19 Shkurt, 2020 - 11:30 pm
“Kronikë në gur”, “Breznia e Hankonatëve”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Çështjet e marrëzisë”, “Ditë kafenesh”, “Princesha Argjiro”, “Aeroporti” – janë vetëm disa nga veprat e Kadaresë në të cilat pasqyrohet në mënyrë mahnitëse Gjirokastra e Kadaresë, shkruan KultPlus.
Këto vepra e kanë bërë të njohur shkrimtarin, madje disa e njohin Gjirokastrën si vendi antik i Kadaresë. Kadareja e mbart vendlindjen e tij kudo me vete.
Tek sa ecën në rrugicat intime me kalldrëm nuk mund të mos vësh re Kalanë e Gjirokastrës, që imponuese vështron mbi qytetin e gurtë.
KultPlus ka shkëputur disa nga fragmentet nga disa prej veprave të tij, se si ai e përshkruan në mënyrë mahnitëse qytetin ku ai kishte lindur:
“Ky ishte një qytet i pjerrët, ndoshta më i pjerrëti në botë, që i kishte thyer të gjitha ligjet e arkitekturës dhe të urbanistikës. Nga shkaku i pjerrësisë së madhe ndodhte që në nivelin e çatisë së njërës shtëpi gjendeshin themelet e tjetrës, dhe me siguri ky ishte i vetmi vend në botë ku njeriu, po të rrëzohej në anë të rrugës, në vend që të binte në hendek, mund të binte mbi çatinë e ndonjë shtëpie të lartë. Shumë gjëra këtu ishin të pabesueshme dhe shumëçka ishte si në ëndrra.” (Kronikë në gur)
Ndërsa, ngjarja e poemës së Ismail Kadaresë “Princesha Argjiro”- zhvillohet në kështjellën e qytetit të Gjirokastrës.
Këtu janë disa vargje të poemës se si e ka përshkruar Kadareja, qytetin e tij:
Ti akoma nuk e di
se ka një qytet në Jug,
me oxhakë e me çati,
me shtëpi, përrenj e rrugë.
Ngjan ai me një shqiponjë,
që u gatit të fluturojë
por në çastin më të fundit
ndërroi mendje e krahët shkundi
dhe i hapi përmbi brigje
ura, rrugë, qoshe e shtigje.
Përmbi supe ç’mbajnë vallë?
Këto gërxhe radhë-radhë?
Një kala e lartë
si një vapor lufte,
noton ditë e natë,
mes shekujve tutje.
Si anije e zezë,
që pushon në rërë,
ngjan tani fortesa
e heshtur, e vrerët.
Dhe vërtet ka kohë shumë
që ka rënë ajo në gjumë
Gryka topash janë ndryshkur
e bedenat janë prishur
dhe në kulla e sharapolle
s’ka më roje, karakollë. /KultPlus.com