7 Nëntor, 2018 - 9:00 am
Holli midis dy amfiteatrove të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani” ofron një ecje nëpër 112 vjet të Abetares shqipe. I gjithë koleksioni i abetareve që gjendet në Bibliotekën Kombëtare është ekspozuar nën titullin “Abetarja shqipe (1906-2018 – ilustrime dhe tipografi”.
Ekspozita është hapur në kuadër të konferencës shkencore “Lumo Skendo dhe themelimi i revistës “Diturija”, që është mbajtur të martën në BKK. Nën organizimin e institucionit më të lartë bibliotekar në Kosovë, Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe fondacionit arsimor humanitar, “Alsar”, konferenca është mbajtur në shënim të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, i njohur edhe si Kongresi i Alfabetit. Në këtë ceremoni është promovuar edhe botimi anastatik i revistës “Diturija” (1909-1929).
Në hapje të Konferencës, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, ka thënë se katalogu i Abetares shqipe, i cili është botuar në shenjë të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit i referohet informacionit bibliografik të botimeve që janë në fondin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Kryetari i fondacionit “Alsar”, Mehdi Gurra, ka thënë se Mid’hat Frashëri, i cili themeloi revistën, do të bëhej pjesë e historisë shqiptare si Frashërit e të tjerë, duke dhënë më tepër dritë mbi emrin që mbante.
Kanë folur edhe zëvendësministrja e Kulturës, Leonora Morina-Bunjaku, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Persida Asllani, ndërsa pas hapjes së Konferencës kanë ligjëruar akademik Sabri Hamiti, Persida Asllani, Agron Gjekmarkaj dhe David Hosaflook”./KultPlus.com