22 Maj, 2021 - 5:30 pm
Në majin e vitit 2000 u botua “Fjalori arbërisht – shqip” i autorit Kolë Kamsi. Ky fjalor renditet i dyti pas veprës me 19 mijë fjalë e njësi leksikore: “Fjalori e Arbëreshvet t‟Italisë” i Emanule Giordanos, botuar më 1963.
Fjalorët e këtyre dy autorëve kanë të përbashkët se paraqesin leksikun e arbërishtes. Por kanë edhe dallime. Emanuele Giordano-ja e ka hartuar fjalorin kryesisht për Arbëreshët dhe shpjegimet i ka dhënë italisht, në mënyrë që përdoruesit arbëreshë, në përgjithësi me kompetencë më të plotë në italishte sesa në gjuhën e vet të shtëpisë, ta kapin më mirë e më qartë kuptimin e fjalës.
Ndërsa Fjalori i Kolë Kamsit është hartuar për t’u përdorur nga Shqiptarët, prandaj ai përmban thuajse vetëm fjalë të dëshmuara te shkrimtarët arbëreshë e në botimet arbëreshe dhe shpjegimet e fjalëve jepen me sinonimet e shqipes. Kolë Kamsi ishte një veprimtar i arsimit kombëtar dhe fjalori i tij është një vepër gjuhësore, por edhe në shërbim të shkollës. Ai u drejtohet mësuesve të letërsisë dhe studentëve për t’i ndihmuar që të kapërcejnë vështirësitë gjuhësore në të kuptuarit e shkrimtarëve arbëreshë./ KultPlus.com