3 Janar, 2023 - 7:30 pm
1. Ivan Goncharov – Oblomov
Me termin “Oblomovizëm” zakonisht përkufizohet një lloj patologjie dembelzimi që e merr emrin nga Oblomovi, personazhi kryesor i romanit të Ivan Goncharov, të cilit jeta i duket aq e pakuptimtë sa çdo mëngjes e ka të pamundur të ngrihet nga shtrati. Pasi e lexon këtë kryevepër të letërsisë ruse fillon të mendosh se të sëmurë mbase janë ata që nuk arrijnë ta kuptojnë filozofinë e Oblomovit.
2. Stefan Zweig – Bota e djeshme
Shtetet përfundojnë në luftë, miliona të pafajshëm humbin jetën edhe kur duket sikur të gjithë po përpiqen ta mënjanojnë kasaphanën botërore. Një lexim i domosdoshëm që tashmë nuk tingëllon edhe aq si përshkrim i “botës së djeshme” se sa si paralajmërim tmerrues i asaj që mund të na presë.
3. Mark Mazower – Selaniku, qytet fantazmash
Historia e trishtë e Selanikut nga e kaluara e lavdishme si një nga qendrat kryesore të perandorisë osmane ku kryqëzoheshin kultura nga më të ndryshmet tek shkatërrimi i tyre si pasojë e lindjes së nacionalizmit në Ballkan.
4. Ismail Qemali – Kujtime
Një libër kujtimesh ku Ismail Qemali përshkruan veprimtarinë e tij si diplomat në shërbim të perandorisë osmane. Një lexim i detyrueshëm për të shkundur stereotipin nacionalist me të cilin është studiuar deri më sot një nga figurat kryesore të themelimit të shtetit shqiptar.
5. Alexander Lernet-Holenia – Baron Bagge
Një nga librat më të dashur të Stefan Zweig, Baron Bagge është rrëfim i dhimbshëm i absurditetit të luftës, kufirit midis jetës dhe vdekjes dhe dashurisë si përpjekje për të mbijetuar.
6. Claire Keegan – Vogëlsi të tilla
Në vetëm rreth 100 faqe që përshkruajnë Krishtlindjet e Furlongut, Keegan trajton me mjeshtëri temën e abuzimin të vajzave dhe grave prej kishës katolike në Irlandën e vitit 1985.
7. Machiavelli – Komeditë (Mandragola, Gruaja prej Androsit, Clizia) Machiavelli njihet më shumë si autori i Princit por sekreti i shprehjes së tij të famshme se “fati (fortuna) është femër” është i fshehur në këto komedi që janë sa të thella aq edhe zbavitëse.
8. Javier Cercas – Monarku i hijeve
Historia nuk është asnjëherë bardhë e zi dhe një nga meritat e rralla të këtij romani autobiografik të Cercasit, në gjurmët e vdekjes së xhaxhait të tij si ushtar falangist gjatë luftës civile në Spanjë, është gjykimi i pjekur rreth dilemave morale të individëve përballë një sistemi totalitar.
9. Javier Zamora – Solito
Rrëfimi tepër prekës i peripecive të një djali të vogël që udhëton i vetëm nga El Salvadori për t’u bashkuar me prindërit emigrantë në SHBA. Realiteti i dhimbshëm i kapërcimit të kufijve, përtej retorikës ksenofobe kundër emigrantëve të paligjshëm.
10. Annie Ernaux – Pasion i thjeshtë
Çfarë e dallon dashurinë e vërtetë nga pasioni i thjeshtë? Kjo mund të thuhet vetëm në fund të jetës. Por ndërkohë edhe ky libër i Ernaux ia vlen të lexohet për të patur disa parametra./politiko.al/ KultPlus.com