9 Mars, 2018 - 9:58 pm
Kim Mehmeti një emër i njohur i letrave shqipe do të jetë kryetari i jurisë i edicionit të katërt të Çmimit Kadare, i cili çdo vit i jepet një autori nga hapësirat shqiptare për dorëshkrimin më të mirë në prozë me një çmim prej 10 mijë eurosh, ndarë nga Instituti Europian Pashko.
Lajmi është bërë publik gjatë prezantimit të romanit më të ri të Mehmetit “Pusi” nga botimet Mapo Edition. Anëtarët e tjerë të jurisë janë Genciana Abazi, Ledia Dushi, Agim Baçi dhe Eni Vasili. Afatet i dorëzimit të dorëshkrimeve është deri në 10 maj, ndërsa fituesi shpallet gjatë ditëve letrare të Razmës në fund të majit. Vjet me këtë çmim u nderua shkrimtari nga Kosova Musa Ramadani.
Romani më i ri i Mehmetit hedhur në treg tregon historinë e një shkrimtari që kërkon të hulumtojë mbi të shkuarën e tij. Ai ftohet të mbajë një kumtesë në një konferencë të rëndësishme mbi jetën e tij. Ai nuk ka folur asnjëherë për veten, ka bërë dhjetëra romane, ndërsa nuk e ka kthyer asnjëherë vështrimin nga vetja. I njohur si një nga zërat më përfaqësues të letërsisë dhe publicistikës shqiptare në Maqedoni, Mehmeti vjen për lexuesin me një libër të ri vetëm dy vjet pas botimit të romanit “Shpërngulja e të vdekurve”.
/gazeta shqip