18 Janar, 2020 - 8:28 pm
Nga Përparim Blakaj
Kohën ia fala bukurisë sate, shtatit tënd të njomë e fytyrës plot urrejtje ndaj mplakjes. Ia fala me të dyja duart nga mëshira e fatit, me këmbë e me kokë; ia fala me respekt, me dashuri të vulosur, me gjuhë, me gjak të përzier me lot.
Hej moj, unë ta fala me shpirt shpirtin tim!
A i mjafton Hënës drita e diellit?
Them se po, por ty asgjë s’të mjafton. S’i mjafton dot shpirtit një shpirt i pashpirt.
Bie shi. Hëna nuk fshihet dot nga e qara e qiellit. Në dritaren time rrëshqasin pikat e tij, por në to s’gjen ngushëllim ai që e do diellin.
Duhet ta presësh mëngjesin që të lindë e bashkë me të të lindin ëndrrat e reja. Duhet ta presësh mbrë-mjen që të përfundojnë vuajtjet.
Në shiun e pranverës gjen lot, shi dhe lot, diell dhe lot, dashuri dhe lot, urrejtje dhe lot. Pranvera është stinë e lotëve. Lumë ti që naze fatit tënd i bën! Stinë e dashurive. Stinë e vuajtjeve të mëdha.
Në barkun e thatë lëvizin fluturat e dashurisë, ato fluturat e rreme të adoleshentëve. Sipër barkut, aty te zemra, ka dhimbje që s’mbyllet me asnjë çelës, se aty ndihen dashuritë e mëdha, o njeri! Prandaj, ji në rru-gën e atyre që nuk shesin kënd për pak groshë e nuk qajnë për pak lëndim. Aty dallohen njerëzit e dashu-rive të mëdha.
Po, eja, se unë nuk do t’i hap vetëm krahët për ty. Do ta hap kalanë e zemrës, që të shëtitësh nëpër obo-rrin e saj e të dalësh pak nga oborri i mbyllur i zemrës tënde.
Po, largohu, se nuk të ndjekë dot trupi im i dërr-muar. Nuk të ndjekë askush përveç hijes sate që bart kujtime të paharruara mbi supe.
Mos harro, sado që netët janë të gjata, mëngjesin do ta presim sërish për t’i harruar ndodhitë. Sado që vitet janë të rënda, do të mbesin veç kujtime të kalu-ara. Sado që jeta të zgjasë, në varr shkruhen vetëm data dhe kujtime.
Nëse jo, do të mbetesh vetëm kujtim, Juventilja ime.
Këtu isha gjithmonë në afërsi, ndonëse fshehur pas teje, vogëlimë, prapa madhështisë sate, prapa peran-dorisë së kryeneçësisë sate, prapa mllefit e i shtangur e pafaj prapa shpirtit tënd, atje prapa teje. Ndoshta kalimthi trupat tanë priten e hijet e tyre përshëndeten. Apo, ndoshta, zemrat tona shikojnë njëra-tjetrën, ndo-nëse përbrenda janë të shthurura. Të kam thënë që sado që netët janë të gjata, mëngjesin do ta presim së-rish për t’i harruar. Këtu, këmbadoras, i mbuluar me një batanije turpi, zbrazem çdo ditë i tëri me irritim dhe nxitimthi ik nga vetvetja. /KultPlus.com