3 Janar, 2019 - 10:20 pm
Vetë pushteti i Podujevës e ka rrënuar objektin e ish-Komitetit, në të cilin gjendej edhe biblioteka, për t’i hapur vend ndërtimit të “Rrugës së xhamisë”. Por ata nuk kanë bërë deri tash ndonjë zgjidhje edhe për bibliotekën.
Zyrtarët komunalë të Podujevës nuk kanë kthyer asnjë përgjigje për këtë çështje, megjithëse pyetjet u janë dërguar nga 27 dhjetori i vitit të kaluar. Ndërkohë, zyrtarët e partisë opozitare në këtë komunë (LVV), kanë thënë se arroganca e pushtetit e ka lënë për gjashtë muaj Podujevën pa bibliotekë. Këshilltarja e lëvizjes Vetëvendosje, Doruntina Hasani, ka theksuar se mbyllja e rrjetit të bibliotekave në këtë komunë ka nisur nga pushteti okupues i paraluftës, ndërsa ka vazhduar nga ai i lirisë, shkruan sot Koha Ditore.
“Arroganca pushtetore në Llap e mbylli bibliotekën e qytetit në gusht të vitit të kaluar, të vetmen bibliotekë që funksiononte ende në këtë trevë. Prej një rrjeti të bibliotekave që janë mbyllur, kjo është goditja përfundimtare e këtij segmenti, por këtë herë nga pushteti i ‘lirisë’ dhe i ‘demokracisë”, ka thënë Doruntina Hasani