Kapërcyell mes fiksionit, historisë, realitetit e personales…

30 Maj, 2024 - 9:45 pm

Donjeta Kryeziu

Bajram Kosumi:“Enciklopedia imagjinare”- Postroman, Toena, Artini, Prishtinë, 2023

“Enciklopedia… shfaqet si zhanër i veçantë letrar, i mbiquajtur postroman. Struktura e tekstit, në ligjërim dhe në tematikë, shfaqet e afërt me romanin, por përsëri e ndryshme, shfaqet si zhanër, i cili mund ta trashëgojë apo edhe ta zëvendësojë romanin. Është ngjizje midis formës enciklopedike dhe imagjinatës letrare.” (Kosumi, 2023)

Rrëfimi i “Enciklopedisë imagjinare” fillon me prologun që shërben si një lloj harte orientuese për rrugëtimin në ishullin autorial, historik e fiksional, rrugëtim që ngjan me një labirint që ka shumë hyrje e shumë porta e po ashtu shumë mundësi leximi e interpretimi. Autori qysh në fillim na sugjeron disa modele leximi, pra është në kërkim të lexuesve të ndryshëm, që do të zbulojnë rrugë të reja për të hyrë në enciklopedinë e tij. Ai paraqet në prolog pesë lloje lexuesish të mundshëm për enciklopedinë, lexuesin një (lexuesi tradicional), lexuesi dy (ai që krijon dritare leximi), lexuesi tre (lexuesi enciklopedik), lexuesin poetik dhe lexuesin ideal. Një nga leximet e rekomanduara duke filluar nga shkronja D drejt A, majtas, sjell një mënyrë eksperimentale, por njëkohësisht mënyrë shumë e kënaqshme e leximit të enciklopedisë.

Mënyra e të rrëfyerit nga fakti deri te fiksioni, nga përjetimet, dëshmitë e tmerret e jetuara e deri te historitë që përsëriten ndër vite e shekuj të ndryshëm, autori depërton në psikologjinë, formimin, jetesën e mbijetesën e “ishullarëve”, siç i quan ai, sepse vepra e tij e tejkohshme historikisht e fiksionalisht paraqet historinë e ishullit e toponimit të Gumurit në shumë dimensione.

Rrëfimet strukturohen si kujtesë historike në shumë raste duke u ndërlidhur me njëri-tjetrin përmes rendit alfabetik, duke filluar me Gumurin (që paraqet një varrezë kolektive ilire në formë të rrethit). (Kosumi, 2023, f. 293)

Në “Enciklopedinë imagjinare” në shumë rrëfime e hasim Gumurin si vendbanim, toponim që autorit i shërben si strumbullar për të lidhur ngjarjet e të bëmat e ishullarëve.

Pushtimet, pushtuesit dhe pasojat e tyre te shqiptarët

“Enciklopedia imagjinare” mund të lexohet edhe si dëshmi e fuqishme historike për pushtimet: romake, osmane, serbe, bullgare e shumë të tjerë që synuan të kenë të drejta mbi tokat e Arbit.

Në rrëfimin “A është toka gjithçka?”, familjes Ukëhaxhaj pushtuesi serb në të gjitha kohët e kolonizimet ia mohoi të drejtën e pronësisë mbi truallin familjar, i largoi me dhunë nga shtëpitë e e vendi i tyre. Rikthimet, riblerjet e luftërat për tokën familjes Ukëhaxhaj iu shndërrua në një odisejadë të pafundme.

Përveç tokës, pushtuesit shpesh synuan edhe kulturën e trashëgiminë shqiptare. Rrëfimi “Kodiku i Purpurt i Beratit dhe historia e ruajtjes së tij” është një dëshmi rezistence, vendosmërie e vetëdijeje që shqiptarët patën për kulturën dhe identitetin që u takon atyre.

“… Edhe Kodikun e Purpurt të Beratit e lakmuan deri në zhbërje shumë ushtri, shumë perandori, u dhanë shumë para e ari për të rrëmbyer, u vranë e u ekzekutuan mbrojtës të tij, u dogjën kisha u zhgroposën varreza për ta gjetur…

Kjo zgjati me vite e shekuj…” (Kosumi, 2023, fv. 337-338)

Pushtuesit patën në dorë gjithçka madje dhe shndërrimin identitar të shqiptarëve, përmes dhunës ortodoksët i bënë serb, myslimanët i bënë turq, ky ishte depëtimi deri në palcë, të humbasësh identitetin përmes gjësë më të shenjtë, përmes fesë. Kështu ndodhi me Salih Uglën, që dikur këndoi në gjuhën e të parëve, pra shqip, e më pas si  rapsod  këndonte në gjuhën serbe e boshnjake, sepse kishte harruar gjuhën së cilës i përkiste.

Lufta e pushtuesve të ndryshëm karshi shqiptarëve ishte shumëdimensionale si për nga zaptimi i territoreve e deri te mohimi i gjithçkaje që do të përbënte kulturën dhe dijen shqiptare.

“Karta e kontrabandistëve të librave të ndaluar” paraqet historinë e Haxhi Ali Musë Ahmetit, shqiptari i parë i ekzekutuar për libra të ndaluar.

Po ashtu, pasardhësi i tij Artin J Ahmeti, ishte i përndjekuri kryesor i shtetit të Jugosllavisë, me akuzën e vetme që sa ishte kulturore aq edhe politike “Kontrabandë e librave shqip nga Shqipëria”. Pushtuesit i pengonte gjithçka që përfaqësonte identitetin shqiptar, sepse të përhapësh dijen në gjuhën amtare për ta ishte një rrezik i përhershëm.

Burgu, Qëndresa e Liria

Mendimi ndryshe apo edhe ëndërrimi ndryshe nga pushtuesi nënkupton se do ta kalosh jetën, do vdesësh e madje edhe në jetën e përtejme do të të ndjekë burgu, ky ishte realiteti që përcolli shumë shqiptarë dhe familjet e tyre për shumë vite të errëta gjatë sundimit serb në Kosovë.

Heronjtë si: Adem Dema, Alban Mala e shumë të tjerë janë personazhet me anë të të cilëve paraqitet qëndresa, revolucioni, por edhe ana e errët e burgjeve, torturave e vrasjeve nga dora e armikut.

Burgu paraqitet në shumë pikëpamje si: Burgu artistik (burgu i veçantë i destinuar vetëm për artistët), Burgu i hapur: burgu që nuk kishte grila, nuk ishte fizik, por më shumë psikologjik dhe Burgu jetik- njerëzit që jetonin e zhvilloheshin brenda mureve të këtij burgu u mësuan aq shumë me të sa kur u lanë të lirë nuk ditën të mbijetonin si të tillë.

Burgu, aty ku ëndërron për lirinë, për idealet e ndonjëherë edhe për familjen, por asnjëherë atë që pason, çka pas lirimit?. Personat që përjetuan burgjet, torturat e patën gjithmonë të vështirë të risocializohen sepse ai “burgu” i ndiqte gjithmonë nga pas e nuk kishin shpëtim.

“E humbi betejën. Nuk arriti ta mundte burgun e ëndrrave. Ai ishte galuc aty, mu në krevatin e tij dhe gjithnjë shfaqej i gatshëm të vepronte, sapo ky t’i mbyllte sytë. E torturonte. Nuk ishte aspak miqësor.” (Kosumi, 2023, fv. 118-119)

Urrejtja, armiku, hakmarrja

Arbi e Sarbi ishin gjithmonë në luftë e gjithmonë armiq, sepse Sarbi lakmonte gjithçka që kishte Arbi e donte ta kishte me çdo kusht, këtu fillon urrejtja, armiqësia e mbi të gjitha edhe vetë hakmarrja. Urretja, lakmia e synimet e shtetit të Serbisë ndaj Kosovës, synimet për zhdukje e zhbërje e kanë origjinën shumë të hershme, por ajo që theksohet në “Enciklopedinë imagjinare” është një kapitull tmerri e marrëzie “Elaborati për zhdukjen e shqiptarëve 1848-1999”.

Ky Elaborat është dëshmi e gjallë e dokumentuar për mendësinë serbe dhe pretendimet e tyre për zhdukjen e shqiptarëve në forma masive.

“Le të llogarisim afërsisht sa do t’i kushtojë vendit tonë dëbimi i 200,000 shqiptarëve dhe vendosjen e një numri sa më të madh të popullatës sonë në vendet e tyre…

Kur vjen puna tek feja, shqiptarët janë shumë të prekshëm, prandaj ata mund të ngacmohen në këtë drejtim gjithashtu. Kjo mund të arrihet përmes keqtrajtimit të klerikëve të tyre, shkatërrimin e varrezave etj.” (Kosumi, 2023, fv. 169-170)

Urrejtja e armiqësia nuk përfundon me këtë elaborat, ata madje krijuan një “Fjalorth për Armiqtë e Popullit” që përdornin shprehje nga më të ndryshmet për t’iu referuar atyre që i kundërshtonin.

Hakmarrja është njëra nga format më dobëta, kur armiku e humb fuqinë që ka dhe përdor mjete rrethanore për ndëshkim, kështu ndodhi me Manastirin e Graçanicës. Të gjitha dokumentet që nga koha osmane e paraosmane argumentojnë se ky Manastir i përkiste shqiptarëve ortodoksë të rrethit të Llabjanit që njihej si “Kisha e Virgjëreshës” vend të cilin shqiptarët e ruajtën me fantizëm gjithmonë sepse aty gjendeshin pikturat më të bukura fetare që përfaqësonin identitetin e tyre fetar e kulturor. Si shenjë hakmarrjeje për humbjen e luftës, serbët mbyllën përgjithmonë dyert e manastirit për shqiptarët dhe e përvetësuan manastirin dhe nuk i lanë asnjë te drejtë shqiptarëve mbi të.

Kujtesa, burgu, darka e personalja

Një nga rrëfimet më të vështria për përjetimet, për dokumentimet është rrëfimi i historisë personale, i asaj që dogji thellë në shpirt.

Dy nga rrëfimet që ngërthejnë në vete personalen e bëhen edhe më emocionale kur përjetohen e ripërjetohen përmes kujtesës janë: Darka e pikëlluar dhe Harrimi. Darka e pikëlluar paraqet fatet e lidhura detyrimisht e rastësisht  të familjes nga Kumanova me familjen nga Kosova. Familja e Nexhat dhe Shpresa Ukshinit, mirëpritën me muaj të tërë në shtëpinë e tyre familjen kosovare të përndjekur nga lufta, një nënë me tri vajza dhe një grua plakë, kjo ishte familja e ardhur. Fillimisht familja e Nexhat Ukshinit kishin dyshime se në do ja dilnin ta mbanin këtë familje, por më vonë në darkën e fundit që do të quhet e pikëlluar do të kuptojnë se ishin mësuar aq shumë me familjen kosovare sa ndarja prej tyre solli shumë pikëllim në familjen e tyre.

Të gjithë ne kemi nga një çast që nuk e harrojmë, një çast të ngulitur në mendjen tonë që duam gjithmonë që pluhuri i harresës të mos e mbulojë asnjëherë, për rrëfyesin e kësaj ngjarjeje ndarja nga gruaja dhe vajzat, çasti i ecjes së tyre drejt sheshit do të jetë një nga kujtimet që nuk do ta shlyejë asnjëherë nga kujtesa.

“…e pa ende qartë gruan me pallton e kuqe dhe dy vajzat teksa mbaheshin me njërën dorë për kindat e palltos së nënës. E dalloi qartë pallton e bukur të kuqe, atë që e vishte mbrëmjeve dhe e bënte të shkëlqente… I dalloi qartë çantat e vogla me katërkëndësha shumëngjyrësh, të blera në Paris… Fytyrat nuk ua shihte. “Çfarë fytyra mund të kenë tashti?….

Hapat e tyre dhe shpina e tyre, këto i shihte qartë dhe saktë… “Memorizo! Memorizo! Kurrë nuk do t’i shohësh! Mos i harro! Regjistroje në tru dhe ruaje aty!” (Kosumi, 2023, f. 251)

Kjo pamje është njëri nga episodet, ku njeriu është i mpirë, nuk i duhet më asgjë tjetër e kësaj bote, përveç memorizimit të çastit që po i ikën nga duart e nuk do ta shohë më asnjëherë.

Bajram Kosumi “Enciklopedinë imagjinare” apo do kisha thënë Enciklopedinë e përjetimeve dhe dokumentimit e përfundon me një epilog shfajësimesh para një gjykatësi për të gjitha synimet e ëndrrat që pati për krijimin e një Libri të Ri. Kjo vepër pavarësisht se si klasifikohet si histori, dokumentar apo edhe thjesht fiksion e postroman ngërthen në  vete pamjet e të shumë kohëve shfaqjet e shpërfaqjet e shumta të historisë, është një arkivë e gjallë, një dokumentar përjetimesh e një sugjerim për historinë që do të shkruhet.

Maj, 2024

Shënim: Punimi është prezantuar në lëndën Letërsi aktuale shqipe, te prof. dr. Sali Bashota, studimet master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë. / KultPlus.com

Të ngjajshme