Kërkimi i parajsës në vorbullat e errëta të dyshimit, obsesionit dhe ankthit ekzistencial

30 Maj, 2024 - 8:45 pm

Dea Basha

(Gëzim Aliu: “Sëmundje dhe Perëndi”, Dukagjini, Prishtinë, 2023)


Erotizmi si një estetikë e përpiluar në bazë të ligjeve të atraksionit dhe religjioni si sistem doktrinar paraqesin dy nga çeshtjet themelore të trajtuara në romanin e fundit të Gëzim Aliut “Sëmundje dhe Perëndi”, ku më tepër se natyra e përgjithshme e nocioneve përkatëse, trajtohet ndikimi i secilës në perspektivën individuale të njëriut si qenie së cilës që nga çasti i lindjes e deri në ardhjen e vdekjes i mundësohet akti i zgjedhjes që bëhet determinues i mënyrës së vijueshmërisë së jetës. Zgjedhjet përcaktojnë ëndrrat, idealet, besimet, ato kanë impakt të pamohueshëm në gdhendjen e karakterit dhe formimin psikologjik të individid, ashtu siç rol vendimtar kanë dhe përjetimet reale, por ndonjëherë ndodhë dhe e kundërta në ato raste kur zgjedhja paraprihet nga një besim i verbër dhe përcaktimi bëhet jo për shkak të dëshirës personale, por për hir të diçkaje abstrakte, dhe pikërisht fenomene të tilla vënë në pikëpyetje ekzistencën e vullnetit të lirë dhe pavarësisë individuale, pikëpyetje të cilat stërmundojnë racion e personazhit kryesor të romanit dhe bëhen katalizator i një konflikti të brendshëm po aq sa të jashtëm.

Dilema e zgjedhjeve

Dilema ndërmjet dashurisë spirtualiste për Zotin dhe dashurisë biologjike instiktive për njeriun si zgjedhje e degëzuar në dy rrugë krejtësisht të ndryshme që supozivisht çojnë në një pikësynim të përbashkët, gjetjen e parajsës, është epiqendra e romanit të Aliut. Mirëpo kjo zgjedhje në të vërtetë nënkupton sfidën më të rrezikshme të njëriut, pasi arritja dhe posedimi i njërës, kushtimisht përcakton humbjen e tjetrës, andaj dhe fitorja në një situatë të tillë është e pashkëputshme nga humbja e po të njëjtit çmim konceptuar nga një kënd tjetër vështrimi, duke turbulluar kështu gjer në mosdukje objektivitetin e vërtetësisë mbi atë çka e duhura duhet të jetë, apo dhe te mos jetë. Dy personazhet e romanit, A. Ibrahimi dhe prifti Gjon, portretizojnë këto dy zgjedhje të vullnetshme, njëri atë të parajsës në tokë dhe tjetri atë të pas vdekjes, i pari duke përqafuar dashurinë dhe duke humbur besimin në Zot, dhe i dyti duke hequr dorë nga gruaja që dashuronte vetëm për t’iu përkushtuar devotshmërisë ndaj krijuesit. Megjithkëtë asnjëra zgjedhje nuk rezulton të jetë pa vështirësi, dhe mjerisht njohja e lumturisë absolute mbetet e parealizueshme për të dy për faktin e thjeshtë që ata shndërrohen në skllav të diçkaje së cilës i japin fuqi më tepër se qenies së tyre, duke e shndërruar në një profeci vetëpërmbushëse. A. Ibrahimi, i prangosur nga kthetrat e dyshimit, shndërrohet në skllav të impulseve të brendshme toksike që prodhon dashuria e pashëndetshme, siç janë xhelozia e tepruar që vjen si rrjedhojë e një doze të pashëndetshme irracionaliteti në nxjerrjen e përfundimeve, si dhe nga mungesa e shquar e arsyes në të analizuarit e situatave. Ndërkaq, prifti Gjon, sipas perspektivës së A. Ibrahimit, bëhet skllav i vetëmashtrimit dhe i gënjeshtrave të religjionit. Prandaj dhe romani i Aliut paraqet një krijim artistiko-letrar ku dominon kompleksiteti i strukturave formale dhe përmbajtesore, si karakteristikë vetëdijshëm e implikuar në kuadër të thurjes së historisë në të cilën mbisundon tema e mos/besimit prej së cilës derivojnë një varg efektesh pasuese të një gjendjeje ekstreme skepticizmi radikal në raport me tjetrin, qoftë ky një person tjetër, vetë realiteti, krijuesi suprem, apo çdo lloj trajte tjetër e mundshme e vetë ekzistencës.  Aliu na ofron një histori përjetimesh të A. Ibrahimit në dukje të parë të thjeshtë, por që shumë shpejt rrëfimi ndërlikohet sapo nisë shpalosja e së vërtetave faktike që bëjnë të konceptueshëm për lexuesin fatalitetin destruktiv të protagonistit. E këto të vërteta qe janë vazhdimisht në kërkim bëjnë të mundur konstatimin që rëndësia kryesore e romanit nuk qëndron specifikisht tek ngjarja, por tek shtresëzimet ideore që i takojnë dimensioneve të thella të të menduarit filozofik, mendime të cilat karakterin kryesor e shtyejn drejtë humnerës së pyetjeve të stërmundimshme që janë të destinuara të mbesin pa përgjigje, pyetje që zbulojnë preokupimet e njëriut relativizues i cili kuptimin e jetës arrinë ta përcaktojë vetëm në saje të lirisë tre-dimenzionale ( morale, mendore, shpirtërore).

Modeli i strukturimt narrative


Rol kryesor në konstruktimin e boshtit tematik luan struktura narrative e romanit ku adaptohet një model i trefishtë që mundëson alternimin mes rrëfimit subjektiv të përvojave të A. Ibrahimit, qëndrimit objektiv të narratorit standard të zhanrit prozaik, dhe këndvështrimit të gjithëdijshëm të një transmetuesi hyjnor që përfshihet në pjesën e dytë të romanit, narratori-Zot. Kjo teknikë shkrimi lejon që vetë përzgjedhja stilistike e autorit të jetë reflektim simbolik i ndërveprimit konstant ndërmjet njerëzores dhe transcendetales, me ç’rast edhe kufiri dallues mes fiktives dhe reales nisë të hamendësohet në vend që të besohet bindshëm, marrëdhënia hierarkike midis krijuesit dhe krijimit i shmanget definueshmërisë tradicionale artistiko-letrare, duke prodhuar kështu një sens destabilizimi të përgjithshëm dhe sfidues. Kjo lojë strategjike e niveleve narrative lejon receptuesin të eksplorojë vetëdijen e brendshme të protagonistit, pozicionuar në plan të parë si urë lidhëse e drejtpërdrejtë me psikën e karakterit kryesor, duke i ofruar lexuesit një qasje intime në mendimet dhe emocionet e tij, por njëkohësisht dhe perspektiven e jashtme të një autoriteti më të lartë, duke thyer koherencën dhe linearitetin që pasuron tekstin me elemente metafiksionale. Për ta konkretizuar, pjesa e parë e romanit servohet nga një narrator i rëndomtë definimi i së cilit qëndron i parëndësishëm meqenëse ngjarjet specifike nga jeta e karakterit kryesor shpalosen në formë dialogësh mes vetë A.Ibrahimit dhe Gjonit, ku A.Ibrahimi rrëfen historinë e njohjes me bashkëshorten aktuale, Sarën, problemet në jetën martesore, ardhjen në jetë të fëmijës së parë, duke ndërfutur aty-këtu dhe sekuenca të shkurtra ngjarjesh nga fëmijëria në formë digresionesh që shërbejnë në favor të përforcimit të bindjeve dhe besimeve të karakterit. Ndërkaq, në pjesën e dytë na prezantohet një narrator i gjithëdijshëm me plot kuptimin e fjalës, narratori hyjnor i cili përveç që shpalos një ngjarje edhe më të largët të protagonistit duke shënuar një analepsë të papritur, historia e dashurisë dhe humbjes së Dianës, njëherazi sqaron dhe aktin e krijimit të veprës letrare në të cilën është vetë pjesëmarrës, ashtu si vetë autori i cili bëhet pjesë e universit fiktiv-letrar megjithëse,- ashtu si Zoti-, i takon dhe botës reale. Është pikërisht ky ndërveprim shumëllojshmërie zërash narrativ që destabilizon dallimet binare midis së vërtetes dhe fiktives, vetes dhe tjetrit, duke komplikuar, madje edhe problematizuar nocionet konvencionale të shkakësisë, ku parimet e kauzalitetit kapërcejnë kufizimet kohë/hapsirë me anë të ndërhyrhes hyjnore në universin letrar. Fenomeni i “ngrirjes” së ngjarjes momentale në fundin e pjesës së parë, një shuarje e befasishme e dinamizmit të komplotit në kohën e tashme si pauzë e qëllimshme për të mundësuar aktualizimin e së shkuarës paraqet dëshminë kryesore të konstatimit të lartshprehur.

Ndërtimi i karaktereve

Përveç konstruktimit të strukturës formale dhe asaj narrative, është e rëndësishme të analizohet dhe mënyra e konstruktimit karakterial, pasi është pikërisht skicimi i karaktereve që shërben si pikë mbështetëse për zbërthimin e mëtutjeshëm të temave bazë. Romani përmban një numër relativisht të paktë të karaktereve, duke filluar nga A. Ibrahimi i cili paraqet karakterin kryesor të romanit, Sarën, besimtare e devotshme e krishterë, që është bashkëshortja e A.Ibrahimit, prift Gjonin, mik i A.Ibrahimit, i cili përveç që është i domosdoshëm për funksionalizimin e narrativës konfesionale të A.Ibrahimit, njëherazi është i dyshuari primar për tradhtinë e aluduar të Sarës. Kemi edhe Dianën, ish të dashurën e A. Ibrahimit, historia me të cilën në një mënyrë apo një tjetër shpaloset vetëm për të qartësuar zanafillën e problemeve me besimin nga të cilat vuan A. Ibrahimi si një njëri që ka përjetuar ndjesinë e të qenit i tradhtuar nga dashuria, përjetim i cili inicon gjendjen ekstreme të dyshimit që tematizohet si skepticizëm radikal përgjatë gjithë romanit. Që në fillim të veprës A. Ibrahimi na prezantohet i tronditur, me ç’rast ndërtohet një atmosferë e zymtë dhe ngulfatëse ku mbizotërojnë ndjesitë negative dhe shqetësuese, paralajmëruesit e parë të një rënie në vorbullën e ashpër ekzistenciale, arsyeja e së cilës mbetet e paqartë në pjesën fillestare. Ajo çka bie në sy është dëshira e zjarrtë dhe tendencioze për një eskapizëm çlirues që merr trajtë force motivuese në gjithë zhvillimet e pjesës pasuese. Në fillim këtë eskapizëm, A. Ibrahimi e realizon në aktin e konsumimit të alkoolit me qëllim turbullimi të mendjes, me qëllim harrese, ikjeje nga e vetëdijshmja, nga dijet e njohura mbi realitetin, dhe shmangije nga ideja e pakuptimësisë së vetë jetës, e cila më pas do të jetë një nga temat bazë.  

Iluzioni i dashurisë

Ideja e iluzionit si kusht për një lumturi të përkohshme në jetë sjellë si rezultat paqëndrueshmërinë mendore dhe emocionale të A. Ibrahimit, kjo pasi pranimin e iluzionit të asgjësë ai e maskon pas ndjenjës së fortë të dashurisë erotike të cilën e glorifikon në masë të madhe, por duke harruar qëllimshëm dhe sforcueshëm që ky iluzion, ashtu si religjioni të cilin e refuzon me përçmim, bie ndesh me lirinë tredimensionale të cilën e synon. Prandaj ndeshja refuzuese konstante e A. Ibrahimit ndaj konceptit të Zotit dhe fesë, në të vërtetë, është revoltë ndaj vetë konceptit të varësisë të cilin e sheh si sëmundje e cila realisht burimin e ka tek vetë dashuria. Dashuria është ajo që i bën njerëzit të fiksohen me idenë e posesivitetit, qoftë të përvetësosh ekzistencën e tjetrit, qoftë të jesh i përvetësuar nga një forcë autoritare e mbinatyrshme e gjithëpushtetshme, por ky aspekt në të shumtën e rasteve injorohet vetëdijshëm pasi qenia njerëzore zgjedhë të besoj në iluzionin e dashurisë si shtegu i vetëm në sigurimin e parajsës.  Kjo parajsë mund të identifikohet si gjendje, si sentiment, si ideal, apo vend, për dikë mund të jetë gjetja e lumturisë, për dikë ndjesia e të qenit rehat me vetveten, për dikë vetë paqja, por për A. Ibrahimin nuk rezulton të jetë asnjëra. Raporti i tij me Sarën, i ndërtuar në baza të dashurisë pasionante del të jetë i ndërtuar në nevojë, varësi dhe frikë, lumturia mungon si pasojë e mosbesimit, ky mosbesim trazon botën e brendshme të A. Ibrahimit, i cili përveç që i shpallë “luftë” realitetit të jashtëm, nuk e eviton dot dhe armiqësinë me vetveten, me të qenit ai që është, duke distancuar veten nga paqja e dëshiruar. Nevoja e A. Ibrahimit për të gjetur shpëtimin e tij në jetë nëpërmjet dashurisë duke refuzuar soteriologjinë, – zgjedhja e Gjonit dhe Sarës të cilët shpëtimin e kërkojnë tek Krishti, e hedhë në kurthin e një dështimi kataklizmik që e bën të humb gjithçka. Romani i Aliut përfaqëson një goditje drejtuar absolutizmave, shumica e koncepteve kryesore të trajtuara ekzistojnë si sinonimike në një perceptim më të detajizuar, prandaj dhe kemi raste kur njeriu hyjnizohet e Zoti rëndomësohet, dashuria mund të jetë për Njeriun dhe për Zotin, e Njeriu mund të jetë Zot dhe Zoti Njeri, Njeriu Krijues e Zoti rrëfyes i krijimit njerëzor. Relativizimi i tillë na çon në ndërtimin e një skeme e cila sqaron dy rrafshet kryesore në të cilat ndërtohet romani, që siç e theksuam krejt në fillim, bazën e ka në zgjedhjen e lirë.



Kjo paraqet skemën e sëmundjes që si pikënisje ka dashurinë dhe për destinacion final ka gjetjen e parajsës. Ndërkaq vetë dashuria ekziston si substrat i përshtatshëm që ua mundëson ndjenjave të tjera mbirjen dhe zhvillimin e mëtutjeshëm çka mundëson dhe daljen e tyre në sipërfaqe, dhe megjithëse degëzohet në dy kahje të kundërta varësisht nga zgjedhja e objektit nga subjekti, këto rrugë konvergojnë përsëri në një linjë zhvillimi të shtyra nga forca të njëjta të natyrës opozitare, më saktësisht motivuese dhe penguese, që rezultojnë të jenë shpresë dhe frikë, kjo e fundit duke u manifestuar si ankth ekstrem i shkaktuar nga rrezikshëria e humbjes. Kështu secili karakter paraqet modelin e saktë të njërës nga dy zgjedhjet, duke mos qenë asnjëra e përsosur por një mrekulli në vetvete, në terma të A. Ibrahimit, përplot defekte, ashtu si vetë bota. Secila zgjedhje lë karakteret me një mangësi, një boshllëk mbushja e së cilit mbetet e pazëvëndësueshme, por kushtëzohet të jetë e hapur ndaj pranimit, dhe ky pranim nënkupton vetëdijësimin mbi humbjen e parajsës që garanton zgjedhja tjetër. Si përfundim, kemi A. Ibrahimin që, i çorientuar nga paradokset e besimit dhe arsyes të cilat rrisin tensionin skepticist, pranon ta mbyll zemrën ndaj dogmave fetare dhe doktrinave teologjike dhe i dorëzohet dashurisë, ndërsa në të kundërt kemi Gjonin i cili pranon të heqë dorë nga sublimiteti i eroticizmit si ndjenjë intime njerëzore për njeriun tjetër, dhe zgjedhë jetën e një besimtari të devotshëm që për mision jetësor ka dëshmimin e përkushtimit në të adhuruar të Perëndisë. Prandaj, romani i Aliut me gjithë universin fiktiv të veçantë paraqet një mikrokozmos të dualizmit që përfshinë çdo gjë ekzistuese në realitetin e jashtëm që nga konkretja e deri tek abstraktja, nga e dukshmja tek e padukshmja, përherë e destinuar të mbetet gjysmake pa pjesën tjetër për shkak të limitimeve dhe definimeve të përcaktuara normativisht nga vetë mendja njerëzore. Kjo mungesë reflektohet në manerizmin e protagonistit, ku fiksimi në idenë e posedimit të tjetrit, xhelozia dhe obsesioni ekstrem, në gërshetim me impaktin e përvojave të kaluara traumatike, çojnë në identifikimin e një konfrontimi të fshehur me pasigurinë e brendshme dhe nevojën thelbësore për t’u ndjerë i plotësuar. Problemi qëndron saktësisht në perceptimin e gabuar të arritjes së përmbushjes absolute me anë të zotërimit të tjetrit, është ky keqkuptim i procesit të arsyetimit të brendshëm që e tërheq A. Ibrahimin jashtë limiteve të së pranueshmes dhe racionales, duke e tjetërsuar frikshëm në një vrasës potencial që është thuajse i gatshëm të thyej çdo barrierë morale. Ndeshja me absurditetin e ekzistencës njerëzore dhe hyjnore si rezultat i pasigurive ontologjike ngjallë një paranojë të shfrenuar që pasohet nga një rrjedhë arsyetimesh të gabuara që kontribuojnë në manipulim të vetvetes në të besuarit që mendimet dyshuese janë të sakta. Andaj dhe në rastet kur Sara shpreh afeksion ndaj A. Ibrahimit, ai e përcakton si rastësor, si një tjetër dëshmi të tradhtisë, pasi gjendet në nivelin kulminant të paranojës kur dhe veprimet më të dashura dhe të pafajshme janë provë e një akti të hamendësuar keqdashës. Të gjitha konfliktet personale dhe ngatërresat emotive vijnë si pasojë e asaj zgjedhje fillestare që presupozohej t’i garantonte A. Ibrahimit një jetë të qetë pa turbulenca, perfeksionin të cilin në fakt as ai vetë nuk e besonte, dhe në momentin e ballafaqimit me aspektet e pakëndshme të dashurisë, ashtu si në rastin e religjionit, ai heq dorë totalisht. Kjo dorëheqje shënon eskapizmin e përmendur krejt në fillim të kësaj trajtese, në një moment reflektimi. A. Ibrahimi kupton që parajsa, cilado qoftë ajo, i reziston dihotomive, dhe rruga nëpër të cilën duhet kaluar për të arritur tek posedimi i saj është sprova më e madhe pasi paraqet rrugën e nënshtrimit, varësisë, ankthit ekzistencial, dyshimit, mllefit, lëndimit e shkatërrimit, pra ferrin e vërtetë, dhe pasi përjeton këtë ferr, protagonisti më në fund kupton kotësine e frikës së humbjes, prandaj dhe zgjedhë të tërhiqet duke lënë në gjysmë misionin jetik të gjetjes së lumturisë absolute. I dëshpëruar, i tradhtuar dhe i vetmuar, ai heqë dorë nga çdo përpjekje e pasuksesshme. Ky moment shënon pikerisht gjetjen e paqes larg gjithë atyre iluzioneve metafizike e erotike që për të tashmë simbolizonin torturën, ai gjenë paqen aty ku është i paprekshëm dhe i pavarur, në humnerën e vetëdijes dhe boshëllëkun e zemrës së tij.

Ikja finale që shënon dhe fundin e romanit duket sikur lë ngjarjen pezull, shpjegimet lidhur me fatin e Sarës, Lorencit, Gjonit, Dianës, madje edhe vetë A. Ibrahimit mungojnë, por siç edhe e kemi thënë tashmë, në kuadër të këtij studimi letrar rëndësia nuk qëndron tek ngjarja, por tek ideja, dhe ajo çka është e rëndësishme të komunikohet është që ikja e protagonistit bart një kuptim të qenësishëm që shndërron figuren e tij të njeriut obsesiv dhe dyshues në atë të një humbësi të madh. Pa dashuri dhe pa zot, eskapizmi i A. Ibrahimit shënon arritjen e lirisë tredimensionale e cila në fund e përcakton si fitimtar të humbjes së gjithëçkaje, dhe kjo në vete dëshmon ndoshta dhe ekzistimin e një parajse tjetër, atë të mosposedimit të asgjësë, të mos kesh nga çka të vuash, të lëndohesh a të zhgënjehesh, nje prehje e efemere gjersa të vije ajo e përhershmja, vdekja.

Shënim:  Punimi është prezantuar në kuadër të lëndës Letërsi aktuale shqipe e cila ligjërohet nga prof. dr Sali Bashota në semestrin e dytë të studimeve Master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë. / KultPlus.com

Të ngjajshme