29 Korrik, 2020 - 7:28 pm
Libri “Komunizëm shqiptar me televizion italian” me autor Ylli Polovinën, përbën një rrëfim historik të veçantë, paraqet një këndvështrim të papërdorur deri tani, për rrjedhojë edhe të pa konsumuar.
Kjo karakteristikë i jep këtij libri 224 faqesh epërsinë e të qenit i pari me subjektin si në Shqipëri gjatë periudhës së social-komunizmit real, me pak fjalë enverizimit, ndodhi që shoqëria, nga njeriu i thjeshtë e deri tek elita intelektuale, bëri një kompromis, kreu një lloj oportunizmi shpëtimtar.
Shqiptarët me Tiranën kryeqytet mundën që ideologjinë shtetërore staliniste (lindore), ta bënin të bashkëjetonte pa asnjë konfliktim me mënyrën kapitaliste të jetesës (perëndimore): atë italiane.
Përmasat e këtij pajtimi dhe harmonizimi shumë të vështirë, nëpërmjet episodeve, fakteve e ngjarjeve që lexuesi i dëgjon për herë të parë, e bëjnë këtë botim mjaft origjinal, por edhe jo pak tërheqës.
“Komunizëm shqiptar me televizion italian” ka 62 kapituj. Disa prej tyre janë: “Lagja e Leninit dhe lagja e Stalinit”, “Sulmon “Beogradskaja Radiotelevizija”, “Nën çarçafë”, “Njollat e murrme”, “Majori dhe dy kapitenët e kundërspiunazhit”, “Ramiz Alia në Romë, 1976”, “ET, Eleniko Teleorasi”, “Ana Oksa”, “Fundi i germave ENVER”, etj.
Parfum për udhëheqjen në një Tiranë të frikësuar
(Kapitull fragment nga libri)
Në përfaqësinë diplomatike shqiptare në Romë ambasadori thirri në zyrë shoferin kryesor A. (kishte emër me tingëllim gjerman) dhe i komunikoi prerë se i shoqëruar nga njëri prej diplomatëve do të nisej sa më shpejt për në Tiranë.
Misioni qe tepër sekret: do të dërgonte një furnizim për vetë Enver Hoxhën.
Pas kësaj disa net me radhë shoferi bëri një gjumë të trazuar. Çfarë do të ngarkonte në makinën e tij, çfarë?
Në fillim të javës që pasoi, diplomati i ngarkuar të udhëtonte me të i tha se do të shkonin në disa dyqane të Romës dhe do të blinin mallin e caktuar. Nuk përmendi çfarë do të qe ky.
Edhe kur u nisën drejt dyqaneve diplomati nuk shqiptoi asnjë fjalë përveç drejtimit të rrugës që do të merrnin.
Për habi ajo nuk tregonte qendrën e Romës, por as edhe zonat, ku ata dinin të ishin magazina të njohura të kryeqytetit italian.
Po dilnin në rrugën Salaria dhe po futeshin në një rrugicë me pak lëvizje, ku edhe dyqanet qenë të vegjël e me vitrina të përgjumura.
Kur diplomati shqiptoi “ndalu këtu” përpara nuk ishte gjë tjetër veç një dyqankë, pas derës së xhamtë të së cilës kishte vetëm zbrazësi: “Këtu do të blejmë ujë të gazuar”, shtoi diplomati.
Kur hynë brenda A. vuri re se ishte një dyqan i thjeshtë ushqimor, por i pastër dhe me mallra të cilësisë së mirë. Shitësi me sa dukej i priste dhe pas përshëndetjeve të para u nxori tetë arka me ujë. Shishet e tyre qenë në një formë disi të veçantë dhe në etiketë, me një ngjyrë të afërt me blunë, ishte shkruar fjala “Vichy”.
I rregulluan arkat në mbajtësen e bagazhit dhe makina e rinisi lëvizjen e saj me pak fjalët e diplomatit: tani zbrit drejt qendrës!
Edhe kjo pjesë e rrugës kaloi pothuaj në heshtje. Herën e dytë diplomati i tha të ndalnin para një magazine të madhe plot me njerëz. Aty blenë dy kilogramë luleshtrydhe.
Për të tretën herë qëndruan jo më shumë se njëqind metra më poshtë. Ishte një parfumeri dhe diplomati pagoi për dy pako me erzinën “Men”. Ato që mori duhej të ishin njëzetë shishka të vogla.
Ndalja për të katërtën herë ndodhi pas më shumë se një ore. Atje zgjodhën një stilograf “Pelikan”.
Herën e pestë e zgjodhën me dëshirën e tyre se ku do të qëndronin. Do të blinin thjesht brisqe roje.
Herën e gjashtë morën për nga stacioni Termini. Diplomati bleu, pas një mëdyshjeje të gjatë e rraskapitëse, një palë syze gjysmë të errtë. Pastaj shoferi A. dëgjoi urdhrin për të marrë rrugën e kthimit drejt ambasadës.
Ndërsa makina rrëshqiste ngadalë dhe e vëmendshme për të hyrë në rrugën e madhe Nomentana e pastaj sulur poshtë saj për të kapur majtas rrugën e vogël Asmara, diplomati nisi të fliste pa e pyetur njeri. Ai tha se nuk kishin blerë veç mallra me çmime të arsyeshme dhe se këto harxhime qenë kryer sipas porosisë së “Drejtorisë së Bllokut”. Diplomati shtoi se uji i gazuar “Vichy” blihej nga Enver Hoxha për shkak të një pëlqimi të tij vetjak që lidhej me vitet e kaluara në Francë në rininë e vet. Madje në Romë atë pothuaj nuk e preferonte njeri dhe pronarët e dyqanit e porositnin posaçërisht në Francë. Më pas shtoi se parfumin “Men” e blinin si të vetmin parfum që ishte vendosur të përdornin anëtarët meshkuj të udhëheqjes. Lloje të tjerë nuk lejoheshin.
Kur porta e hekurt e ambasadës shqiptare në Romë, vendosur në Vila Kalandra, u hap e ata hynë në oborrin e gjerë, atëherë diplomati i tha se tani duhej të shkonin tek ambasadori. Ky po i priste në zyrën e tij. U buzëqeshi, u ofroi të uleshin në dy kolltuqet përballë dhe u shqiptoi pak fjalë: Nisja për në Shqipëri do të bëhet nesër. Vizat për të hyrë në tokën jugosllave i keni gati.
Të dy iu përgjigjën urdhrit të butë të ambasadorit me një “siurdhëron” dhe dolën në korridor, zbritën me nxitim shkallët dhe, pasi kapërcyen heshturazi oborrin, dolën në rrugën Asmara.
Tek ecnin me ngut drejt shtëpive të tyre diplomati caktoi orën pesë të mëngjesit si më të përshtatshmen për nisje dhe bënë një llogari të shpejtë të intenerarit që do të bënin. Prej Romës do të dilnin në Trieste e pastaj do të zbrisnin nëpër territorin jugosllav në vijën Dubrovnik i Kroacisë-qyteti Bar i Malit të Zi. Prej këtu do t’i afroheshin kufirit shqiptar e do të hynin në pikën doganore Hani i Hotit.
Udhëtimi bëhej vetëm me anë të tokës, sepse po të ndiqnin rrugën me traget nga Bari apo Ankona e Italisë në Bar apo Dubrovnik, ishin të detyruar të dilnin nga makina dhe kështu rrezikohej siguria e ngarkesës së tyre.
Gjer në Tiranë ishin 2.200 kilometra. Do të udhëtohej dy ditë e dy net pa pushim. Pa fjetur gjumë dhe pa dalë nga makina, përveç kryerjes së ujit të hollë, të cilin do ta bënin me radhë dhe në vende jashtë qytetit dhe kanosjes se dalja, qoftë edhe e njërit prej tyre, do të rrezikonte afrimin e një të huaji tek portabagazhi i makinës.
Të nesërmen, saktësisht në orën pesë, e kishin marrë rrugën drejt veriut të Italisë.
Po atë çast u lajmërua për fillimin e udhëtimit të tyre Ministria e Jashtme në Tiranë si edhe ajo e Brendshme. Po kështu edhe pika kufitare e Hanit të Hotit, ku do të hynin.
Të dy udhëtarët me misionin e posaçëm patën lënë porosinë tek gratë e tyre që afërsisht pas tridhjetë e gjashtë orësh, tamam kur duhej të kishin shkelur në tokën shqiptare, mund të lajmëronin familjet e tyre e prindërit.
Rrugëtimi drejt Tiranës zgjati aq sa edhe herë të tjera. Në dyert e makinës, nga jashtë, ishte vendosur nga një vulë e ambasadës dhe kalimi i kufirit për në Jugosllavi u bë pa asnjë shqetësim. Po ashtu edhe udhëtimi nëpër territorin e saj.
Kur hynë në Hanin e Hotit ishte pothuaj pragu i mbrëmjes së ditës së dytë. Oficerët shqiptarë ishin të zymtë dhe, me gjithë identitetin e dokumentet që paraqitën, dukeshin se do t’i mbanin aty gjatë gjithë natës. Atëherë diplomati shoqërues kërkoi të merrte në telefon Ministrinë e Jashtme.
Oficerët u bënë më të zymtë, por më në fund i lejuan të hynin në tokën shqiptare.
Tiranës iu afruan ende pa rënë mesnata.
Zakonisht, po të vije nga veriu, kryeqytetin e dalloje nga larg prej prushitjes së madhe të dritave. Kësaj rradhe e kërkuan me sy për mjaft kohë, deri sa e shquan. Ishte vetëm një pllangë e zbehtë dritash, që dukeshin si në prag të fikjes.
Shoferi A, banor i vjetër i Tiranës, ndjeu se fikthi iu drodh dhe ai u gëlltit instiktivisht. Në të vërtetë ishte më shumë një gjuhë e tkurrur dhe e mbledhur komkë në fund të gojës, duke i bllokuar frymëmarrjen. Zemra nisi t’i rrihte sikur dikush ta kishte mëshuar fort mbi të gishtat për ta shtypur.
I nemitur qe edhe diplomati.
Kur hynë në kryeqytet e kuptuan se shumica e dritave të rrugëve ishin të shuara. Gjysmerrësira mbulonte deri edhe sheshin kryesor.
Të fikura përtej të zakonshmes qenë edhe dritaret e pallateve. E papritur për ta ishte edhe shkretia e rrugëve.
Në këtë orë drejt fabrikave apo uzinave, siç e mbanin mend, nëpër autobusë urbanë të zhurmshëm shkonin punëtorët e turnit të tretë dhe ktheheshin ata të dytit.
Kur hynë në bulevardin kryesor shoferi, i pasigurt për qartësinë e fjalëve, i belbëzoi diplomatit që të ktheheshin pak tek nëna e tij. Ishte në një pallat afër Bllokut. Në katin e katërt. Do të ndalnin dy-tre minuta, sa ai të mund ta përqafonte.
Dakord, iu përgjigj tjetri, por edhe ai me zë të pasigurt.
Kur iu afruan pallatit, pesëdhjetë metra larg postërojës së parë të Bllokut, përreth tij nata qe pus. A. doli nga makina, por trupi iu duk si i shndërruar në një pirg gize. I nguli këmbët mbi tokë, u përpoq të ekuilibronte shtatin dhe thirri emrin e së jëmës. Nga goja i doli vetëm një si fërshëllimë. Një vrundull ajri. Thirri edhe njëherë.
Pastaj për herën e tretë.
Më në fund në një nga dritaret në katin e katërt u ndez një gjysmëdritë, u hap perdja dhe doli një kokë me shami mbi flokë. A. e mbyti ngashërimi dhe klithi në emër të jëmën. Prej dritares ranë drejt tij thirrma gëzimi e fjalë të mbytyra nga përlotja.
Ai bëri të lëvizte trupin e rënduar, por pikërisht në këtë çast e kapën nga të dy brylet duar të forta si kanxha hekuri. Kur u kthye e kuptoi se ishte i rrethuar nga një tufë policësh. Prej makinës kishte dalë, i vënë edhe ai në mes të trumbës me uniforma, edhe diplomati.
Nisin t’i sqaronin që të dy se ishin shqiptarë, qenë punonjës të ambasadës në Romë, mund të shihnin targën CD të makinës, të kontrollonin edhe dokumentet e tyre, por dy oficerë që i drejtonin, vetëm shtrëngonin dhëmbët dhe u ngulnin fashat e dritave të projektorëve në fytyrë. Pastaj A. u tha se do të shkonin në Bllok, por për pak çaste qe kthyer tek nëna e tij, sepse kishte dy vjet e gjysmë pa e parë.
Megjithatë dy oficerët e policisë ngulnin këmbë në të tyren: ndalimi i atij mjeti aty, në atë orë të mesnatës, ishte shkelje dhe se duhej të vinin pas tyre.
Atëherë diplomati shtoi se me vete ata kishin një ngarkesë, të sjellë nga Italia, posaçërisht për “shokun Enver Hoxha”. Fraza e menduar se do t’i çarmatoste ose së paku zbuste dy njerëzit e ashpër të rendit, i egërsoi ata më tepër. “Ca më keq” sokëllinë.
Ndërkohë nëna e tij kishte zbritur poshtë pallatit dhe tani po dëneste. Me sa duket lotët e saj njerizuan dy oficerët dhe njeri prej tyre shqiptoi fjalët: shko vetëm sa ta takosh dhe pastaj menjëherë largohuni që këtu!
A. shtyu trupin drejt nënës së tij dhe kur iu afrua, i ra në krahë. Ajo e mbuloi me lot, puthje dhe ngashërima.
Ai e mblodhi shpejt veten, e puthi në faqet e nxehta, pastaj nisi t’ia fshijë lotët me pëllëmbët e duarve. Pas tre minutash bashkë me diplomatin ishte futur në makinë dhe ajo u tërhoq mbrapsht si me gulç.
Duke rënkuar.
Përreth nata ishte pus.
Kush e di se prej cilit tekst libri shkollor, filmi, copëze poezie apo romani, tiranasin e vjetër A. një fjalë gati e harruar e kapërtheu nëpër tru si të ishte një oktapod: terror. /GSh /KultPlus.com