13 Nëntor, 2017 - 3:35 pm
Klubi letrar “Metafora”, i cili vepron në kuadër të Shoqatës për kulturë “Tradita”, në bashkëpunim me Komunën e Tetovës, përmes edicionit të pestë “Tetova Feston Nëntorin”, dje më 12 nëntor, në Klubin e artistëve ”Oda”, në Tetovë, e organizuan Akademinë përkujtimore kushtuar gjeniut të letërsisë shqiptare, Lasgush Poradecit. Në këtë ngjarje, në 30 – vjetorin e ndarjes nga jeta të poetit tonë kombëtar, morën pjesë intelektualë, profesorë universitetesh, studiues, studentë, veprimtarë të arsimit, të shkencës dhe të kulturës, nga qyteti i Tetovës dhe më gjerë.
Në fjalën e tij para pjesëmarrësve në këtë akademi, kryetari i Shoqatës për Kulturë “Tradita”, Selam Sulejmani, theksoi se ne shqiptarët kemi personalitete të shquara, figura historike e letrare që kanë bërë historinë tonë dhe për këtë, më së miri flasin veprat e tyre me vlera të përjetshme, për çka ne u jemi mirënjohës dhe ndjehemi krenarë.
“Nëntorin historik, apo muajin e Kongresit të Alfabetit, të Flamurit tonë kombëtar dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, poetët dhe atdhetarët tanë e kanë evokuar me admirim të thellë. Në poezinë e frymëzuar nga këto ngjarje historike, gërshetohet ndjenja e qëndresës, e krenarisë dhe e heroizmit kombëtar. Siç vërehet kjo edhe në vjershën “Flamuri” të Mihail Gramenos, në vjershën e Filip Shirokës “Në ditën e lirisë” dhe në vjershat tjera, si: “Bjenë telat”, “Ç’u mbush mali”, të rilindësit të fundit të letërsisë shqiptare, Lasgush Poradeci. Atmosferës madhështore festive, jehonës së papërshkruar e gëzimit të kombit, Lasgush Poradeci i jep shpirt artistik me përmasa impresive, duke i kënduar asaj në frymën e rapsodive popullore burimore, duke strukturuar edhe elemente figurative dhe vizione të reja poetike. Sa herë që e përkujtojmë Lasgushin, sigurisht që na kujtohet ligjërimi i tij poetik për liri, për mbrojtjen e kombit, dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimin për një përparim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare. Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për ndjeshmërinë dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë”, tha Selam Sulejmani. Ai, po ashtu shtoi se njohës të letërsisë shqiptare, teoricienë dhe studiues të mirëfilltë, veprën e tij e kanë vlerësuar si më të bukurën në letërsinë shqipe dhe atë evropiane të viteve ’30-ta.
“Që në vitin 1929, Eqrem Çabej në një artikull të tij, pasi e krahasonte me poetë të shquar të kohës, si Rilke dhe të tjerë, shkruante se poezitë e tij të gjera e plotë gremina ishin si tragjedi të vogla, me stil të rëndë e ziplotë dhe dalloheshin nga ato të Naim Frashërit, siç ndryshonte muzika e Bethovenit nga ajo e Moxartit. Çabej e shpallte poet të madh shqiptar e evropian, të cilin një fat të mirë duket sikur ia ka falur Zoti-Shqipërisë, që të bëhet ai shkrimtari, të cilin Shqipëria do t’ia falë njëherë botës. Lasgush Poradeci la pas një krijimtari të pasur, e cila u bë objekt studimi e studiuesve të shquar të kulturës sonë si Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Mitrush Kuteli, Sabri Hamiti, Ismail Kadare, Rexhep Ismajli, etj.”, deklaroi kryetari i Shoqatës për kulturë “Tradita”-Tetovë.
Akademinë përkujtimore e përshëndeti edhe profesor Jeton Pustina, drejtor artistik i edicionit V “Tetova feston Nëntorin” 2017. Ai e vlerësoi lartë punën, angazhimin dhe veprimtarinë e përgjithshme që e zhvillon Shoqata për kulturë “Tradita” dhe Klubi letrar “Metafora”. “Ne e përgëzojmë Shoqatën për kulturë “Tradita” për seriozitetin e saj në organizimin e aktiviteteve, ngjarjeve dhe veprimtarive arsimore, shkencore dhe kulturore. Me realizimin e gjithë këtyre aktiviteteve dhe projekteve serioze, të konferencave shkencore, përkujtimin e veteranëve të arsimit, të figurave letrare, jubileve me karakter historik, kjo shoqatë është shndërruar në brendin kulturor në Tetovë.
Me angazhimin tonë të përbashkët, kemi arritur që në qytetin tonë të sjellim figura artistike me renome ndërkombëtare, si: violinistin Shkëlzen Doli, sopranon Inva Mula, ansamble dhe orkestra të njohura dhe në këtë mënyrë qyteti ynë për nga imazhi kulturor radhitet pas Tiranës dhe Prishtinës”, deklaroi mes tjerash Jeton Pustina.
Referatin tematik për jetën dhe veprën e Lasgush Poradecit, e paraqiti Mr. Sc. Vjollcë Berisha, ligjëruese në Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës.
“Qyteti i vogël, liqeni dhe poeti kishin një emër. Atë emër që ky i fundit qe ngutur për ta veshur me t’u kthyer nga studimet në Austri, si për ta mbyllur rrethin, si për ta vënë vulën në secilin cep të vendit të lindjes, shumë-shumë më përpara se të emëroheshin rrugë e të ngriheshin shtatore, siç ndodh gjithmonë me qytetet e poetëve kombëtarë të një vendi. Atë emër me të cilin do të identifikohej e tërë poezia moderne shqipe, atë emër të cilin më tepër se gjysmëshekulli mëtonin ta shurdhonin, duke e lënë në harresë. Lasgush Poradeci, Llazar Gusho, Gjeniu i anijes, Shtërgu i fundit, Nositi, klasiku i poezisë, latuesi deri në përsosmëri i fjalës… erdhi në letrat shqipe si zë mahnitës, si vazhdimësi e natyrshme e një kulture letrare që e mëkoi, erdhi duke iu jashtëshkruar letërsisë sonë të traditës, poezisë së bukur të De Radës e Naimit dhe tërë magmës së letërsisë sonë gojore, ku vetë e ngjyen pak bukën akëcili poet kombëtar. Erdhi përkrah Nolit, Mjedës, Asdrenit, Fishtës, Migjenit, erdhi plot me letërsi thithur nga autorë të njohur evropianë, shumë prej të cilëve më pastaj i solli edhe në shqip, si Brehtin, Emineskun, Hajnen, Majkovskin, Jeseninin etj. Vëllimet e tij me poezi “Vallja e yjeve”-1933 dhe “Ylli i zemrës”-1937 (kjo e fundit botuar një vit pas “Vargjeve të lira” të Miigjenit dhe në të njëjtin vit me “Lahutën” e Fishtës dhe “Psalmet e murgut” të Asdrenit), qenë ngjarje për letërsinë e vogël shqipe, qenë veprat që bënë kthesë në poezinë tonë, me të cilat Lusgushi, poeti modern shqiptar, përfaqëson një paradigmë të përsosmërisë teknike-formale dhe të parimit të estetizimit gjuhësor në poezi”, u shpreh Vjollcë Berisha.
Ajo solli në vëmendjen e të pranishmëve vlerësimet e Kadaresë për Lasgushin: “Të shkoje tek ai, ishte më shumë se të dilje jashtë shtet, kur flet për Lasgushin, të dukej se dilje jashtë kohës, jashtë sistemit të zakonshëm të të menduarit. Edhe një hap dhe kishe ndjesinë se do të kapërceje kufijtë e jetës për të shkelur në shkretëtirën danteske. Prej vitesh, qysh pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ai kishte qenë përherë i tillë: I gjallë dhe i vdekur njëkohësisht… Ishte një gjendje e dyzuar që i shkonte tij dhe shumë njerëz qenë mësuar me të si me dikë që e kundrojnë përherë nën syprinën e ujit”.
“Por edhe Lasgushi nga ana e tij sikur kishte mbyllur të gjitha shtigjet me botën e jashtme. Ndoshta kjo është arsyeja që e besojmë se e ka pasur me gjithë mend kur e ka pyetur Kadarenë: ,,Në ç’regjim jetojmë?” dhe kur ky i fundit është befasuar nga kjo pyetje dhe ka shfaqur shenja mosbesimi për këtë harrim, Lasgushi është përgjigjur: “E kisha harruar vërtet, poetit i lejohet çdo gjë”. Ishte e vërtetë që për atë poeti nuk qe vetëm ushqyesi i gjuhës, krijuesi i botëve të vogla, universeve të panumërta, por edhe i gjithëdijshmi i kohëve, përgjegjësi i të gjitha gjërave që ndodhin në kohën e tij, prandaj tek po fliste për dënimin e Vinçenc Prenushit, bie fjala, përdorte foljen në vetën e parë, thoshte: “Kur e dënuam me 80 vjet burg Vincenc Prenushin, ai ishte 76 vjeç”. Thoshte kështu pasi besonte që poeti ishte përgjegjës për çdo gjë. Me gjithë këtë barrë të madhe që ia ngarkonte poetit, Lasgushi mëtonte të ishte poet dhe vetëm poet, qind për qind poet, pra poet absolut, si të gjithë poetët pas-romantikë. Në parimet e tij estetike arti s’ishte për konsum të gjerë, artin ia atribuonte një pakice, një elite të zgjedhur njerëzish”, vuri në dukje profesoresha Vjollcë Berisha.
Sipas saj, edhe poezia e tij, siç ka ndodhur me një mori poetësh gjenialë në botë, për nga sasia është modeste, por e llojllojshme për nga përmbajtja, mbresëlënëse për nga fuqia e shprehjes, leksiku poetik dhe muzikaliteti që ka. “Megjithëse distanca kohore që na ndan nga vepra lasgushiane është e mjaftueshme për ta radhitur atë në vlerat kanonike letrare shqiptare, prapëseprapë ka hapësirë të rileximeve nga aspekti formalist, strukturalist i tekstit të Lasgushit, për të cilin fjala qe polisemike dhe mund të aktualizojë në kontekste të ndryshme valenca të ndryshme të polisemisë. Është i bukur dhe kërshërindjellës fakti se në kohën e harrimit, në kohën kur Lasgushi shëtitej si fantazmë nëpër Pogradec, në brigjet e “liqenit zemërak”, me kapotën e zezë, me borsalinën e zezë mbi krye, i shoqëruar nga miku i tij i dashur Cuci, për të cilin thoshte që e ka emrin më të bukur ndër emrat qenorë, diçka krejt çuditshëm e kishte trazuar heshtjen që e mbështillte atë, një histori dashurie në moshën tetëdhjetëvjeçare, një dashuri e fundme, ardhur si me shenja proteste ndaj harrimit të tij të gjatë. Është kjo historia që la një ditar të vogël pas vetes, nja 50 faqe prozë të shkruara nga dora e Lasgushit dhe të titulluar ,,Vizitat e zonjushës Ana G në kullën time”.
Në tregimin e shkruar në dy variante dhe të botuar më pastaj si libër i mëvetësishëm, në vitin 1999, me titull “Ikja e Shtërgut”, Ismail Kadare flet për perceptimin e kësaj historie nga njerëzit dhe nga ai vetë. E quan protestë të poetit, madje edhe të vetmen gjë të bukur që kishte ndodhur viteve të fundit në Shqipërinë komuniste. “Një lidhje dashurie në moshën tetëdhjetëvjeçare, në qytetin e vogël provincial, ku godina e komitetit të partisë ngjante më e madhe se kudo… Kjo ishte njëlloj si të dëgjoje kambana katedralesh të zhdukura të shekullit të trembëdhjetë.” S’do mend që në atë qytet të vogël me emër të trefishtë do të ndodhte mrekullia. Në atë qytet ku te të gjitha sheshet e rrugët komuniste: rruga “1 Maji”, shëtitorja “Enver Hoxha”, sheshi “Fitorja e socializmit”, dëgjoheshin pa bujë hapat e një kolosi letrar, që herë-herë harronte se në ç’regjim po jetonte, njeriut që qe mësuar me vdekjen e vet shumë më përpara se vdekja e njëmendtë t’i trokiste në derë. U varros, sipas dëshirës, atje në Pogradec. Ishte 12 nëntor 1987, si sot. I munguari i madh po vuloste përjetë praninë. Ai që kishte kërcënuar si Dielli Zeusin tek Iliada se do të zbriste në ferr të shndriste për të vdekurit, pasi nuk e meritonin të gjallët praninë e tij, sot po shkëlqen me gjithë fuqinë e tij në zenitin e poezisë sonë të bukur shqipe”, deklaroi në referatin e saj për gjeniun e letrave shqipe, Mr. Sc. Vjollcë Berisha.
Akademia përkujtimore u moderua nga Rina Fazliu dhe e njëjta u përmbyll me orën letrare, me leximin e poezive të Lasgush Poradecit, vargjeve të poetëve tanë dhe me një program të pasur kulturor – artistik. Poetët dhe shkrimtarët e njohur nga Tetova dhe më gjerë, studentët e letërsisë dhe të Programit studimor të Artit muzikor të UT-së, si: Salajdin Salihu, Vjollcë Berisha, Shaip Emërllahu, Ejup Ajdini, Nadire Ismaili – Saliu, Kaltrinë Sadiki, Kasam Shaqirvela, Berat Mamuti, Zelma Kopçiu, Ekrem Ajruli, Daim Iljazi, Erza Shefiti, Teuta Emini, Trim Antoni, Vullnet Neziri dhe Arbër Tahiri, para publikut tetovar, me shumë emocion i sollën tingujt e muzikës shqiptare dhe interpretuan vargjet e Lasgushit, i cili si askush tjetër vargjeve të tij u ka dhënë forcë, shpirt lirie dhe atdhedashurie./ KultPlus.com