5 Qershor, 2019 - 3:30 pm
Shkrimtari i shquar shqiptar Fatos Kongoli, në Panairin e 21-të të Librit Prishtina 2019 ka sjell romanin e tij më të ri “Gënjeshtarë të vegjël” produkt i Shtëpisë Botuese “Toena”, shkruan KultPlus.
Kongoli u shpreh i kënaqur për ftesën që i bëri Shoqata e Botuesve të Kosovës, si dhe për prezantimin e romanit të ri, që do ta bëjë gjatë Panairit të Librit në Prishtinë.
Interesimi për autorin qysh në hapje ishte mjaft i madh nga studentët, nxënësit dhe admiruesit e letërsisë së Kongolit, të cilin patën rast ta takojnë, të bisedojnë me të, dhe të marrin nënshkrime nga ai.
Për KultPlus, autori foli në pika të shkurta rreth subjektit të romanit “Gënjeshtarë të vegjël”.
“Romani im i ri që sapo është botuar nga Shtëpia Botuese “Toena”, përshkruan realitetin shqiptar si edhe romanet e mia pararendëse. Me pak fjalë subjekti i romanit është ky: Një i ri, që ikën nga fshati drejt kryeqytetit ndërton aventura të shumta, pasi që është vendosur aty për studime. Më pas punësohet, ka lidhje dashurie me disa vajza dhe çon jetë të këtillë.
Pas 12 vjetëve, personazhi kryesor i romanit e sheh se ka qenë ide e gabuar aventura kryeqytetase; ai nuk mund të ambientohet assesi në atë mjedis, andaj në fund vendos të kthehet andej kah ka ardhur”, përfundoi Kongoli në këtë intervistë ekskluzive. / B. Meholli / KultPlus.com