17 Nëntor, 2022 - 4:30 pm
Sot duke filluar nga ora 18:00 në stendën e Albas në Panairin e Librit, Tirana 2022, i pranishëm do të jetë Ag Apollonin për të folur rreth librit të tij “Kësulkuqja (përrallë për të rritur)”, përcjell KultPlus.
Ky roman flet për një Kësulëkuqe koketuese dhe një Ujk të sëmurë. Është një histori e dashurisë dhe një shëtitje nëpër pyllin magjik të tregimtarisë, ku personazhet futen shtigjeve të mitologjisë, përrallës, religjionit dhe animacionit. Ulërimat dhe psherëtimat, lehjet dhe blegërimat vijnë si një përballje alegorike që zgjon jehun e egërsisë brenda nesh.
Ky është një rrëfim që përdor cartoon logic brenda arti kombinatorik, ku ndërfuten elemente teatrore, filmike dhe muzikore; është një prozë që ka poezinë dhe dramën brenda. I vendosur në një vend të vogël të kontinentit që e ka marrë emrin nga një femër e përdhunuar, ai flet edhe për përdhunimet gjatë luftës në Kosovë, dhe për pasojat e tyre në paqe.
Kujtojmë se romani “Kësulkuqja (përrallë për të rritur)” u promovua në Prishtinë më 3 nëntor, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com