14 Janar, 2018 - 1:50 pm
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe i Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, ka thënë se autoriteti i Ministrisë shtrihet edhe te universitetet private.
Ai ka thënë se nuk është i interesuar të vazhdohet me praktikat e vjetra, por që bashkërisht të gjejnë zgjidhje, duke thënë se edhe studentët e tyre do t’i nënshtrohen provimit shtetëror.
“Autoriteti i jonë ligjor shtihet deri në maksimum, për të vendosur rend dhe ligj. Ne do të vendosim nëse këto nuk do të jenë të gatshëm, e kemi ba të qartë këtu në takim, sepse ne gjerat i kemi të hapura. A dojmë diçka të ndryshojmë e të bëjmë mirë, apo do të vazhdojmë me avazin e vjetër?” Unë nuk jam i interesum me avazin e vjetër. Jam i interesum që bashkërisht të gjejmë zgjidhje, në të kundërtën ligji do të vendos minimumin provim shteteror. Studentët do t’u nënshtrohen provimit shteteror ne momentin kur e përfundojnë një program të caktuar në një fakultet të caktuar”, ka thënë ministri për Gazetën Fjala.
Megjithatë, kjo formë, sipas tij, nuk garanton cilësi 100 përqind, por e vendosë një rregull.
“Nuk garanton 100% cilësi sepse cilësia direkt është e lidhur me personat përgjegjës në këto kolegje edhe në çdo universitet. Por ajo çfarë vendos, vendos një rregull. I mbron të gjithë studentët të cilët vërtet bëjnë një punë të jashtëzakonshme gjatë studimeve të tyre që fitojnë një dije që është e barasvlershme me diplomën të cilën e marrin”, ka thënë tutje ai.
Ministri i Arsimit ka thënë se do të fillojnë edhe me kategorizimin e diplomave, e cila do të bëjë që studentët para regjistrimit të mendojnë mirë se në cilat drejtime do të regjistrohen.
“Pra, nëse ne do të fillojmë me i kategorizu diplomat, kjo do t’i detyrojë edhe studentët të mendojnë momentin kur regjistrohen. Do të kërkojnë kolegje të cilat vërtet ofrojnë cilësi gjatë studimeve, sepse për punësim do ta kenë shumë vështirë”, ka shtuar ai.
“Konsideroj që është prioritet i qeverisë që ne punësimin ta orientojmë te sektori privat, të mos jetë sektori publik faktor kyç në punësimin e të rinjve tanë, dhe ne kur do ta kthejmë punësimin në sektorin privat, paramendoni a do të ketë mundësi një i ri që do ta ketë diplomën e kategorisë së dytë të punësohet. Sepse secili do t’ia kërkojë diplomën e kategorisë së parë”, ka thënë tutje ai./ KultPlus.com