13 Dhjetor, 2020 - 7:57 pm
Muajin që shkoi doli nga shtypi përmbledhja me rrëfenja e profesorit dhe shkrimtarit Agim Vinca. Përmbledhja e cila është botuar nga shtëpia botuese “Syth”, përmbanë katërmbëdhjetë tregime dhe një novelë, shkruan KultPlus.
Më poshtë mund të gjeni disa nga kritikat që janë dhënë për këtë libër.
Profesor Resmi Osmani
“Një tjetër libër në prozë i Prof. Agim Vincës, që i jepet lexuesit në këtë kohë të vështirë pandemie. Janë tregime me refleksione nga ndodhitë e jetuara, si të tilla të vërteta dhe të besueshme. Ajo që ua rrit vlerën është mjeshtëria e shkrimtarit dhe dituria e filozofia e mendimtarit në këndvështrimin e ngjarjeve dhe të dukurive jetësore, në të cilat lexuesit i duket se gjen pjesëza nga jeta e vet ose përputhshmëri mendimesh. Prozë e shkruar thjesht, por bukur, që rrjedh natyrshëm, pa ndërlikime, që lexohet me ëndje nga lexuesi, për t’i shkuar deri në fund asaj që shkrimtari synon t’i kumtojë…”
Mehmet Hajrizi
“Agim Vinca është mjeshtër i fjalës së zgjedhur dhe arkitekt i ndërtimit sintaksor të tekstit. Gjuha dhe stili nolian, rrjedha e qetë e rrëfimit, si e lumit të gjerë, figurat e shumta letrare dhe emocioni që ka vepra brenda, i japin lexuesit kënaqësi të veçantë estetike.”/ KultPlus.com