3 Qershor, 2021 - 10:04 am
Shkrimtari Ismail Kadare, ka takuar Vera Camajn, mbesën e një tjetri njeri të rëndësishëm të letrave shqipe, Martin Camajt, përcjell KultPlus.
Kadare risolli kujtimin e takimit të tij të parë me Camajn në tetor të vitit 1981 në Frankfurt, ku kishin pasur një shkëmbim të shkurtër por të këndshëm.
“Kam pasur fatin ta takoj për herë të parë Martin Camajn, në tetor të vitit 1981, në Frankfurt. Pas mbarimit të një konference shtypi, m”u afrua një burrë i pashëm, i cili, pasi më foli shqip, tha emrin e vet: Martin Camaj. E njihja, pa dyshim, nëpërmjet revistës “Shejzat” të Koliqit dhe atij iu bë qejfi që ia thashë këtë. Biseduam një copë herë në këmbë, midis zhurmimít të zakonshëm te një mjedisi të tillë”, thoshte Kadare.
“Martin Camaj është një nga shkrimtarët më të mirë të kombit shqiptar, me po atë vlerë në prozë sikurse në poezi, dy hapësira të mëdha, me të cilat ai u përpoq të zëvendësonte atdheun e munguar. Ishte po aq i fisëm në veprën e tij, sa edhe në vizionin për raportet njerëzore brenda familjes së shkrimtarëve. Këto të fundit, për fat të keq, vazhdojnë të jenë kaq munguese në jetën tonë.”
Lajmin për këtë takim të veçantë e bëri të ditur botuesi i Kadaresë, Bujar Hudhri nga Onufri. / KultPlus.com