22 Janar, 2018 - 2:40 pm
1. Kryqtari i fundit nga Virgjil Kule: E botuar me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë ky është libri monografik më brilant deri tani për Gjergj Kastriot Skënderbeun, i cili tregon muaj pas muaji, vit pas viti çfarë ka bërë Skënderbeu.
2. Skënderbeu, një histori politike nga Aurel Plasari: Historiani që studion burimet dokumentare lidhur me karrierën e tij gjen dëshmi të pareshtura të qartësisë së vizionit të Skënderbeut. Veçohen dokumentet nga arkivat e Milanos.
3. Historia e Skënderbeut nga Marin Barleti: Edhe pse praktikisht biografi i parë i Skënderbeut është Martin Segoni, është Marin Barleti, prifti shkodran, që botoi në latinisht për herë të parë në Romë rreth viteve 1508 – 1510, një biografi “zyrtare për Skënderbeun. Edhe pse ky Barleti përdori si referencë Martin Segonin.
4. Skënderbeu nga Sabri Godo: Roman historik, ndryshe nga të tjerët, i shkruar nga i mirënjohuri Sabri Godo, që tregon historinë e heroit tonë kombëtar. Romani përshkruan trimëritë e luftës 25-vjeçare kundër turqve, por edhe ndjenjat e tij, çfarë mendon ai, mënyrën e komunikimit me të afërmit, ushtarët, trimat shqiptarë, dashurinë për Shqipërinë. Një roman që këtë figurë kaq të lartë kombëtare e afron më shumë me ne, e bën më njerëzore dhe më të afërt.
5. Skënderbeu –histori shqiptare e shekullit XV nga Antonio Zonkada: Romani, i botuar në Milano 1874, frymëzoi popullin italian në luftën për lirinë dhe bashkimin e Italisë, e cila ndodhej ende nën sundimin e huaj.
6. Historia e Skënderbeut nga Fan Noli: Është libri i parë historik i Skënderbeut në shqip i shkruar nga Fan Noli. Noli bëri një punë torturuese duke rrëmuar gjithë arkivat e mundshëm në kërkim të të dhënave për Skënderbeun. Historia e Skënderbeut ishte tema e diplomës së Nolit në Universiteti e Bostonit.
7. Skënderbeu: Një histori e Gjergj Kastriotit dhe e Rezistencës Shqiptare ndaj ekspansionit Islamik në Europën e shekullit XV nga A. K. Brackob: Një libër biografik i dalë së fundmi për Skënderbeun, i cili argumenton se sukseset e Skënderbeut shpëtuan Italinë duke vonuar operacionet ushtarake të Mehmetit II. Autori e botoi me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti, i cili sipas tij, shpëtoi qytetrimin perëndimor.
8. Skanderbeg: Nga i burgosur i osmanëve në heroin shqiptar nga Harry Hodgkinson: Biografia e parë për heroin kombëtar të Shqipërisë e botuar në Angli pas më shumë se 400 vjetësh.
9. Skënderbeu nga Oliver Jens Schmitt: Në vazhdën e jetëshkrimeve dhe monografive të shumta kushtuar Gjergj Kastriotit, “Skënderbeu” i Schmittit është portreti më i plotë, i ndërtuar me mjetet e historiografisë moderne, me një depërtim të pazakontë në shoqërinë, në protagonistin dhe personazhet kryesore rreth Aleksandërit të ri.
10. Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Shqipëria në shekullin XV nga Jovan Radoniç: Një punim volumiz i këtij autori serb për Skënderbeun, i cili ka dokumentuar historinë e Skënderbeut duke mbledhur dokumente nga të gjitha arkivat, si: Napoli, Milano Raguza të Spanjës etj./ KultPlus.com