Kim Mehmeti nderohet me Çmimin Ndërkombëtar Letrar “Azem Shkreli”

15 Qershor, 2021 - 1:05 pm

Janë mbajtur Takimeve Ndërkombëtare Letrare “Azem Shkreli” ku marrin pjesë poet, shkrimtarë, historian, studiues e artistë të shumtë, shkruan KultPlus.

Datat 13 dhe 14 qershor ishin rezervuar për të shpalosur këtë edicion i cili si gjithherë u mbajt në qytetin e Pejës.

Në këtë festival ndahen edhe çmimet për kontribut në letrat shqipe.

Në këtë edicion, i 19-ti me radhë, Kim Mehmeti u nderua me çmimin ndërkombëtar letrar “Azem Shkreli” për kontributin në letrat shqipe.

Në arsyetimin e Këshillit organizativ të Takimeve Letrare Ndërkombëtare Azem Shkreli, në përbërje të Aver Husaj-përgjegjës i departamentit kulturës, Ilire Zajmi-Rugova, Entela Kasi, Vjollca Dibra dhe drejtoreshës së bibliotekës së qytetit të Pejës Shengyl Kelmendi, thuhet se “Ky çmim i jepet Kim Mehmetit, pasi ai është rrëfimtar i lindur, i cili nuk u nënshtrohet shablloneve, por i dorëzohet qëndismës së lëndës së vet rrëfyese. Proza e tij është  vlerësuar e  veçantë dhe tërheqëse. Fati, si peshore e jetës, është ai që përcakton krijimtarinë e këtij autori”.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimit, drejtoresha e kulturës në komunën e Pejës , Xhenet Syka, tha se Peja vazhdon të nderojë figurën e bardit të poezisë Azem Shkreli, përmes organizimit të takimeve letrare ndërkombëtare duke sjellur emra e vlera të cilët krijojnë ura përmes letërsisë e fjalës së bukur poetike.   

Çmimi për poezinë më të mirë të lexuar gjatë takimeve, iu nda  Abdullah Zenelit për poezinë “Azemin nuk e pashë më ”.  

Çmimi “Lirika e Azem Shkrelit “ iu nda poetit turk Mesut Shenoll.

Poetja Vlora Konushevci, mori çmimin “Kalorësi i poezisë” ndërsa çmimi “Pajtimi “  iu nda poetes boshnjake Mirsada Bibic Shabotic .

Me Çmimin për kontribut kombëtar u nderua ambasadori i parë i Kosovës  në SHBA, Avni Spahiu, dhe Pen Qendra e Shqipërisë.

Gjatë këtyre dy ditëve Peja u shndërrua në epiqendër të ngjarjeve kulturore, me promovime librash, lexime poetike e promovime vlerash.

Fituesi i çmimit europian  Enkel Demi, promovoi romanin “Flama”, i cili tashmë është përkthyer në disa gjuhë të huaja. Në këtë vazhdë ishte edhe promovimi i romanit  “Shënimet e  Gjon Nikollë Kazazit” i Jusuf Buxhovit, i cili u prit me interesim nga të pranishmit. 

Libri “Misioni i parë “ i ambasadorit të parë të Kosovës në Uashington, Avni Spahiu u prit me vëmendje nga libërdashësit. Ashtu si dhe promovimi i librit  “Peja” të profesorit Gazmend Rizaj.  

Gjatë dy ditëve të takimeve, u promovuan  edhe dy përmbledhje me poezi, të autorëve Nikolin Gurakuqi e Bukurie Buçpapaj. 

Poet pjesëmarrës nga Kosova, Maqedonia e veriut, Shqipëria morën pjesë në këto takime. Përveç poetit turk Mesut Shenol, poetetet e huaj nuk arritën të vijnë për shkak të pandemisë, por dërguan poezitë e tyre përmes videove. Sheng Xue, Osman Ozturk, Chathrine Graham, Chen Hsiu –chen, Kurt Gostentschnig, Polly Munkova , Marina Pratici dhe Eva Petropoulou ishin ftuar të jenë pjesë e këtyre takimeve.  / KultPlus.com

Të ngjajshme