Klithmat e padëgjuara të një vetmie

6 Maj, 2020 - 5:00 pm

Recension nga Anda Gjikolli

Me veprën “Legjenda e vetmisë”, Ridvan Dibra arrin që të paraqesë vetminë e thellë të përjetuar nga protagonisti i veprës. Neglizhenca e të tjerëve, talljet e bulizmi, braktisja janë ato që e ndryshojnë rrjedhën e jetës së një individi. Në momentin që ai përballet me këto, jeta e tij merr kahje tjetër. Kështu i ndodhi edhe protagonistit tonë të veprës, Balës. Në momentin që i vdes babai, atij i ndryshon jeta.

“Nana djalin ka qorrue,

Me gjaks t’burrit m‘u martue”

Që në fillim të veprës e kemi të vendosur këtë paratekst. Këta dy distikëna duket se na paralajmërojnë me atë se çfarë do të përmbajë vepra. Dibra e cek që këto distikë janë nga një legjendë e moçme, d.m.th tekst burimor i veprës mbetet kjo legjendë. Vepra ashtu edhe siç e ka thënë edhe autori, ka narracion të thjeshtë e të kuptueshëm për lexuesin, përmban fraza të thjeshta dhe aspak të komplikuara e na duket se autori e ndjek një teknikë interesante me strukturën e kapitujve. Gjithsej janë 30 kapituj të shkurtër, asnjëri prej tyre i emëruar, thjesht të veçuar nga tjetri me numra. Kapitujt kanë një strukturë të veçantë sepse të gjitha fillojnë me emrin e protagonistit, Balës: Bala rri vetëm gjithmonë, Bala është rrekur ta thyejë vetminë, Bala tash është prapë vetëm etj. Gjithmonë janë tri fjali me të cilat autori e fillon rrëfimin dhe janë prapë po tri fjali me të cilat e përfundon, fjali këto që qëndrojnë të ndara nga teksti. Vepra është e strukturuar në një harmoni të tillë që e bën atë estetike për syrin e lexuesit.

Rrëfimin e fillon me Balën që është 18 vjeçar. Me anë të analepsës, ai kthehet pas në kohë, ku rrëfen për jetën e tij si fëmijë, kujtimet e tij edhe pse këto kujtime nuk i jep përnjëherë, por jepen kohë pas kohe, gradualisht duke e plotësuar historinë. Autori inkuadron shumë pak personazhe: Bala, nëna, dhe fqinji (me raste edhe Marta-shoqja e Balës). Të tjerët janë vetëm personazhe figurante, të cilat i ndihmojnë rrjedhës së zhvillimit të ngjarjes; shokët, mësuesja. Përveç Balës dhe Martës (në një rast edhe Norës, nënës së tij), Dibra nuk i emëron fare personazhet. Duke mos iu referuar fqinjit me emrin e tij, na duket si një lloj refuzimi i Balës ndaj tij.

Ngjarja nuk tregohet se ku po zhvillohet e as kur po zhvillohet. Nuk tregohet as koha e as hapësira. Të vetmet vende të emëruara janë: Livadhi Sy-Blu, Përroi i Bardhë, Guri i Zi, Maja e Egobokës dhe Pylli i Bjeshkës.

Figurë kryesore në jetën e Balës kishte qenë babai i tij, por pas humbjes së tij, Bala gradualisht i humb të gjitha. Autori e paraqet këtë lidhje të fortë të babait me të birin për ta bërë me dramatike e më të papranueshme më pastaj humbjen për Balën e vogël, duke kontribuar kështu në rritjen e dramacitetit. Ai nuk gjen mbështetje as te shoqëria e as te nëna. Bala tjetërsohet nga të gjthë e kështu hyn thellë në botën e tij e izolohet si pasojë e kësaj neglizhence. Më të rëndë këtë izolim e bën fqinji i cili dikur ishte mik i babait, por që pas vdekjes së babait në një mënyrë të dyshimtë po i afrohej nënës së tij. Thua se po ecte mbi një tokë të minuar. A të mbushur përplot me kurthe[1]  Ja si e ndjente ai veten midis njerëzve, sepse aq shumë kishte kaluar kohë me veten dhe monologët e tij sa kishte harruar të komunikonte.

Na paraqitet një Balë që nuk e gjen veten askund e nuk afrohet me askënd. Në disa raste autori me anë të figurës së kontrastit mundohet të paraqesë kontradiktën mes gjendjes së Balës dhe ambientit, mes asaj çka ai ndjen dhe asaj çka ia imponojnë rrethanat.

Bala rri vetëm gjithmonë. Edhe pse nuk e pëlqen vetminë.[2] Gjithkund qetësi nëpër klasë. As miza nuk dëgjohet. Por jo në zemrën e Balës. Aty kanë filluar të gjallojnë përbindëshat.[3]

Pasi e humbi interesimin për njerëzit dhe nuk ndjehej mirë në prani të tyre, ai e rigjen veten në zonën e tij të re të komfortit, në pyll. Gjithçka ndodh në pyll. Edhe Bala nis të ndihet më mirë se në shtëpinë e vet.[4] Ai mbetet i vetmi vend ku ai qetësohet dhe e rimerr jetën e tij në dorë, vendi ku i bën planet e para për hakmarrje ndaj fqinjit për vdekjen e babait, vrasje kjo detajisht e planifikuar nga ana e tij por që nuk arrin të realizohet.

Vepra nuk është një legjendë, edhe pse këtë e paralajmëron titulli. Si tekst burimor ka legjendën, por në të nuk gjejmë asnjë tjetër element folklorik. Autori e merr këtë legjendë dhe e rifunksionalizon në veprën e tij. Inkuadron elemente tjera e i jep një përfundim tjetër duke ia përshtatur edhe kohës në të cilën e ka shkruar.

Të njëjtën ngjarje përmban edhe kënga e Zuko Bajraktarit, këngë që është pjesë e ciklit të famshëm, Këngët e Kreshnikëve, ndonëse distikët e vendosur si paratekst nuk i gjejmë në këtë këngë. Përveç me legjendën a me këngën e Zuko Bajraktarit, disa lidhje mund t’i gjejmë edhe me veprat “Orestia” e Eskilit dhe “Hamleti” e Shekspirit. Te të gjitha, djali synon hakmarrjen për vrasjen e të atit. Bala nuk e ka intencë vrasjen e nënës por të fqinjit. Sipas studiuesit Ag Apolloni:  Derisa Oresti e merr hakun pa u shtirur dhe pa luajtur nga fiqiri, kurse Hamleti vë maskën e të çmendurit për ta realizuar qëllimin, Bala marrëzinë e ka fytyrë, jo maskë.[5]

Ndërtimi i tekstit mbi një tekst tjetër (ndërtimi mbi tekstin burimor legjendën a këngën kreshnike), rifunksionalizimi i legjendës, struktura e veçantë, lakonizmi në shprehje janë disa nga elementet postmoderniste që vepra i posedon. Megjithatë ajo nuk mund të cilësohet si prozë e pastër postmoderniste.

“Legjenda e vetmisë” mbetet një roman psikologjik, një prozë e thellë mbi gjendjen e atij që largohet nga shoqëria, që nuk pranohet e që e ndjen veten të huaj mes njerëzve, një prozë mbi individin që thehet e asnjëherë më nuk arrin të ngjitet.

Punimi është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe, në studimet master në Degën e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë. /KultPlus.com

Literatura:

  • DIBRA, Ridvan, Legjenda e vetmisë, KOHA, Prishtinë, 2013
  • Apolloni, Ag. “Legjenda Në Laboratorin e Autorit.” KultPlus, 11 Apr. 2020, www.kultplus.com/libri/legjenda-ne-laboratorin-e-autorit/.

[1] Dibra, Ridvan, Legjenda e vetmisë, KOHA, Prishtinë, 2013 , fq.15.

[2] Po aty, fq.11.

[3] Po aty, fq.26.

[4] Po aty, fq.36.

[5] https://www.kultplus.com/libri/legjenda-ne-laboratorin-e-autorit/

Të ngjajshme