12 Maj, 2023 - 2:15 pm
Dhurata Hoti
I doli gjumi. U zvarrit ta merrte telefonin, e pa orën, ishte dy e tridhjetë e pesë. I digjte fyti, ndërsa trupin e kishte të këputur, e lëkura po i nxirrte flakë. U ngrit dhe shkoi të pinte ujë. Kishte një shije hekuri a gjaku të mpiksur në gojë. E lau fytyrën, por pas pak vendosi se duhej të bënte një dush. Ndoshta do të bëhej më mirë. Zakonisht gjithçka ishte më e mirë pasi të lahej, edhe nëse era mbetej, edhe nëse gjaku ishte mpiksur mbi lëkurë. Uji e zbuste trupin, sikur i hiqte një peshë që e mbante të mbërthyer.
Kur doli nga banjo u mat ta zgjonte gruan. Ndonjëherë kur ajo flinte i mungonte. I vinte ta zgjonte dhe ta shtrëngonte shumë në krahë, sikur bënte kur ende e donte. Por e dinte se dëshira do të venitej sapo të zgjohej ajo. I mungonte vetëm kur nuk ishte. Gjithsesi, kishte nevojë të dëgjonte një zë tjetër njeriu. Bëri zhurmë me qëllim, por ajo vazhdonte të flinte. I dukej çudi se si arrinte të flinte në këtë vapë. Hoqi dorë, ajo nuk do ta kuptonte gjithsesi.
E kishte kapluar një ndjenjë neverie. Ndihej i uritur sa i gërryenin zorrët, por vetëm paramendimi i rrotullonte barkun. Doli nga shtëpia, në rrugë nuk kishte njerëz dhe iu duk se u bë pak më mirë. Qentë e rrugës rrinin turmaturma. Përnjeherësh filloi t’i shihte si kufoma, me lëkurën e rrjepur, vetëm si copa mishi të gjalla, bile e ndiente edhe erën e tyre prej mishi. Iu duk sikur përkundër kësaj gjendjeje të turbullt, shqisat nuk i kishte pasur kurrë më të mprehta. Gjithçka e ndiente me intensitet shumë më të madh se zakonisht. Si të ishte i droguar. Jam duke përjetuar ndonjë makth, mendoi. Ishte një vend ku shkonte zakonisht, afër njërës prej urave më të vjetra të qytetit. Një vend shumë i qetë, ku nuk shkonte askush, kryesisht sepse dukej shumë i frikshëm, si strehë e njerëzve të rrugës apo e ndonjë psikopati. Mirëpo, edhe për ta ishte shumë i frikshëm, sepse dukej se do të shembej në çdo moment, por ai e njihte mirë dhe e dinte se ishte një nga vendet më të sigurta në këtë botë të pasigurtë. Kishte nevojë të ishte krejtësisht vetëm. Rrugët ishin pa njerëz, por atij i dukej se dëgjonte grahma frymëmarrjesh pas shpine. Kur ai shpejtonte hapat, shpejtoheshin edhe frymëmarrjet. E dinte se nuk kishte njeri, megjithatë kjo nuk e bënte më pak të frikshme. Arriti. Të mbështetur në murin e vjetër, një çift po bënin dashuri. Ata nuk e shihnin, të përhumbur në lojën e tyre. Ai më shumë se që i shihte, i dëgjonte, dhe për një moment filloi të ndihej i eksituar, i kishte shumë afër. Herën e fundit që kishte bërë dashuri kishte qenë para disa muajsh.
Çifti e ndërroi pozitën dhe filluan përsëri. Atë filluan ta kaplonin djersë të ftohta. Deshi të largohej po nuk mundej, i dukej shumë e komplikuar fillimisht, ndërsa pas disa momentesh thjesht nuk ishte i aftë ta bënte. Filloi të vinte një lloj ere, si kërmë e mbytur. U mbajt, sepse për pak e lëshuan këmbët dhe nuk donte që ata ta vërenin. Psherëtimat e tyre po vinin e po bëheshin më të zhurmshme, e krupa e tij më e madhe. Me përpjekje të sforcuara u nis, por u pengua në një gur dhe u rrëzua. Ata e verejtën, filluan të qeshnin por nuk i ndalën lëvizjet e tyre. Ai tani i pa për herë të parë, lëkura e tyre ishte e skuqur shumë dhe ishte bërë me vrraga, si të ishte hequr pjesa e sipërme. Iu duk se era vinte prej trupave të tyre. Filloi të vraponte, pa e kthyer kokën pas. Ata qeshnin dhe e thërrisnin.
U kthye në shtëpi. Gruaja ishte zgjuar dhe e pyeti ku ishte. Ai nuk foli. Hyri në dush, por nuk kishte ujë. Po dridhej. I vinte krupë, por nuk mund të villte. Ajo po përgatiste mëngjesin, era e të cilit e neveriti edhe më shumë. Nuk mund të rrinte as në shtëpi dhe gjithsesi duhej të shkonte të hapte dyqanin. Njerëzit blerjet e mishit i bëjnë në mëngjes. E hapi derën. Bëri një hap prapa, i neveritur prej një ere të keqe që iu përplas në fytyrë. Ai çdo natë para se të shkonte në shtëpi e pastronte mirë dyqanin dhe i linte dritaret hapur për ta ajrosur. Por, era që po vinte në dyqan ishte mbytëse. Si të kishte vdekur dikush dhe kufoma të kishte qenë e mbyllur prej kohësh. E hapi derën dhe dritaret, e ndezi edhe kondicionerin. Po sikur të vinte dikush dhe ta ndiente këtë erë, biznesi i tij do të përfundonte përgjithmonë. Filloi të kërkonte për ndonjë gjë që kishte mundur të shkaktonte këtë erë, anash rafteve, nëpër dysheme. Nuk gjeti asgjë, dhe përkundër masave që morri ai, era nuk hiqej. Kishte filluar ta kapte panik. Nëse do të vinte dikush ai nuk dinte as çfarë të thoshte. I mbylli dritaret dhe derën dhe u ngut të dilte. Kur e pyeti pronari i dyqanit fqinj, ai nëpërdhëmbi diçka se nuk ndihej mirë. Edhe kur u kthye në shtëpi e pyeti gruaja, por asaj nuk i dha as përgjigje. I dukej se po ta hapte gojën era do të përhapej edhe në shtëpi. Uji kishte ardhur. U la gjatë dhe doli me lëkurë të skuqur nga uji i nxehtë. Neverinë e ndiente ende, por ndihej pak më mirë se më parë. U shtri dhe dikur e kishte zënë gjumi.
U zgjua në darkë. Ndihej i uritur, nga kuzhina dëgjoheshin zhurma. Hyri dhe u ul. Ajo ia solli një pjatë me drekën e ngrohur. Mishi në pjatë filloi të lëvizte. Aq iu desh dhe filloi t’i nxirrte zorrët jashtë aty mbi pjatë, pa mundur as të mënjanohej paksa. Gruaja e shikoi e tmerruar. U nervozua dhe filloi ta shante. Ai vetëm u ngrit dhe shkoi prapë në tualet. Edhe aty vazhdoi të villte. Ajo hyri pas tij. Tashmë e shqetësuar e pyeti ç’kishte. Ai i tha të largohej. Ajo filloi të pastronte dhe kur u sigurua që kishte fshirë gjithçka, u largua pa thënë asgjë. Ai vazhdoi të rrinte. I erdhi prapë të villte. Gjumi e kishte zënë në dyshemenë e tualetit. Nuk shkoi më ta hapte dyqanin, pavarësisht se gruaja kishte qenë disa herë dhe e siguronte se asnjë erë nuk po vinte më. Pas tre muajsh vendosi ta nxirrte në shitje. U divorcua me gruan dhe me paratë që mori nga shitja e dyqanit, u nis për diku. Muajt e fundit rrinte vetëm dhe nuk flinte kurrë. Disa thonë se u çmend diku në vendet e perëndimit, disa të tjerë thonë se ka vdekur si i pastrehë./ KultPlus.com