7 Nëntor, 2018 - 8:40 pm
“Shqipëria në fokus“. Nën ketë moto letërsia shqipe shkon në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Vjenë, Buchwien 2018,i cili mbahet nga datat 8 -9 nëntor. Agron Tufa, Arian Leka, Ilir Ferra dhe Lindita Arapi janë autorët që do prezantojnë letërsinë shqipe në këtë panair.
Eseisti i mirënjohur Arian Leka paraqet fragmente tekstesh dhe tregon për zhvillimin e ri letrar në Shqipëri dhe jetën letrare në Tiranë. Agron Tufa prezanton tekste të reja dhe flet për trashëgiminë e vështirë të Shqipërisë dhe sfidat për punonjësit e kulturës në vendin e tij. “Nga Durrësi në Vjenë”, shkrimtari shqiptaro-austriak Ilir Ferra paraqet një tekst të ri rreth pritjes së refugjatëve hebrenj në Shqipëri. Lindita Arapi lexon pjesë nga romani i saj i cili ka fituar disa çmime “Vajzat me çelës në qafë”, i botuar edhe në gjermanisht “Schlüsselmädchen” dhe bisedon me moderatoren rreth imazhit të Shqipërisë në botën gjermanofolëse.
Kjo pjesëmarrje mbështetet nga TRADUKI i cili është një rrjet evropian për letërsinë dhe librat, ku marrin pjesë vende të Evropës dhe të rajonit juglindor të Evropës, i cili mbështetet shkëmbimin letrar nëpërmjet një programi përkthimesh nga letërsia, libra eseistikë si dhe libra për fëmijë e të rinj.
Diskutimet moderohen nga kuratorja austriake dhe njohësja e mirë e letërsisë shqiptare, Annemarie Türk./ KultPlus.com