31 Gusht, 2022 - 2:55 pm
Konkursi ndërkombëtar i novelave grafike historike “CAN for BALKANS” u zhvillua në periudhën mars-korrik 2022.
27 autorë nga Belgjika, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia, Ukraina dhe Kina morën pjesë në finale të konkursit.
Të gjitha novelat grafike të përzgjedhura janë krijuar enkas për këtë konkurs. Krahas cilësisë artistike dhe dokumentacionit historik, kritere të tjera të rëndësishme për gjykim ishin origjinaliteti dhe mënyra e respektimit të temës, veçanërisht zgjedhja e temave me mesazhe pajtimi, paqeje dhe besimi, tolerance dhe respekti.
Juria ndërkombëtare u formua nga Prof. Adrian Cioroianu (Rumani), historian, diplomat, autor i skenarëve të komikeve dhe profesor universiteti. Prof. Ardian Isufi (Shqipëri), artist, Dekan i Fakultetit të Arteve të Bukura në Universitetin e Arteve Tiranë (2016-2020). Etienne Schréder (Belgjikë), skenarist dhe autor i njohur i komikeve dhe Drazen Kovacevic, një nga artistët më të rëndësishëm të novelave grafike në Serbi dhe Tome Trajkov, promotor i novelave grafike nga Maqedonia e Veriut.
Të dyja, veprat e mirëvlerësuara dhe ato të pranuara nga juria në finale do të prezantohen për herë të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Novelave Grafike Historike në Brasov, duke filluar nga 13 tetori 2022, si pjesë e ekspozitës përfundimtare të projektit Europian. Ekspozita më pas, gjatë këtij viti, do të zhvilloj një tour në Tiranë (nëntor) dhe Bruksel (dhjetor) dhe vitin e ardhshëm në Leskovc (shkurt) dhe Veles (mars).
Çmimin e madh të edicionit të parë të konkursit “CAN for BALKANS” e fitoi Răzvan Bronescu nga Rumania me veprën “Aurel Petrescu, Pionieri i Animacionit Rumun”.
Çmimi i parë i takoi artistit rumun Ionuț Popescu me veprën “Ballkani përgjithmonë”. Podiumin e kanë plotësuar artistë nga Serbia. Kosta Milovanoviq fitoi çmimin e dytë me “Dhe tre shokët janë…”, një strip komik i frymëzuar nga vetë jeta e tij, që nga fillimi i luftës civile (1991), e cila e kapi në marinën jugosllave. Çmimi i tretë iu dha stripit “Era”, krijuar nga Marjan Milanov (skenari) dhe Srdan Todorović (vizatime), me temë të frymëzuar nga tragjeditë e betejave në kufirin serbo-bullgar në dimrin e 1915-ës.
Juria ndërkombëtare vlerësoi gjithashtu pesë vlerësime speciale: Aljosha Tomiq dhe Dragan Stokiq Rajački (Serbi) për veprën “Deda Roga”; Maksimilien Van de Wiele (Belgjikë) për veprën “Tuzla”; Sllavica Kupenkova (Maqedonia Veriore) për veprën “Odisea”; Valentin Ionescu me veprën “Shoku Rakija” dhe Vlad Forsea me veprën “Humori Ballkanik vs Bota” ndajnë çmimin e përmendur kushtuar Rumanisë.
Projekti “CAN for BALKANS – Comics Alliance Networking for Balkans” është një nga 13 projektet fituese të thirrjes “Forcimi i bashkëpunimit kulturor dhe konkurrueshmëria e industrive kulturore dhe krijuese në Ballkanin Perëndimor” (EACEA 39/2019), në kuadër të Programit të financimit të Evropës Krijuese dhe zbatohet nga Muzeu Historik i Qarkut Brasov (udhëheqës i projektit), Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë, Muzeu i Artit Komik Bruksel – Qendra në Belgjikë e Stripit Komik, Strip Centar na Makedonija (Maqedonia Veriore), Qendra Kulturore e Leskovcit – Leskovac comic shkolla ”Nikola Mitrovic Kokan” (Serbi).
Projekti financohet nga Komisioni Evropian përmes Agjencisë Ekzekutive Evropiane të Arsimit dhe Kulturës (EACEA) në Bruksel dhe ka një periudhë zbatimi nga marsi 2021 deri në mars 2023.
Për më shumë detaje rreth projektit dhe aktiviteteve të kryera deri më tani, veçanërisht studimet e projektit kërkimor shkencor, ju ftojmë të klikoni në www.canforbalkans.eu
Në lidhje me projektet e thirrjes “Forcimi i bashkëpunimit kulturor dhe konkurrueshmëria e industrive kulturore dhe krijuese në Ballkanin Perëndimor” (EACEA 39/2019) vizitoni https://data.europa.eu/doi/10.2797/811941 / / KultPlus.com