13 Prill, 2020 - 9:30 am
Nga Jusuf Buxhovi
Vala e dytë e murtajës kishte prekur për gjysmë më pak njerëz nga ajo e para. Duket se grithja po e bënte të veten. Por, ne, nuk dëshironim të mendonim se po shkonim kah fitorja, ngaqë e dinim se kjo jo vetëm që nuk do të pranohej nga ata që e kishin sjellë dhe kishin hesapet me murtajën, por do të përcillej me masa të tjera nga futja e vëllavrasjes e deri te gjetja e ndonjë shkasi që gjendja e jashtëzakonshme të kthehej në gjendje lufte, me çka, përfundimisht, atë që nuk do ta arrinte mikrobi, ta bënin armët, paçka se gjitha, do t’i ndajmbathej murtajës…
“Atyre u duhen numrat”, i thashë Lamit. “A nuk e sheh mjekun Izet Aga , gjoja me brengosje, se si nxjerr numra të të prekurve nga sëmundja ose edhe të vdekur, që ne nuk i dimë fare, për t’u paraprirë masave të tjera. A nuk u fut në këtë mënyrë në karantinë edhe shehri? Mjeku izet Aga arsyetohet se kështu ndërpritet përhapja e murtajës, edhe pse dihet se shkëputja e shehrit nga nahija, do të thotë më keq se murtaja – dënim me vdekje, jo vetëm nga uria, por ngaqë ai, pa Malësinë dhe Rekën bëhet pre e çfarëdo komploti shkatërrues?”
“Njëmend, ma ktheu Lami gjithë brengosje, kur shehri shkëputet nga Reka e Malësia, ai vritet…Por, kjo nuk duhet pranue… Do të gjejmë rrugë që qarku ynë jetësor të mbahet. Përndryshe, po ra Gjakova, vdes edhe Reka… Vdes edhe Malësia… Vritemi shpirtnisht… Këtë do Ibrahim Pasha…”
(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982. / KultPlus.com