27 Dhjetor, 2017 - 10:08 am
Ka disa ditë që shtëpia botuese “Onufri” ka lajmëruar për botimin e ri të shkrimtarit Ismail Kadare. Nuk është botim i ri në kuptimin letrar, por për një libër ku do të përmblidhet krijimtaria e tij, në tregime e novela të shkruara që nga viti 1953 deri në vitin 2008, në një vëllim.
Ka disa ditë që shtëpia botuese “Onufri” ka lajmëruar për botimin e ri të shkrimtarit Ismail Kadare. Nuk është botim i ri në kuptimin letrar, por për një libër ku do të përmblidhet krijimtaria e tij, në tregime e novela të shkruara që nga viti 1953 deri në vitin 2008, në një vëllim. Një foto e Kadaresë në Tiranë, e publikuar me drejtoreshën e Bibliotekës Kombëtar, Persida Asllani si duket është bërë shkas në dhënien e këtij njoftimi nga botuesit ekskluziv të shkrimtarit. “…në Bar Juvenilja, me drejtoren e Bibliotekës Kombëtare, prof. dr. Persida Asllani, duke biseduar për botimin e ri të Kadaresë, Proza e shkurtër, në një vëllim”.
Sipas njoftimit parashikohet se do të jetë një libër voluminoz, ku sqarohet se tregimet dhe novelat në një vëllim, janë zgjedhje e autorit. Kur para pak kohësh, Kadare është pyetur mbi shkrimet e tij të fundit, nëse në letërsinë e tij ka ende për të shkruar, ai është përgjigjur se po merrej me një ese të gjatë, por nuk kishte ndër mend të shkruante ndonjë roman të ri. Ai ka kujtuar për shembull, fundin e jetës së Jakov Xoxes ku ishte shprehur se kishte ende për të shkruar, dhe shumë libra për të vazhduar, ndërsa jeta po e linte. Për Kadarenë ky moment është pothuaj e mbyllur pa asnjë peng, për të lënë dorëshkrime romanesh, apo dhe për t’i sjellë letërsisë në të gjallë krijimtari të re. Kur botoi librin “Mëngjeset në Kafe Rostand”, Kadare ishte shprehur se “ideja për të shkruar diçka për Kafe Rostand më kishte ardhur aq natyrshëm, saqë s’e mbaja mend as kohën, as rrethanat. Ishte një ndjesi midis pendimit dhe mirënjohjes, e ngjashme me atë ndaj shoqes së jetës, që, duke qenë pranë teje në gjithçka, nuk e ka pasur, ose ty të duket se nuk e ka pasur, vëmendjen e duhur. Në këtë kafe kisha shkruar qindra faqe dhe po aq shënime për motive e sinopse, pa u kujtuar asnjëherë për atë vetë, kafenenë”.
Në vitet e fundit, edhe daljet publike të Kadaresë kanë qenë të rralla. Edhe në panairin e fundit të librit, ai nuk ka qenë prezent në stendën e shtëpisë botuese Onufri, për të ndarë me lexuesit autografe, ashtu siç ka bërë çdo vit. Në të kundërt, është shfaqur bashkëshortja e tij, shkrimtarja e përkthyesja Helena Kadare, e cila pak ditë më parë në një takim me shkrimtarë, miq, e gazetarë ka folur për jetën në Paris, për miqtë, por dhe letërsinë e shkrimtarit duke pohuar se “adhuronte letërsinë e Kadaresë”, se “Kadare vlente më shumë, ishte më e rëndësishme puna e tij. E adhuroja atë që bënte. Nuk e ekzagjeroj dhe nuk kam qenë e detyruar. Por, kuptova që vlente letërsia e tij. Imja do ishte letërsi mesatare, para letërsisë së tij. Ismaili s’ka bërë punë tjetër, veç letërsisë”./ KultPlus.com