26 Korrik, 2018 - 9:19 pm
Ndonëse udhëheq me Ministrinë e Ambientit e Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, nuk ka hezituar që të japë ide se si duhet nderuar Adem Demaçi pas vdekjes së tij.
Ajo ka propozuar që një medalje presidenciale të mbajë emrin e tij, njësoj sikurse edhe Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës. Ndërsa ka thënë se një bust në qendër të Prishtinës është gjëja më vogël që si shoqëri mund të bëjmë për këtë kolos.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta te veprimtarit të pashoq dhe simbolit më të veçantë të rezistencës intelektuale, bacës Adem Demaçi. Sakrificat dhe vuajtjet 28 vjeçare nëpër burgjet jugosllave të Bacës Adem janë shembulli më i mirë i atdhedashurisë dhe patriotizmit. Qëndrimet dhe vetë jeta e tij do të jenë gjithmonë udhërrëfyese për brezat që do të vijnë. Prehu në paqe baca ynë, në këtë tokë për të cilën dhe aq shumë. Një medalje presidenciale duhet të mbajë emrin e Bacës Adem dhe, natyrisht, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës duhet të quhet po ashtu me emrin e tij. Një bust në qendër të Prishtinës është gjëja më vogël që si shoqëri mund të bëjmë për këtë kolos. Ngushëllime familjes dhe gjithë popullit shqiptar”, ka thënë Reshitaj.
Limaj: Do ta kujtojmë gjithmonë sakrificën dhe rezistencën e Bacës Adem
Kryetari i Nismës Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen Demaçi për vdekjen e veprimtarit të shquar shqiptar.
Baca Adem siç shkruan Limaj ishte dhe mbetet frymëzuesi më i mirë për djemtë dhe vajzat e reja që duan ta nderojnë vendin dhe kombin e vet.
“I trishtë lajmi për vdekjen e njeriut të sakrificës dhe rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, që ne me dashuri dhe respekt e thërrisnim baca Adem. Do ta kujtojmë gjithmonë rezistencën dhe sakrificën tënde për vendin, popullin dhe kombin shqiptar. Baca Adem kishte një jetë plot sfida e sakrifica për kombin shqiptar. Baca Adem dhuroi shumë për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. Baca Adem do të jetë pjesë e historisë së kombit shqiptar. Ngushëllime familjes, bashkëveprimtarëve dhe gjithë kombit!”, thuhet ndër të tjera në ngushëllimin e Limajt.
PSD: Nga Baca Adem më së shumti mësuam se liria nuk vjen pa sakrificë
Partia Socialdemokrate përmes një telegrami, ka ngushëlluar familjarët e Adem Demaçit.
PSD shkruan se përpjekjet e tij për lirinë e Kosovës ishin të vazhdueshme. Ai simbolizon virtytin më të lartë të angazhimit karshi një shtypjeve të egër kolonizuese që shpërfillte të drejtat elementare njerëzore sikur ato kombëtare e sociale të Serbisë e Jugosllavisë në Kosovë.
Telegrami i PSD-së:
Partia Socialdemokrate shpreh pikëllimin e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për vdekjen e Bacës Adem Demaçi. Veçanërisht ngushëllojmë familjarët e të afërmit e Bacës Adem, por edhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, dashamirët e tij, popullin e Kosovës dhe mbarë kombin shqiptar. Sepse baca Adem ishte i të gjithëve, dhe tërë jetën e tij ua kushtoi të gjithëve, universalisht lirisë e barazisë, rezistencës e luftës kundër shtypjes, paqes e solidaritetit.
Përpjekja afatgjatë popullore e shqiptarëve të Kosovës për liri e barazi, për dinjitet e zhvillim, përshkruhet përmes dy lloj angazhimesh: rezistenca e organizuar aktive (herë ilegale e herë gjysëm-legale) dhe lufta e armatosur.
Të dy këto faza të angazhimit lidhen me dy prijëtarë e pishtarë, dy Bacët : Adem Demaçi dhe Adem Jashari!
Baca Adem Demaçi simbolizon virtytin më të lartë të angazhimit politik karshi një shtypjeve të egër kolonizuese që shpërfillte të drejtat elementare njerëzore sikur ato kombëtare e sociale të Serbisë e Jugosllavisë në Kosovë. Në këtë drejtim 28 vitet e burgosjes së Bacës Adem, më shumë se çkado tjetër, shpërfaqnin gënjeshtrën formale të ‘Jugosllavisë së popujve të barabartë’. Baca Adem me qëndrimin e tij tregoi se Jugosllavia dhe Serbia kishin instaluar regjim kolonial në Kosovë që shtypte e përndjekte, dëbonte dhe vriste shqiptarët. Pra ishte regjim që mbijetonte përmes represionit, e jo pushtet demokratik i vullnetit popullor.
Siç e thoshte në poezinë e tij Agim Spahiu :
Ishe djalë me fytyrë të paqtë e me këmishë të bardhë
Ishe djalë,
Dhe pe larg…. ky ishte faj?
Por, në anën tjetër, Baca Adem emanciponte politikisht. Për së brendshmi frymëzonte qindra e mijëra njerëz dhe u tregonte atyre për rëndësinë e qëndresës e angazhimit për liri, për barazi, për zhvillim, për Republikë dhe për bashkim kombëtar. Nga Baca Adem më së shumti, në Kosovë e jashtë saj mësuam e kuptuam se nuk jemi të lirë dhe se liria nuk vjen pa sakrificë. Përmes rezistencës së tij, e përmes tij, kuptuam se sa e rëndësishme është ta kemi shtetin tonë, sa e rëndësishme është të vendosim vetë për fatin tonë kolektiv, sa e rëndësishme është të jetojmë dinjitetshëm, se si sistemi shoqëror politik që përndjek e shtyp nuk mund të jetë i mirë, edhe kur mundëson kamje, dhe se si sistemi shoqëror e politik që nuk mundëson barazi e mirëqenie nuk mund të jetë i duhuri edhe kur nuk përndjek e shtyp objektivisht.Kështu Baca Adem me qëndresën e tij i tregonte botës se çfarë shtypje ekzistonte në Kosovë, por edhe se në çfarë nivele të lirisë e barazisë ishin arritur nëpër botë.
Baca Adem ishte intelektual i angazhuar. Shkrimtar, gazetar, aktivist për të drejtat e njeriut. Veprat e tij letrare, shkrimet e tij publicistike dhe aktiviteti i tij për të drejtat e njeriut shpërfaqin karakterin e tij emancipues shoqëror. Lexonte Nolin, Samiun, Sartrin, Gëten, Dostojevskin…Modern, fliste si populli, për popullin.
Adem Demaçi nuk e kishte prioritet pushtetin edhe pas çlirimit. Luftonte regjimet, jo popujt. Për liri dhe barazi për të gjithë.
Kritik dhe vetëkritik, Baci shquhej për nga modestia dhe dinjiteti.
Ishte demokrat i bindur. Humanist i lindur. Madhështi. Siç ju njoh botërisht me çmimin « Sakharov».
Nuk ka fjalë të bollshme që mund ta përmbledhin tërë veprën e rëndësishme, të pazëvendësueshme, e të papërsëritshme të Adem Demaçit; në shërbim të lirisë, barazisë, solidaritetit, paqes e popullit. Baca Adem e dëshmoi se njerëz të mëdhenjë mund të lindin nga popuj të vegjël, të nëpërkëmbur. Se madhështia nuk vjen nga madhësia e popullit prej nga vjen, por nga vendosmëria, urtësia e përkushtimi.
E nuk ka as fjalë të bollshme për ta përshkruar pikëllimin për humbjen e tij. Përveç kënaqësisë e krenarisë se vepra e tij do të jetojë e jehojë.
I lehtë i qoftë dheu.
E përjetshme qoftë lavdia e tij.
I përhershëm qoftë kujtimi për të.
PDK: Adem Demaçi ishte burim frymëzimi për lirinë
Partia Demokratike e Kosovës, përmes një telegrami ngushëllimi i shpreh ngushëllimet familjes Demaçi, si dhe gjithë popullit të Kosovës, për ndarjen nga jeta të veprimtarit të shquar kombëtar dhe simbolit të rezistencës, Adem Demaçi.
“Me atdhedashurinë e tij të jashtëzakonshme, ai nuk pushoi kurrë së angazhuari për atdheun dhe asnjëherë nuk u dorëzua përballë sfidave. Vepra e Adem Demaçit shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën tonë të armatosur, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës në bazë të themeleve të shëndosha të vlerave të lirisë e demokracisë”, thuhet në telegramin e PDK-së.
“Trashëgimia që la pas ai, ka për të mbetur gjallë dhe do të shndrijë si pishtar për të ndriçuar rrugën e shumë brezave të tjerë. I përjetshëm kujtimi për Adem Demaçin”, thuhet më tej në këtë telegram.
VV: Demaçi vdiq, por ai është i pavdekshëm
Edhe Lëvizja Vetëvendosje, ka ngushëlluar familjarët dhe gjithë qytetarët pas vdekjes së Adem Demaçit.
Telegrami i ngushëllimit:
Ngushëllime popullit shqiptar dhe liridashësve të gjithë botës.
Vdekja e Adem Demaçit pikëllon rëndë gjithë shqiptarët, e në fakt gjithë liridashësit. Në këto momente dëshirojmë t’i gjendemi pranë sidomos familjarëve e të afërmve të familjes Demaçi. Veprimtari i cili kurrë nuk u dorëzua e nuk u thye, as prej dekadave të burgut, sot nuk është më mes nesh. Por më e pranishme se kurrë është flaka e atdhetarisë, ideali që ai ndezi në zemrat tona.
Nuk ka aktivist të Lëvizjes që nuk është edukuar në frymën dhe në shembullin e Adem Demaçit, i cili ka qenë dhe do të jetë përgjithmonë busulla dhe fari, jo vetëm për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, por për çdo subjekt të sotëm apo të ardhshëm që synon emancipimin e popullit tonë.
Adem Demaçi mishëronte si askush tjetër të gjitha virtytet e tiparet e veprimtarit që nuk reshti asnjëherë së preokupuari e angazhuari për popullin e kombin. Fjalët nuk gjenden për ta përshkruar angazhimin e tij që mbetet një simbol i pashlyer, e dhembjen e madhe, por vepra e tij monumentale do të përndritë gjithmonë shqiptarët, e shembulli i tij do të frymëzojë të gjithë ata që kombin dhe atdheun e vënë mbi vetën e gjithcka tjetër.
Adem Demaçi vdiq, por ai është i pavdekshëm. Vigan në panteonin e kombit, me shpirtin e tij të fortë, me parimet e tij të panegociueshme, me vlerat e tij njerëzore e universale, ai e mposhti çdo gjakatar e çdo tiran. Qëndresa e tij do të mbetet frymëzim, vepra e tij do të jetë mësimi ynë.
Je i përjetshëm në zemrat e shqiptarëve, baca Adem!
LDK: Demaçi ishte simbol i rezistencës kundër regjimit të Serbisë në Kosovë
Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një telegrami, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Demaçi dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës për ndarjen nga jeta të veprimtarit të shquar kombëtar, Adem Demaçit.
“Adem Demaçi ishte simbol i rezistencës kundër regjimit të Serbisë në Kosovë, duke mos u nënshtruar asnjëherë para dënimeve drastike dhe dhunës së regjimit serb”, thuhet në telegramin e tyre.
Tutje, thuhet se qytetarët dhe populli i Kosovës do ta përkujtojnë përherë veprën kombëtare të Adem Demaçit dhe veprimtarinë e tij në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Veseli: Demaçi do të rrojë sa të ekzistojë ky popull
Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kujtuar takimin e tij të fundit me Adem Demaçin, simbolin e rezistencës kombëtare që vdiq sot, pas një sëmundje të rëndë.
“Me 17 shkurt të këtij viti, isha për vizite të Baca Adem për t’ia uruar përvjetorin e 10-të pavarësisë. Ndonëse i sëmurë, në asnjë moment nuk tregoi shenja dobësimi. I fortë dhe plot vullnet si gjithmonë. E patëm lënë të takoheshim sërish, por kësaj here në Kuvendin e Kosovës. Fati nuk e deshi që ai të vinte. Por, Adem Demaçi do të rrojë me ne, derisa të ekzistojë edhe ky popull, për lirinë e të cilit ai barti mbi supe vuajtjet dhe përpjekjet më të mëdha”, ka thënë Veseli.
Veseli ka thënë se jo vetëm Kosova, por mbarë kombi shqiptar është i tronditur sot nga humbja e një ndër bijve më të shquar.
“Me kurajën, sakrificën dhe atdhedashurinë e tij të jashtëzakonshme, ai u bë simbol i rezistencës dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri e barazi në trojet e veta. Vepra e tij shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën tonë të armatosur, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës, në bazë të themeleve të shëndosha, të vlerave të lirisë e demokracisë. Lamtumirë Adem Demaçi, heroi i Kosovës, frymëzimi dhe krenaria jonë. Ngushëllime, Kosovë”, ka shkruar Veseli.