11 Nëntor, 2024 - 12:05 pm
KultPlus ka hapur thirrjen për edicionin e shtatë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, dhe ky konkurs është i hapur për të gjithë poetët.
Ky konkurs ka një histori të pasur me kontributet e jashtëzakonshme të poetëve, të cilët janë nderuar me një ceremoni të veçantë, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus”.
Por këtë vit, premtohet një edicion i veçantë, i mbushur me emocione të larmishme. Ardianë Pajaziti, organizatorja e këtij konkursi dhe themeluesja e KultPlus, ka thënë se “KultStrofa” mbetet një nga konkurset më të rëndësishme dhe më të nderuara në fushën e poezisë, si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj.
“Për ne, ‘KultStrofa’ vazhdon të jetë një konkurs i rrallë dhe serioz në botën e poezisë. Kjo është e njohur nga poetë të shumtë të shquar, të cilët kanë kontribuar me poezi të jashtëzakonshme në edicionet e mëparshme. Një nga veçoritë që e dallon është përzgjedhja e një jurie profesionale, e cila çdo vit sjell personalitete të shquara në skenës letrare. Këtë vit, kemi emra të fuqishëm, të cilët do të prezantohen në ditët në vijim”, thotë Pajaziti.
Njoftohet se konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe talentët e rinj. Pajaziti gjithashtu ka bërë të ditur se kandidatët mund të aplikojnë me një poezi të pabotuar, duke e dërguar në adresën [email protected], duke përdorur subjektin “Për konkursin e poezisë ‘KultStrofa”.
*Asnjë aplikim nuk pranohet nëpërmjet formave të tjera. Juria profesionale do të përzgjedhë dhjetë poezi- finalistë, të cilët edhe do të jenë të ftura në ceremoninë kryesore, dhe më pas juria profesionale do të shpall edhe tre çmimet kryesore të konkursit, çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.
Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi, Zhaneta Barxhaj dhe Rudina Çupi. Thirrja mbetet e hapur deri më 14 nëntor 2024 në ora 23:59. Kujtojmë se KultStrofa sivjet po shënon edicionin e shtatë./ KultPlus.com