14 Dhjetor, 2021 - 9:58 am
KultPlus ju sjell një pjesë të bisedës së Ismail Kadaresë me Alda Bardhylin, që është botuar nëpërmjet librit “Koha për rrëfim”.
Kur e keni shkruar poezinë e fundit?
-Nuk e mbaj mend.
Si i zgjidhni titujt e librave tuaj?
-Nuk kam pasur ndonjë vuajtje për titujt asnjëherë, as ndonjë ngulmim, që ata të jenë të bujshëm.
Hemingueji e shkroi 47 herë fundin e romanit Lamtumirë armë, për të mbërritur te fjalia: “Pas pak, e braktisa spitalin dhe nën shi u ktheva në hotel.” Për shumë autorë, fundi i një libri është mundim. Si ka qenë ky proces në krijimtarinë tuaj?
-Fundi i një libri nuk më lodh, më jep gjithnjë një kënaqësi. Fundet janë diçka e afërt me mua, ndihem i afërt me to dhe përkundrazi, kam një lehtësi. I vetmi mundim, nëse mund të quhet i tillë, është një zgjedhje që për mua është e këndshme gjithmonë.
Zakonisht i pëlqej fundet, është një element që, siç duket, te shkrimtari e shkakton lëvrimi i poezisë. Një shkrimtar i lidhur
me poezinë i ka më të lehta fundet. Më është krijuar kjo ngulitje në mendjen time.
Në vitet ’20 dhe ’30 të shekullit të kaluar filozofë, si Uolter Benjamin, folën për vdekjen e romanit. Vetë postmodernizmi do të ndikonte në një ikje prej realizmit. Si e shihni ju romanin sot?
-Romani në letërsi është një gjini e rëndësishme. Mendoj se të gjithë shkrimtarët kanë një tërheqje gati magjike nga kjo fjalë, ky koncept, ky përfytyrim. Fjala roman ka dalë nga letërsia për t’u përdorur në pjesët më delikate të jetës njerëzore.
Kjo tregon atë hijen e tij, që unë e quajta të mbarë në jetën njerëzore. Për mua fraza e njohur në të gjitha gjuhët, roman, është një nder që letërsia i ka bërë vetes, duke arritur që t’i japë tingëllim kësaj fjale. Nuk mendoj se do të ketë ndonjëherë vdekje të romanit.
Cesare Pavese ka thënë se ajo që kujtojmë nuk janë ditët, por çastet. Cila është vlera e çasteve në histori?
-Në histori, në jetë, në kalendarin e jetës njerëzore, çastet shfaqen në mënyrë shumë kapriçioze. Ato janë shpesh më të thella sesa duken, ose e thellë është vonesa e tyre, siç mund të jetë vërtetuese për diçka, ose e rreme. Do të doja që të mos flisja për këtë gjë të pashtershme.
Çfarë vlere kanë pasur çastet në jetën tuaj?
-Sigurisht që kanë pasur vlerë. Ndonjëherë e kam kuptuar këtë vlerë dhe ndonjëherë jo.
A keni ju një kufi midis trillimit dhe realitetit gjatë procesit të shkrimit?
-Unë përpiqem ta mendoj këtë gjë pa kufi, të pakufizuar.
Përse shkrimtarët e kanë të vështirë të shkruajnë për seksin?
-Është një pyetje, në pamje të parë e thjeshtë, por që në një bisedë me një shkrimtar ka brenda saj pamundësinë për t’u përgjigjur. Vetë etja për të lexuar për seksin ka në vetvete diçka anormale. Rrjedhimisht, edhe dialogët për të bëhen të tillë.
Sa i rëndësishëm ka qenë seksi në veprat tuaja?
-Nuk kam asnjë ide në ka qenë apo jo i rëndësishëm.
Çfarë ju tremb tani?
-Asgjë! Më tremb vetë ecja e jetës, ashtu siç më gëzon e më hidhëron.
Për çfarë ju merr malli?
-Më merr malli shpesh, por e kam të vështirë ta gjej. Njëherë më merr për diçka e herë për një gjë tjetër, ngjarjet ndërrojnë rolet./ KultPlus.com