15 Nëntor, 2017 - 9:00 pm
“Gjuha shqipe, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja” ka qenë motoja me të cilën u zhvillua në Jena një konferencë shkencore, organizuar nga Shoqata e Miqësisë gjermano-shqiptare (DAFG)
“Gjuha shqipe, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja” ka qenë motoja me të cilën u zhvillua në Jena një konferencë shkencore, organizuar nga Shoqata e Miqësisë gjermano-shqiptare (DAFG). Konferenca zhvilloi punimet e saj më 10-11 nëntor në ambientet e Universitetit Friedrich-Schiller, në Jena.
Koncepti i menduar mirë nga organizatorët dhe cilësia e kumtesave mundësuan që harku kohor midis epokave të hidhej me sukses edhe brenda kohës së shkurtër në dispozicion për natyrën e temave, shkruan deutsche welle. Ishte një zgjedhje jo rastësore që për të kaluarën e shqipes referuan në konferencë dy figura me të cilat identifikohet albanologjia dhe historiografia gjermane për Shqipërinë: Prof. Wilfried Fiedler dhe Dr. Michael Schmidt-Neke.
Studimet dhe analizat e tyre për shqipen dhe shqiptarët janë prej dekadash e deri sot pika të sigurta reference, si për profesionistë ashtu edhe për kureshtarë që duan të mësojnë në Gjermani dhe jashtë saj më shumë për botën shqiptare.
Zhvillimin e vrullshëm të shqipes në dekadat e fundit dhe perspektivat e mundshme të zhvillimit të saj, organizatorët kishin zgjedhur t’i trajtonin duke ftuar të referojnë nga njëra anë një mësues dhe një përkthyes dhe nga ana tjetër dy shkencëtarë të rinj: mësuesin e shqipes në Gjermani, Muhamet Idrizi dhe përkthyesin Vëllaznim Haziri si dhe gjuhëtarët e rinj: Dr. Henry Ludwig dhe Dr. Lumnije Jusufin.