë relievin historik kur ky libër është shkruar. Nuk kishin kaluar as dy dekada nga pushtimi italian, megjithatë Kadare e trajton figurën e tij me një lloj dashamirësie. Ai e shikon misionin e tij në sfondin e historisë së luftërave fisnike që shkojnë pas te grekët e trojanët dhe te solemniteti homerik i riteve të varrimit. Shpesh në kërkimin e tij për të kuptuar botën e kulturën shqiptare ai bëhet komik, por kjo thjesht e bën më të plotë tablonë historike, mbi të cilën është ndërtuar rrugëtimi i tij. Shpesh ai ka vegime erotike për vejushën e Kolonelit Z, por kjo e bën atë interesant, me të gjitha dobësitë njerëzore të një burri në kërkim të një ushtrie të vdekur, por i varur nga dashuria. Ndoshta kjo nuk është një dashuri e plotë, por shumë pak ka rëndësi, pasi dashuria është thjesht dashuri. Ajo simbolizon jetën, në një vend ku ka ardhur për të kërkuar vdekjen.
Dhe pse një roman i vendosur në konture të qarta të historisë, Kadare e përsos rrëfimin në këtë libër përmes humanizmit. Të qenët një autor shqiptar mund ta bënte të binte lehtë në kurthin e natyrshëm të gjykimit të luftës, pushtuesve, por ai mahnit teksa na tregon fletoren me ditarin e ushtarit italian. “Asnjë s’më ka pyetur si e kam emrin e vërtetë. ‘Ushtar’, më thërret dhe gruaja e mullistit, edhe vajza e tyre e vetme Kristina. Kjo ndodhi atë ditë kur batalioni ynë u shpartallua prej partizanëve…”, shkruan ai në ditar. Ky vështrim i ndier ndaj luftës, e veçon këtë libër në morinë e librave të shkruar për Luftën e Dytë Botërore. Nga ana tjetër, nëse në vitet ’60, kur u shkrua kjo vepër, Italia, por edhe shumë vende të përfshira në Luftën e Dytë Botërore, e kishin nisur procesin e rishikimit të kujtesës për t’u fokusuar drejt një të ardhmeje europiane dhe perëndimore, Shqipëria ishte krejt në anën e kundërt të saj, duke u kyçur në komunizëm. Ky roman shënon dhe një prirje të hershme të letërsisë shqipe drejt europianizmit, përmes mënyrës sesi është shkruar. Thelbi i këtij romani është kujtesa, përmes rindërtimit të së kaluarës së Shqipërisë e jo Italisë.
“Njëzet vjet mikrobi qëndron i fshehur nën tokë dhe papritur shpërthen. E çuditshme”, tha gjenerali.
“Ashtu është”, tha prifti. “Porsa bie në kontakt me ajrin dhe diellin, zhvillohet”.
“Si bisha që zgjohet nga gjumi i dimrit”.
Në vendet europiane të pasluftës, letërsia luajti një rol të rëndësishëm në procesin e përballjes me të kaluarën. Në Republikën Federale Gjermane veçanërisht, ku barra e nazizmit ishte e rëndë për brezin e ri nga viti 1960 e në vazhdim, ishte temë mbizotëruese në literaturën e pasluftës. Në Itali apo Francë nuk ndodhi një gjë e tillë dhe ndonëse Italia kontribuoi në ndërtimin e demokracisë në Europën Perëndimore, shumë pak e hodhi vështrimin pas te shkatërrimet që bëri regjimi i Musolinit në kolonitë e para dhe zonat e pushtuara. Aftësia e letërsisë është të ngrejë diskutime në çdo kohë që lexohet dhe teksa i rikthehesh këtij libri në një lexim pas vitesh, ndien të tjera pyetje të lidhura fort me kohën ku jetojmë. E pse një libër që shënjoi shekullin e shkuar, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” do të mbetet një roman që do të shënjojë çdo kohë. Lidhja e së sotmes me të shkuarën, traumat e historisë, që është dhe thelbi i këtij libri, do të jetë një temë e përhershme diskutimi për njerëzimin. E në këtë diskutim që gjithnjë do të vishet nga ngjyra të kohës, ky roman që na vjen nga vitet ‘60, do të hapë gjithnjë shteg, për ta kuptuar më së miri të shkuarën. (gazeta shqip)