Kompleti i Veprave të Anton Çettës dhurohet në Institutin e Etnologjisë në Pragë, ambasadorja Iberhysaj: Këto vëllime janë më shumë se tekste

9 Janar, 2025 - 12:19 pm

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Ceki, Albesjana Iberhysaj e shoqëruar nga dy vajzat e Anton Çettës, Agata dhe Donika Çetta kanë pasuruar Institutin e Etnologjisë në Pragë, me dhurimin e kompletit të veprave të Anton Çettës për këtë institucion.

Me dhurimin e këtij kompleti është shënuar edhe përvjetori i lidhjes së atdhetarit Anton Çetta. KultPlus ju sjell njoftimin e plotë nga ambasadorja Iberhysaj.

Në shënim të përvjetorit të lindjes së atdhetarit të paepur, plakut të urtë, mbledhësit të shquar të folklorit dhe pajtuesit të palodhur të gjaqeve, profesor Anton Çetta, në Institutin e Etnologjisë të Akademisë së Shkencave të Çekisë, në Pragë, nderuam jetën dhe veprën e tij duke i dhuruar bibliotekës së Institutit një komplet të veprave të profesor Çettës.

Veprat e Çettës janë një kontribut i jashtëzakonshëm në mbledhjen e folklorit, si një thesar i kulturës sonë shpirtërore që ia përcjellim me krenari brezave të ardhshëm.

Dhurimi i kësaj serie librash për Institutin e Etnologjisë në Pragë është një moment i rëndësishëm, pasi këto vëllime janë më shumë se tekste – ato janë një dritare që shpalos kulturën dhe traditën tonë, gjithashtu dhe një ftesë për të eksploruar thesarin e krijimtarisë sonë njerëzore. Ndërsa këta libra e gjejnë shtëpinë e tyre brenda një instituti prestigjioz, le të shërbejnë si burim frymëzimi e studimi dhe si një kujtesë e përgjegjësisë sonë të përbashkët për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë dhe kulturën tonë. Vepra e Profesor Çettës do të mbetet përjetësisht në historinë tonë kombëtare. Ai do të kujtohet përherë si personalitet i jashtëzakonshëm, ndërsa përkushtimi i tij ndaj atdheut do të mbetet udhërrëfyes për breza të tërë.

Dorëzimi i veprave iu bë drejtorit të Institutit, z.Jiří WOITSCH, me të cilin u diskutua mbi mundësi të tjera bashkëpunimi mes 🇽🇰🇨🇿.

Një falënderim i veçantë për drejtuesen e Seksionit të gjuhës shqipe në Universitetin e Karlit në Pragë, Dr. Orkida Backus Borshi, Prof. Dr.Jaroslav Otčenášek dhe vajzat e

Profesor Çettës, Agata Çetta dhe Donika Çetta me mbështetjen e të cilëve u mundësua realizimi i këtij aktiviteti. 🇽🇰🤝🇨🇿📚/ KultPlus.com

Të ngjajshme