“Kosova” – vepër kapitale historiografike

19 Shkurt, 2021 - 12:30 pm

Shkruan: Ramadan Musliu

Historia e Kosovës e Jusuf Buxhovit , në tri vëllime prej me shume se 2.300 , e përbërë nga tri pjesë: “Kosova-Antika, Mesjeta” , “Kosova – Perandoria osmane” dhe “Nga Konferenca e Londrës deri te protektorati ndërkombëtar”, paraqet një botim kapital brenda llojit të vet në studimet historiografike shqiptare.

Historia e Kosovës e Buxhovit vjen në një moment delikat, pikërisht në kohën kur hapen horizonte të reja, jo vetëm në studimin e trashëgimisë nacionale pas një periudhe të shkencës që imponoi interpretimin e historisë dhe proceseve historike përmes një klisheu strikt ideologjik apo interpretim të historisë përmes “dokumenteve në dispozicion”, për shkakun se kishte embargo në qasjen në arkiva, veçanërisht kur ishin në pyetje disa periudha të ndjeshme historike. Historitë e deritashme, që janë projekte kolektive, të cilat zakonisht janë projekte shtetërore, që shprehin një interes konjuktural politik të një periudhe kur realizohet ai projekt. Historia e Kosovës e Buxhovit, si antipod i këtij modeli në interpretimin e historisë nacionale, bën një kovertim metodologjik, sjell një pikëvështrim ndryshe ndaj procesit të kauzalitetit, ku interpretimi I shkak-pasojës është jashtë klisheut të njohur ideologjik, të shumtën e herëve marksist, po edhe një interpretim të ri të procesit historik dhe faktografisë historike, dhe më shumë se kaq, hap procesin e defalsifikimit të historisë, karakteristikë kjo jo vetëm e historiografisë së shkencë që më shumë shërbente jo vetëm për restaurimin e një shteti hipotetik, por që të riprodhonte falsifikatin historik të dokumentit por edhe objektit për të cilin falsifikohej ai konglomerat dokumentar. Jusuf Buxhovi nuk anon vetëm nga deideologjizimi I shkencës, klishetë të cilës jo që janë aktivë në shkrimin e sotëm të historisë, por shtron kërkesën edhe për verifikimin e dokumentit dhe të vetë faktografisë historike. Më një qasje të re metodologjike, më një prirje rezultative edhe për shtyrjen e kufijve kronologjikë të procesit historik në shqyrtim, më aftësinë për interpretim dhe riinterpretim të faktografisë historike dhe, aq më shumë për kapacitetin sintetizues të rezultateve të faktografisë shkencore dhe rezultateve shkencore pararendëse, Buxhovi dëshmon imperativin e domosdoshëm shkencor: ndërtimin e principeve dhe premisave të filozofisë së historisë. Pikërisht kjo është optika autoriale nën të cilën vështrohet procesi historik, vështrohen faktografia dhe dokumentariteti si dhe zhvillohet akti i interpretimit dhe riinterpretimit, vlerësimit dhe rivlerësimit të historisë mund të themi edhe shtetërore, sepse autori rrënjët e shtetësisë së Kosovës së tashme, e cila është objekt i trajtimit shkencor, i identifikon në antikitet dhe e ndjekur praninë e këtij formacioni nëpër periudha të ndryshme të historisë, por edhe të vetë njësisë etnike, çfarë janë sot shqiptarët e Kosovës, duke ardhur nga antikiteti së pari si Dardan, por edhe përmes degëzimeve, përkatësisht filiacioneve tribalo-rasian, dardano- romako- bizantin, për të kaluar nëpër stadin arbëror e deri të identiteti i sotëm. Në këtë pikëpamje autori është i pa kompromis, por edhe i mbështetur në aspektin argumentues, i qëndrueshëm në konstatimet dhe vlerësimet, sikundër edhe në ndërtimin e një sistemi vlerash që e ndërtojnë strukturën e procesit historik. Koha kur u hartua kjo “Kosova” dhe konteksti më i gjerë social, kulturor, shkencor, por edhe politik këtij projekti kapital të realizuar me një investim të pashoq intelektual e shkencor, e bën gjithnjë e më aktual, veprues në ndërgjegjen shkencore. Historia e Kosovës e Buxhovit bën edhe ridefinimin modern të identitetit etnik dhe nacional.

Dardanet brenda kompleksit pellazg

Detyra e parë praktike që i shtrohet një historian, që për objekt të vetin të shqyrtimit e ka historinë e kombit apo të shtetit, është problem i periodizimit, përkatësisht ndarjen nëpër periudha historike dhe mundësinë e puqjes me kufijtë që zakonisht praktikohen nga historiografia në radhë të parë europiane.

Vëllimi i parë i “Kosovës” ka për objekt trajtimi dy periudhat historike, Antikën dhe Mesjetën, dy periudha shumë delikate, sepse e para fillon me parahistorinë, ku kufiri ndarës mes periudhave të vetë antikitetit mbetët i paqartë. Ndërkaq po kaq ndjeshmëri shfaq edhe kufiri mes antikës dhe Mesjetës. Kur është fjala për kufirin inicial kronologjik duhet kujtuar faktin se Jusuf Buxhovi është ndër historianët e parë tanë që mëton, madje me shumë sukses, të bëjë një lëvizje të kufijve kronologjikë të shfaqjes së kontinuitetit shqiptaro-arbëror-ilir, duke e inkuadruar idenë e përkatësisë pellazge të shqiptarëve aktual, që dalin se janë një rudiment i drejtpërdrejtë, së paku gjuhësor, i Pellazgëve hyjnorë.

Motivin inicial për ta përqafuar këtë tezë autori e gjen në studimet e Johan Georg von Han-it, dhe librit të tij “Albanesische Studien” (1854) dhe të përqafuar nga rilindasit tanë të shquar dhe pastaj të harruar nga studiuesit e mëvonshëm. Duke u nisur nga kjo pikëpamje, cila gjatë periudhës së fundit, sidomos në bote e më pak në historiografinë shqiptare, fillon të riaktualizohet, duke nxjerrë në shesh idenë e policentrizmit kulturor dhe shtetnor, kryesisht të nxitur nga hulumtimet rreth kulturave të lindjes, ne veçanti të asaj sumero-akade, hetite, hure, fenikase etj, për të hetuar dallimet dhe kongruencat e modeleve gjuhësore, kulturore, arkeologjike dhe deshmi edhe të shumë natyrave të tjera. Jusuf Buxhovi nis hulumtimin e vet të interpretimeve, por edhe të dokumentimit të nën shtratit të madh pellazg, si bërthamë të kulturës së mëvonshme europiane dhe lidhshmërive që ekzistojnë me etnitetin dhe kulturën ilire, dardane, por edhe dako-mize, trake etj. Autori, pra, si pikënisje e ka civilizimin pellazg dhe procesin e mbulesës me harresë, e aq më keq edhe të procesit të falsifikimit dhe tjetërsimit të kësaj kulture. Duke shqyrtuar këtë problem, Jusuf Buxhovi duket se bën një shmangie të qëllimshme nga disa teza të ngulitura nga historiografia vendore, por edhe ajo ish jugosllave(serbe, kroate dhe boshnjake) rreth restriksionit të hapësirës së shtrirjes së ilirëve, që ishin edhe në kundërshtim me konstatimet e shume ilirologëve botëror ( G. Schuchardt, H.Krahe, J.Pokorni), që pretendojnë një hapësirë pothuajse jo vetëm paneuropiane.

Gjatë hartimit të historisë Kosovës Jusuf Buxhovi ballafaqohet me një konglomerat idesh, konceptesh, pikëpamjesh që janë shndërruar në klishe, qoftë kur është problem kohor i shtrirjes së Pellazgëve, për të cilin ka qëndrime të kundërta, siç është qëndrimi i Schuchard-it, cili kulturën e Vinçës, jo vetëm se e konsideron si protoilre, por edhe kufirin kohor e shtyn deri në neolit, që është në kundërshtim me tezat politike të historianëve serbë, të cilët qëllimisht i ikin problemit pellazg, duke synuar që filiacionin pellazgo – ilir – dardan ta heqin komponentin gjenetike pellazge dhe dardanët t’i lidhin me derivacionin trak, dako mize etj. Po ashtu në shqyrtimin historiografik të Buxhovit gjejmë një zgjidhje edhe për klasifikimet që i janë bërë fiseve ilire, herë duke i definuar si bashkësi kulturore, dukuri kulturore, grupime kulturore, duke iu ikur në mënyrë tendencioze konceptimeve etnike dhe të bashkimeve fisnore që shkojnë deri te organizmat shtetnore antike. Ne “Kosova,1” e Jusuf Buxhovit kemi synimin që fenomeni dardan të shihet si një filiacion parallel pellazg, bashke me njësitë maqedone, epirote, ilire dhe më të largëtat, siç ishin trakët, dako-mizët, kurse të gjitha këto shkallëzime deri te formimi etnik t’i shpie deri te etnia pellazge, e cila që në antikitetin e hershëm, krahasimisht me sumero-akadët, mund të ketë pasur organizime shtetnore me një shtrirje të gjerë që paraqet shtratin e kulturës ariane të konsoliduar.

a)Argumenti historik

Jusuf Buxhovi tezat e veta, që në mënyrë radikale ndryshojnë nga ato të historiografisë pararendëse, i argumenton nëpër katër nivele: historik, arkeologjik, gjuhësor dhe mitologjik.

Kur është fjala te argumenti historik Buxhovi gjurmon dëshmitë e dijetareve antikë, veçmas të dhënat e Herodotit, Tukidit, por edhe te pjesa “letrare” që ofrojnë veprat e Homerit dhe Hesiodit, por edhe të atyre latin. Duke u mbështetur në këto dëshmi pohon kohën e ekspansionit pellazg si vala e pare ariane nga thellësia e Azisë dhe si valë e pare invazive që daton nga mileniumi i gjashte.

Të gjitha valët disperzive ariane, si ato drejt Indisë dhe Persisë, por edhe të territoreve të Anatolisë janë më të vonshme, për ç’arsye civilizimi pellazg del më i lashti dhe më gjithpërfshirësi, duke ngërthyer brenda vetës edhe shumë etnitete të hershme, si atë hitite (apo hete), por edhe konglomeratin fenikas, hur, etj, që ishin në ndeshje të drejtpërdrejt e shpesh edhe asimiluese me popujt semitë, sumerët, akadët,kanaanët, babilonasit, asirasit, arameasit, sobareasit, etj. Në këtë gjurmim të origjinës dhe madhështisë pellazge autori ndalet të modelimi civilizues, duke identifikuar strukturat e kulturës materiale dhe shpirtërore, po edhe shtetërore, madje edhe monarkike, që shtriheshin nëpër gjithë Gadishullin Ilirik. Duke identifikuar elementin hyjnor të tyre autori veçon dy aspekte, atë të derviacionit etnik mbi baza mitologjike: dardanët hyjnor dhe ilirët tokësor. Ky moment mbase duket se shfaqet si iniciues mbi fliacionin paralel iliro-dardan, por edhe maqedonas, trakas e dako-miz. Po kaq me rëndësi është të themi se zbardhja fakti se ekzistenca e mbretërisë pellazge, përkufizimet siç ishin ato rreth identitetit të një grupacioni etnik, si bashkësi kulturore, dukuri kulturore, grupime kulturore e deri te bashkësi fisesh shkrihen nga organizmi shtetëror, madje monarkik. Nga ky organizim kanë derivuar pasardhësit, ilirët, dardanët, maqedonët, epirotet, të cilët shpesh cilësohen edhe si bashkësi fisesh, siç janë grupimi dardan me Galabrët,Thunatet,Daunët, sikundër edhe thesprotët, kasopët, amfilohët, molosët (fisit mbretëror Aiakidë i Pirros)dhe athamanët fise epirote…(Straboni), po edhe pelagonët, peonet, pirejët, eodejet, almopët, botiejët ,Orestët. Linkestët që e popullonin Maqedoninë që në hershmëri quhej Emathia (Mati i sotëm), ndonëse që të gjitha shfaqen përmes organizimeve shtetërore. Po këtu autori e demaskon falsifikatin e madh grek dhe jo vetëm grek mbi identitetin helen të trashëgimisë shtetërore, po edhe kulturore, gjuhësore dhe shpirtërore të pellazgëve Normalisht se kjo tezë mbi identitetin e rremë helen të një kulture të përvetësuar as është e re e as e panjohur, porse prapa identitetit të vërtetë pellazg, si parësorit, qëndron rudimenti i sotëm i gjallë shqiptar në Ballkanin e tanishëm.

b)Argumenti mitologjik

Në procesin e objektivizmit të tezave mbi origjinalitetin e kulturës pellazge dhe filiacionit iliro – dardan J, Buxhovi shfrytëzon edhe empirinë mitologjike, e cila paraqet segment tejet të rëndësishëm të trashëgimisë shpirtërore pellazge, duke nxjerrë në shesh mitet mbi lindjen e popojve themeltarë, çfarë është ai mbi të bijtë e Polifemit dhe Gallateas : Ilirit, Galit dhe Keltit. Ndërkaq Ilirit, gjithnjë sipas Strabonit, i lindën fëmijët Enkeleu. Autarieu, Dardani, Medi, Taulanti dhe Perebi, nersa nga vajzat : Partha. Daortha dhe Dasara. Po kaq me rëndësi është përmendja edhe e pasardhësit e Autarieut : Panoni dhe Pajoni dhe nipat e tij, të bijtë e Pajonit, Skordisku dhe Tribali.

Normalisht se vëmendje më të madhe do t’i kushtohet Dardanit, paraardhësit hyjnor, emrin e të cilit e bart fisi i tij, themeluesi i Trojës dhe dinastisë që do ta pushtojë Europën me ‘lozën’ e tyre sunduese. Dardani është i biri i Zeusit dhe të bijes së Atlantit, Elektrës dhe baba i Eriktonit, Idit dhe Ilit, kurse Eriktoni pati të birin Troin, në bazë të të cilit merr emrin edhe Troja. Pra, sikundër mund të shuhet, në qëndër të vëmendjes është Dardani themeluesi i Trojës, e cila bëhet edhe qendra mitike e antikitetit, e përjetësuar në epin e njohur homerik, Iliada. Mirëpo ky mit e ka edhe një themel real, ngase Dardani lidhet edhe me Tirenët apo Etruskët, duke u bërë kështu hallkë lidhëse e një areali më të gjerë pellazg.

c)Argumenti arkeologjik

Krahas dëshmive shpirtërore e kulturore, çfarë ishin mitet, religjioni, doket e zakonet, autori teorinë e vet mbi lidhjet pellazgo-iliro-dradane i mbështet edhe në argumentimin arkeologjik, duke identifikuar deri edhe ndërtimet e njohura ciklopike, (mbetjet të të cilave i kemi deri në kohën tone edhe në Kosovë), që në Troja (identifikimi i Trojës nga Shlimani), Kretë , Mikenë, së pari si vendbanime e pastaj edhe si mbetje të formave të tjera, Të kujtojmë vetëm të ashtuquajturën “kulturën e Vinçës” dhe arsenalin e tërë të figurave zoomorfe dhe antropomorfe si dhe pllakave ku dëshmohet alfabeti i lashtë pellazg ende i pa deshifruar që daton nga periudha e neolitit dhe që thyen mitin mbi huazimin e alfabetit fenikas nga Kadmi. Këto gjetje, bashkë me të tjerat të periudhës së broncit, dëshmojnë procesin e formimit të identiteteve parahistorike e që, siç thotë autori, do t’u prijnë atyre historike. Në këtë plan edhe gjetjet në Kosovë nuk janë të parëndësishme, veçmas figurat zoomorfe që verifikojnë tezën mbi vjetërsinë e padiskutueshme të pranisë pellazge më të gjitha derivatet në këto troje.

Ç) Argumenti gjuhësor

Pa dyshim se argument më i fuqishëm për lidhjet e drejtpërdrejta pellazge -ilire dhe pellazge-dardane është ai gjuhësor. Këto lidhje, po qe se duam t’i kthehemi historisë së problemit, duhet marrë parasysh pohimin e këtyre lidhjeve që i gjen Johan Georg von Han-i mes gjuhës shqipe dhe mbetjeve të gjuhës pellazge, e cila nuk është asgjë tjetër, pos gjuha e vjetër e quajtur gabimisht “greqishtja” e vjetër. Po edhe enigma e dëshmive gjuhësore të Linearit A dhe të Linearit B që shpie nga shqipja si i vetmi çelës për zbërthimin e kësaj enigme.

Po një argument të ngjashëm mund ta gjejmë edhe në përpjekjet e vetë shqiptarëve për ta rikrijuar një alfabet të vetin në bazë të trashëgimisë së vjetër, çfarë ishte, fjala vjen, alfabeti i “Anonimit” të shekullit XVII, me 56 grafema, që ndiqet edhe nga alfabeti I Dhaskal Thodrit. Autori i bën retrospektivë problemit, duke qartësuar rrugën e identifikimit të gjuhës shqipe me burimësi indoeuropiane (Lajnbnici, Franc Boop, Gustav Mayer, Holger Pedersen, etj.). Po kaq vëmendje autori i ka kushtuar edhe zgjidhjes së problemit të dallimit mes ilirishtes dhe shqipes, ku para i takonte grupit centum të gjuhëve, kurse shqipja atij satem, me ç’rast thërret në ndihme filologun e njohur serb me reputacion botëror, Milan Budimir, i cili kishte dhënë kahe këtij problemi, duke identifikuar te shqipja ekzistencën e guturaleve të dyfishta, me të cilën bëhet pajtimi dhe ruhet kontinuiteti pellazg-ilir – dardan – shqip.

Iliada – historia shpirtërore e pellazgëve dhe e pasardhësve të tyre

Jusuf Buxhovi duket se është ithtar i pohimit mbi ekzistencën e një modeli të lashtë civilizues pellazg, çfarë do të dëshmojë policentrizmin e lashtë kulturor. Ai prandaj kërkon shenjat identifikuese të këtij civilizimi, si në planin material (ndërtimet ciklopeike që shtrihen ane e mbanë Gadishullit Ilirik e veçmas në territorin e sotëm grek. Po kaq rëndësi i kushton edhe aspekteve shpirtërore dhe kulturore, kur heton mbetjet deri në kohët e sotme të tyre, qofshin ato doke dhe zakone, siç mund të jetë besimi l lashtë i ruajtur në forma rudimentare në besimet e trashëguesve të këtij etniteti, qoftë ai fosil gjuhësore, prapë të ruajtura te rudimenti etnik, siç janë shqiptarët, sikundër edhe në eposet e njohura si Iliada dhe Odisea, sikurse edhe ne dramat e antikitetit “grek”. Madje epi homerik, Iliada shërben si fundament për rikonstruktimin e një kulture pellazge dhe të pasardhësve të tyre. Dihet botërisht se Iliada është një ep që e këndon Luftën e Trojës, një luftë mes fiseve pellazge me një motiv pothuajse tipik shqiptar, lufta që ka si shkas rrëmbimin e një femre, Helenës së bukur nga Parisi, (Aleksandri) dhe i biri i mallkuar i Priamit. Kjo luftë në thelb është lufta e dardanëve kundër fiseve pellazge kontinentale. Kështu, jo vetëm lufta, por edhe rrënimi i Trojës, është hallka e një zinxhiri të gjatë të ngjarjeve që do të ndikojnë në konfigurimin edhe politik dhe etnik të Ilirikut, Apenineve, por edhe te Gadishullit Iberik, madje edhe ishujve britanikë (themelimi legjendar i Londrës nga nipi i Eneut. Bruti, në viti 1103 para erës sonë). Në këtë epos gjinden shenjat e një jetë, një filozofie, etnopsikologjie, morali dhe mënyre jetese, që mund të jetë karakteristike për fiset e lashta pellazge, por që rudimentet e saj mund të gjinden edhe në kohën tonë. Se është një epos pellazg shihet edhe nga prania minimale, Iliadë vetëm në një rast, të përmendet etnonimi “Helen”, gjë që na bën të besojmë së është futur më rastin e përkthimit nga frigishtja nga një këshill apostafat të formuar me urdhrin e tiranit Pizistrat, në vitin 560 para epokës sonë. Iliada, jo vetëm se është një vepër komplementare në korpusin letrar të kulturës pellazge, bashke me eposin tjetër, “Odisenë”, por edhe me dramaturgjinë e pa shëmbëlltë të klasikëve, si Eskili, Euripidi. Sofokli dhe Aristofani.

Shteti dardan dhe roli i tij në perandorinë romake

Një pjesë të konsiderueshme të vëllimit të parë të historisë së Kosovës i kushtohet identitetit dardan dhe dallimit të specifikave që e veçojnë nga degëzimet e tjera pellazge, ilirët, epirotët dhe maqedonët, por gjithnjë me një përpjekje për t’i gjetur edhe përkimet, qofshin ato të karakterit etnik apo edhe gjuhësor. Është i njohur fakti historik se Dardanët janë një etnitet idhnak sa që shpesh cilësohen si të egër (Straboni), si pronar të masave të tëra robërish (Diodori), sikundër edhe ngjashmëritë që kanë mes veti, qoftë me maqedonët e Aleksandrit të Madh, epirotët, veçmas me mollosët e Pirros legjendar, por edhe lidhjet e mundshme me Tyrenet (Etruskët), që konsideroheshin aristokracia drejtuese e perandorisë së mëvonshme romake. Mirëpo Dardanët në antikitet dëshmohen si një popull i organizuar që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e njerëzimit. Kur flitet për organizimin shtetëror, politik dhe ekonomiko – shoqëror gjithnjë duhet nisur nga dëshmia homerike, ku kemi të dhëna mbi formën monarkike të organizimit shtetëror dhe bartjen e këtij modeli nëpër vendet nga shtegtuan dardanët. Po edhe në shekujt pasues Dardanët, gjykuar sipas të dhënave të tërthorta, qoftë kur flitet për historinë e popujve të tjerë dhe fërkimet e tyre me fqinjët, kryesisht me maqedonët (simbas Justinit, EpitomaHistoriarum Philippicum Pompei Trogi, Libri I VIII.6), por edhe nga burime të tjera, në radhë të parë romake (Straboni, Ptolemeu) ata kanë paraqitur shtetin rival me maqedonët apo me romakëve, më vonë. E çka është më karakteristike në këto rivalitete dardanët zakonisht ishin aleatë të romakëve kundër maqedonëve. Mbase në këtë moment duhet kërkuar arsyen në lidhjet e hershme dardano romake, që nga Eneu, traditë nderimi (M.Budimir) që është kultivuar edhe nga Cezari, Oktavian Augusti, Kaludi dhe shumë të tjerë. Këto lidhje të hershme janë arsye pse Dardanët integrohen brenda kësaj perandorisë dhe në një periudhë prej disa shekujve, që nga Diokleciani, Konstandini Madh e deri te Justiniani që njihen si restuarues të Perandorisë Romake. Pikërisht ata shekujt e errët, të cilët historianët i gjejnë në kontinuitetin ilir përgjithësisht duhet gjetur në integrimin e ilirëve në strukturat e larta të Perandorisë Romake sa ajo shpesh cilësohej edhe si Perandori Iliro-Romake. Brenda shekujve të përmendur pikërisht Dardanët janë ata që i japin kahe zhvillimit dhe ruajtjes së konceptit të perandorisë botërore. Kështu, gjatë kësaj periudhe edhe në planin politik, po edhe në atë kulturor dhe legjislativ perandoria romake-bizantine shfaqet si e restauruar.

Dardanët në Mesjetë

Periudha e Mesjetës, meqë është etapa e dytë e trajtimit të historisë së Kosovës, kërkon mbase edhe një shpjegim të vogël, në pajtim me konceptin e periodizimit.

Termi Mesjetë është në përdorim vetëm nga fillimi i shekullit XIX. Ndarjen nga periudha e Antikës e ka bërë, si duket, historiani dhe humanisti Italian Plavio Biondo, (në veprën e tij “Historiarum ab inclinatione Romanorum decades”) , më 1453. Data më e shpeshtë për fillimin e Mesjetës është rënia e Perandorisë Romake, e vitit 476, por edhe themelimi i Kostandinopojës, viti 330, apo edhe ndarja që i bëri perandori Teodosi, në pjesën lindore dhe perëndimore,(395). Por, sa I përket historisë sonë nacionale kufiri më i besueshëm është ai i kalimit te fronit perandorak nga Roma në Kostandinopojë. Arsyeja e pranimit të këtij kufiri është se faktori Dardan brenda Perandorisë Romake fuqizohet deri në atë masë sa bëhet etni e drejtimit perandorak, veçmas duke pasur parasysh se Dardanët, që nga antikiteti i hershëm kanë kultivuar aristokracinë ushtarake. Është kjo periudhë kur në skenën botërore për herë të dytë Iliriku bëhet qendër e zhvillimeve botërore. Nuk është e rastit pse në këtë periudhë ndodhin ngjarjet kyçe për civilizimin botëror: shndërrimi i “Bizantit ilir” (term i Milan Budimirit, me gjase i huazuar nga Malten ( L. Malten, Archiv f. Religionsëissensch. 29, 57 i St. Casson, Macedonia, Thrace and Illyria 325,-), i cili zbardh lidhjet e lashta Dardano – Romake. Kësaj ngjarje të madhe i kanë paraprirë edhe Edikti I Milanos, (313), ku feja e krishterë bëhet një ndër besimet e barabarta në perandori, sikundër edhe organizmi i Koncilit të Nikesë, viti 325), me të cilat perandoria jo vetëm se fiton themelet e forta në Ilirik, por edhe rimodifikon modelin civilizues që ka zanafillën në atë pellazgjike.

Vulë gjithë këtij procesi të ridefinimit të trashëgimisë pellazge është periudha e Bizantit, kur drejtohet nga perandori më i madh, pothuajse në gjithë historinë romako-bizantine, Jusitiniani nga Taurisiumi iliro-dardan. Derisa Diokleciani arrin që të ndryshojë politikat e qeverisjes, duke sjellë në krye një formë të administrimit nga aristokracia ushtarake, ku mekanizmat e tjerë qeverisëse si senati, etj margjinalizohet, kurse Kostandini i Madh bën ridefinimin e perandorisë në planin shpirtëror dhe administrativ, Justiniani është ai që do t’i japë formë perandorisë në planin legjislativ, sepse është koha kur ai tubon dhe kryeson punët rreth përpunimit dhe risistemimit të ligjeve të vjetra, por edhe të krijimit të një legjislacioni bazik të shtetit të rigjeneruar. Janë të njohura vëllime e vëllime ligjesh të punuara në periudha të ndryshme, të cilat perandorisë së Justinianit i japin pamjen e shkëlqyeshme në planin legjislativ. Duhet kujtuar kësaj radhe kodet e njohura si “Corpus iuris civilis”, që sot njihen si “E drejta romake”. Po kaq rëndësi kanë edhe aktet jurdike të mbetura nga baza legjislative e peridhave të përparshme, që risistemohen dhe rifunksionalizohen që njihen si “Digeste”. Mirëpo puna legjislative e Justinianit do të vazhdojë më tej, duke arritur që zhvillimin e perandorisë ta përcjellë edhe me një legjislacion përkatës. Kjo ishte edhe arsyeja e hartimit të “Novelave” (vitet 534 – 535).

Jusitniani njihet edhe si zgjerues i kufijve të perandorisë, për shkak se me një udhëheqje dhe riorganizim ushtarak ai arriti t’ua ulë kokën popujve agresivë, çfarë ishin persët, vandalët dhe gotët. Biografi i tij më i njohur, Prokopi i Cezaresë, i cili me historinë e tij tetevëllimshe “Historia e luftërave (De bellis)” ka përjetësuar fitoret e tij nën drejtimin e ushtarakut të shquar po ashtu ilir, Belizari. Në vëllimin e parë dhe të dytë pasqyrohen luftërat kundër persëve (Bellum Persicum),ndërkaq në vëllimi e tretë dhe të katërtë, “Lufta kundër Vandalëve”, (Bellum vandalicum). Vëllimi I pestë, gjashtë dhe shtatë Lufta kundër Gotëve (Bellum Gothicum) (551), jepet mundja e gotëve të rrebeluar. Libri i tetë,apo i quajtur “laraman”, është plotësues i të përpashmëve.

Justininani njihet si ndër perandorët më të shquar ndërtues. Në kohën e tij janë rindërtuar dhe ndërtuar shumë qytete, kala dhe kisha, veçanërisht në teritorin e Dardanisë. Këto ndërtime janë pasqyruar në libri e quajtur edhe “një lloj penegjiriku”,

“Mbi ndërtimet”(De aedificiis”, libër bazik për identifikimin e aspekteve arkitektonike të Dardanisë, po ashtu të Prokopit të Cezaresë.

Kontributi pamohueshëm i Justinianit është i madh edhe në përpjekjen e forcimin e perandorisë në planin shpirtëror. Pos ndryshimeve që ka bërë në doktrinën teologjike, ai ndërtoi një kompleks të tërë kishtar nëpër Dardani, madje duke e transferuar edhe qendrën episkopale nga Ohri në Justiniana Prima, për t’i dhënë hov rimbëkemëbjes shpirtërore të Dardanëve. Pikërisht ky kompleks kishtar i shpërndarë nëpër qytetet dhe vendbanimet e Dardanisë do të jetë ai që do të përvetësohet në shekujt e mëvonshëm nga historiografia spekulative serbo-ruse dhe sot paraqet krimin më të madh që po vazhdon në Kosovë më përvetësimin arbitrar të serbëve, edhe me pëlqimin e faktorin ndërkombëtar, pikërisht të kësaj trashëgimie justiniane. Këtu mbështet edhe argumenti i autorit, që bën ridefinimin e statusit të kompleksit kishtar në Kosovë, pronar të vëretët të të cilit janë pikërisht shqiptarët. Këtë të drejtë autori do ta dëshmojë edhe më periudhat e mëvonshme, përmes popullatës shqiptare ortodokse të paasimiluar deri ne vitet e ’60-ta të shekullit të kaluar.

Identitetin dardan brenda perandorisë bizantine autori e sheh në tri forma:

a) identiteti vetëqeverisës,

b) identiteti administrative, dhe,

c) identiteti kishtar.

Këto tri identitete argumentojnë praninë dardan-ilire në “errësirën” spekulative të historiografisë së njëanshme.

Po aq sa kanë rëndësi këta perandorë, po aq duhet kushtuar rëndësi edhe dinastive të mëvonshme bizantine që bartin identitetin ilir-dardan.

Në “Kosova-1” Buxhovit vëmendje të duhur i kushton edhe periudhave të krizës së Perandorisë bizantine dhe përpjekjeve dispersive dhe homogjenizuese, njëkohësisht të popujve për vetorganizim, veçmas përpjekjet e vetorganizmit të dardanëve gjatë periudhave të vërshimit të masave slave. Një përpjekje e tillë ishte edhe krijimi i identitetit tribal, që është pjesë e bashkësisë dardane. Pikërisht këtu buron ai problemi i një mosmarrëveshjeje të madhe mes historiografisë sllave dhe asaj shqiptare mbi identitetin etnik të Rashës mesjetare. Pikërisht identiteti dardan, shpesh i pranuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe të tërthortë të shumë historianeve serbë të periudhave të ndryshme, është ai që e aktualizon Buxhovi. Këtu autori pikas edhe gabimet e një pjese të historiografisë sonë, e cila Dardaninë mesjetare, që njihet si principatë rasiane, e trajtojnë me identitet të falsifikuar serb, kur dihet se dokument dhe gjurmë të këtij identiteti nuk ekziston në asnjë dokument. Të gjitha dokumentet bizantine, qoftë “zhupaninë” apo edhe dinastine “nemanjide” e identifikojnë si tribalë, madje këtë identitet e njohin edhe vetë historianët sllavë, por duke ia tjetërsuar bazën etnike se kinse tribalët janë sllavë. Si Joan Kantakuzeni, po aq edhe dëshmitë e Theodor Matohitit, (1270–1332), patriku Filoteu, Gregor Palameu,etj.

Në kuadër të krizës dhe dezintegrimit të Perandorisë bizantine, veçanërisht me shfaqjen e sllavëve dhe inkursionit të njohur në vitin 626, me lejen e perandorit Herakli, dhe kthimit të tyre në brigjet e Danubit e prej aty në pjesët kontinentale të Kroacisë dhe Bosnjës së sotme, por edhe vërshimit të forcave selxhuke të Osmanit, shfaqen edhe principatat e para arbërore, si Despotati I Epirit, mbretëria e Arbrit, etj, të cilat ia hapin rrugën edhe luftërave të Skënderbeut kundër perandorisë pothuajse të konsoliduar otomane në kufijtë bizantin, si vazhduese e Perandorisë bizantine. Me rënien e Bizantit, si një perandori me identitet iliro-dardan, Arbrit fillojnë përpjekjet e tyre për ridefinimin e interesave të tyre vitale, duke u kthyer kah perëndimi dhe duke mbetur i vetmi grupim etnik properëndimor.

Me ardhjen e turqve në Gadishullin Ilirik (termi Ballkan ka filluar të përdoret nga viti 1810 nga një historian gjerman) dhe rënia e Kostandinopojës në vitin 1443, mbaron Mesjeta, Këtu përputhet kufiri kronologjik i historiografisë botërore me ngjarjet konkrete qe lidhen me fatin e ekzistencial të iliro-dardanëvë që shfaqen me i identitetin e ri, atë arbëror.

Faktori arbëror-shqiptar brenda Perandorisë osmane

Vëllimi i dytë i historisë së Kosovës ekspansionin osman, mbindërtimin e perandorisë së re mbi mbetjet e Perandorisë bizantine, me një element të ri, inkuadrimin e islamizmit si një lloj të ri të universalizmit, që e kishte humbur Bizanti, por edhe me integrimin dhe faktorizimin e elementeve barbare sllave, avare dhe mognole. Edhe vetë turqit ishin një fis mongol, por që arritën të transformohen pikërisht nga aftësia për të përthithë përvojat perandorake të Bizantit. Ardhja e tyre në Ilirik, ballafaqimi me mbetjet bizantine që e kishin sjellë vetën vetëm në suaza të një kryeqyteti, çfarë ishte Kostandinopoja, ballafaqimi me principatat e dala pas shkapërderdhjes së Bizantit, duke shfrytëzuar armiqësitë e tyre të brendshme, bëri që ata të behën në njëfarë mënyrë edhe trashëgimtar së paku i administratës së vjetruar, të cilës i dhanë gjak të ri. Perandoria otomane fillimisht do të mbështet në aleancën me sllavët dhe në refuzimin e ashpër arbëror. Mirëpo dardano – abrërorët me kohë do të diferencojnë dy prirjet: atë integruese, si element shtetformues që përfaqësohej nga aristokracia e mbetur kalorësiake, dhe, prirjen e kundërt, orientimin properëndimor, si një përpjekje të re për rrumbullakësimin e identitetit. E tillë, sipas autorit, është edhe rezistenca e Skënderbeut, i cili lë të gjitha pozitat e larta brenda Perandorisë otomane, për t’u lidhur me prirjet e reja nga Perëndimi, i cili kishte filluar profilizmin civilizues në mbështetje të parimeve themelore që ishin formuluar që nga Diokleciani, Konstandini dhe Justiniani. Megjithatë, Iliriku, më konkretisht territori i Dardanisë antike prapë do të mbetet arena kryesore e zhvillimeve politike. Të gjitha luftërat dhe ballafaqimet civilizuese do të ndodhin në Dardani, dy beteja të njëpasnjëshme, po kaq edhe kërkesa që këtë element ta integrojë brenda strukturave drejtuese do të jetë po aq i rëndësishëm. Këto dy prirje shpesh do të bien ndesh, sepse njëkohësisht elementi arbëror do të jetë edhe shtylla kurrizore e administratës otomane, edhe për shkak të superioritetit racor. Ky është edhe një ndër faktorët pse forca kryesore e Perandorisë Otomane qëndron në pjesën europiane, mu pse mbështetej në trashëgiminë e lashtë pellazgjike, bartës të të cilës kanë qenë ilirët,dardanët po edhe dako mizët, trakët, etj. Më të drejtë konstatohet edhe ndryshimi racor i popullatës mongole dhe shfaqja e tipareve dominuese të indigjenëve të Ilirikut. Duke qenë edhe faktori kryesor të të gjitha zhvillimeve të rëndësishme brenda kësaj perandorie mbështeten mbi kurriz të popullatës arbërore. Mirëpo kthesë tejet e rëndësishme ndodh me shfaqjen e Rusisë si faktor i politikës europiane, veçmas gjate Krizës Lindore.

Jusuf Buxhovi jo pak hapësirë i kushton edhe periudhës së zgjimit kombëtar dhe përpjekjeve për pavarësi. Edhe këtu Iliriku shfaqet si një skenë e zhvillimeve të mëdha dhe të implikimeve edhe ta faktorit europian, po edhe rus, viktimë e të cilit do të jenë pikërisht vetë shqiptarët. Rëndësi të veçantë ka prania e faktorit austro-hungarez dhe gjerman dhe ndihmesa e tyre për krijimin dhe profilizimin etnik të shteteve nacionale, më së shpeshti në dëm të shqiptarëve. Roli austro-hungarez dhe gjerman do të jetë aktiv, veçanërisht duke u nisur nga fakti se implikimi rus në Ballkan duhej vënë një digë, po edhe inercionit sllav që të lidhen me popullin me të cilin kanë afërsi gjaku, me Rusinë cariste. Edhe këto ndërhyrje, sidomos përpjekjet për ndikim në profilimin e identiteteve nacionale, si në planin kulturor-gjuhësor, po aq edhe në stimulimin e prirjeve perëndimore do të shkojnë huq ngase investimi i tyre , si në Greqi, e cila falë angazhimit europian, do të fitojë pavarësinë më 1821, në dëm të shumicës arvanitase. Po kështu do të ndodhë edhe me krijimin e shtetit serb në një territor ku ata ishin minoritet. Çdo konsultim i literaturës historiografike që merret me aspektet demografike të shekullit XIX do të ballafaqohen me faktin se serbët në këtë territor gjatë kohës kur u themelua principata serbe ishte I banuar më pak se një të tretën me serbë. Krijimi i një shteti pa serbë, sepse ata tradicionalisht ishin të vendosur në territorin e Kroacisë së sotme, Bosnjës dhe Hercegovinës, bëri që shteti i ri serb të kalojë nën tutorinë ruse, të cilët bëhen edhe hartues të programeve nacionale, si “Naçertania”, (1844) , por edhe të “Megaliidesë” greke. Po pas kësaj ideja e krijimit të shtetit nacional dhe e zgjimit kombëtar i përfshiu edhe shqiptarët, të cilët që me 1836 me “Ençiklikën” e Naum Panajot Bredhit, shtrojne programin për një çlirim nacional, ide që propagandohej njëkohësisht edhe nga arbëreshet e Italisë, të cilët kanë një kontribut të pamohueshëm. Si Lidhja Shqiptare e Prizrenit, po ashtu edhe rezistenca e zhvilluar në dekadën e parë e shekullit XX, gjeti truall në tokën e Dardanisë antike, duke u bërë arenë edhe ngjarjeve politike, në veçanti duhet dalluar rolin e ideologut te pavarësisë së Shqipërisë, Hasan Prishtina, por edhe kryengritjet e Kosovës.

Jusuf Buxhovi në këtë vëllim normalisht se shtron probleme që prekin të gjitha segmentet e jetës, prej sferës politike, ekonomike, ushtarake, kulturore etj, duke e spikatur edhe rolin e diplomacisë ndërkombëtare në zgjidhjen e problemeve ballkanike. I vetmi popull europian, për të cilën gjë bënte përpjekje Perandoria otomane ta bëjë pjesë të vetën etnitetin shqiptar, mbeti me një përkujdesje minimale ndërkombëtare. Hyrja e shqiptarëve në një planimetri më të gjerë gjeostrategjike i gjeti ata jo të përgatitur sa duhet për profilizim identitar, po aq sa i gjeti edhe një pjesë të tyre në strukturat e larta të shtetit, të kulturës dhe të zhvillimeve shpirtërore sa elementi shqiptar llogaritej si I vetmi gjenerues të procesit të përtëritjes së Perandorisë Otomane. Kjo edhe ndodhi. Shqiptarët ishin ata që i dhanë bazë moderne kulturës turke përmes Sami Frashërit, sikundër që ishin bartës i lëvizjes xhonturke, dhe formësues të pamjes proeuropiane të Turqisë bashkëkohore, duke ia ndërruar edhe alfabetin dhe duke e europianiazuar atë.

Një hapësirë të madhe autori i kushton zhvillimeve që shpijnë në pavarësi, por edhe konflikteve të brendshme, që ishin rezultat i ndërhyrjeve nga jashtë.

Me shpalljen e pavarësisë, ku Vilajeti i Kosovës mbetet jashtë kufijve të shtetit të ri shqiptar, edhe pse ishte agjensi kryesor i Krizës Lindore në kohën e ridefinimit të identiteteve të reja shtetërore dhe nacionale në Ballkan, Kosova fillon rrjedhën e vet bifurkative, që do të çojë në rifillimin e përpjekjeve të reja, por pa asnjë ndihmesë nga “shteti amë”, duke luftuar herë për ekzistencë, ngase i nënshtrohej proceseve të vazhdueshme gjenocidale, katra me radhë, e herë duke fituar ngapak subjektivitet, që varej nga ndryshimet në skenën politike të Ballkanit, duke kaluar nëpër një luftë ballkanike, dy luftëra botërore, për të arritur deri në periudhën kur Kosova lufton për subjektivitet të plotë shtetëror.

Kosova ne shekullin XX

Vëllimi i tretë i Historisë së Kosovës (“Kosova – Nga Konferenca e Londrës deri te protektorati ndërkombëtar”), i Jusuf Buxhovit i kushtohet në plotëni shekullit XX, duke ndriçuar paralelisht faktorin e brendshëm kombëtar dhe përpjekjet e të gjitha formave për konsolidimin e shtetit shqiptar, por dhe interferencën e faktorit ndërkombëtar me vendosjen e Princ Vidit në krye të shtetit të ri kaotik, sikundër edhe pozicioni i shtetit shqiptar në periudhën e ridefinimit të sferave të interesit, si në Konferencën e Ambasadorëve, në dhjetor të 1912-tës, ku përcaktohej statusi i shtetit të ri nën suzerenitetin e Sulltanit dhe nën garancitë e të gjashte Fuqive të mëdha, duke angazhuar Austro-Hungarinë dhe Italinë si hartuese të projektit për sovranitetin e shtetit. Po kaq hapësirë i kushtohet edhe vendimeve të Konferencës së Londrës të 23 korrikut të vitit 1913, ku Shqipëria njihet përfundimisht si shtet nën drejtimin e një princi nga jashtë.

Siç shihet, autori kufirin periodizues e ka marrë nji datë historike të pakontestueshme, çfarë është 1912-shi. viti i shpalljes së pavarësisë, më të cilin telashet e shtetit të ri vetëm sa modifikohen. Ky vit pason me ngjarjet si është Lufta Ballkanike, por edhe Lufta e Parë Botërore dhe lidhja e fatit të Shqipërisë me aleancën humbësve dhe rolin e disa forcave që ishin në anën e koalicionit fitues.

Autori më një përqendrim të mbështetur në faktografi të dorës së parë merret me ngjarje relevante, siç është mbetja e Kosovës jashtë kufijve të shtetit, organizimi i mekanizmave të ndryshëm që do të luftojnë për një integrim të mundshëm, sikundër edhe më qëndrimin pragmatik e më pak kombëtar të qeverive shqiptare në raport me Kosovën, veçanërisht të Zogut si kryeministër, president e pastaj edhe mbret për një dekadë .

Duke e parë se fati i Kosovës është i vulosur përfundimisht që të mbetet jashtë kufijve të shtetit shqiptar, autori i kthehet trajtimit të fatit të këtij etniteti dhe qëndrimin e politikës serbo-jugosllave ndaj saj, duke u ndalë posaçërisht projektet gjenocidale për zbrazjen e Kosovës nga popullat shqiptare, (te kujtojmë kate gjenocide me radhë ndaj popullsisë shqiptare nga shteti serb-jugosllav).

J. Buxhovi vëmendje të posaçme vë periudhës së Luftës së Dytë botërore, duke e favorizuar, sipas një logjike normale të nji historiani të profilizuar, të çështja e përkatësisë së popullatës shqiptare koalicionit fitues të luftës, duke e fituar të drejtën së paku të vazhdimësisë së ekzistencës në truallin e vet historik.

Një pjesë të mirë të librit i kushtohet zhvillimeve gjatë luftës, ngjarjeve kapitale të saj, siç është Konferenca e Bujanit dhe vendimeve të saj, që paraqesin një bazë të pamohueshme në shkallët nga realizmi i aspiratave të shqiptarëve të Kosovës për mvetësi, duke trajtuar edhe akterët kryesor të kësaj ngjarjeje. Po kaq vëmendje I kushtohet edhe procesit të integrimit të Kosovës brenda federatës serbo-jugosllave përmes futjes së gjendjes ushtarake dhe “legjitimimit” të aktit të aneksimi i Kosovës në Kuvendit të Prizrenit.

Po kështu edhe periudha e pasluftës, zhvillimet e brendshme, që nga format e organizimit politik, duke filluar nga NDSH dhe trashëgimia e saj, që duhet marrë shfaqjen lëvizjes ilegale të krahut të Metush Krasniqit e deri të lëvizjet ilegale të krahut të majtë, me të gjitha profilet e saj, paraqesin zhvillime që përfshin optika shkencore e historianit Buxhovi. Me kujdes dhe vëmendje trajtohet pozita e shqiptarëve të nënshtruar rishtas reprezaljeve qëllimi i të cilave është përndjekja e shqiptarëve nga Kosova dhe zëvendësimin e tyre me kolonizatorët serb, por edhe zhvillimeve të tjera në skenën politike jugosllave qëë lidheshin edhe me statusin e Kosovës.

Po kështu autori, duke pas mundësi më të madhe të dokumentimit të procesit historik, periudhën e pasluftës e sheh edhe si pjesë të luftës brenda institucioneve të sistemit, me ç’rast Kosova arrin të ridefinojë statusin e vet nga statuti si territor i ngushtë administrative e deri tek kushtetuta e vitit 1974, me të cilën subjektiviteti i saj arrin të jetë si pjesë përbërëse e federatës jugosllave, fakt që do të merret parasysh edhe nga Komisioni Badinterit, por edhe nga Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës (më 2008), ndonëse nga Komisioni i Badinterit nuk mori përgjigje pozitive, pos as iu mohua e drejta për vetëvendosje. Po kaq autori ndjek me vëmendje zhvillimet politike që shkojnë ndesh subjektivitetit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, veçanërisht hartimin e projektit për rrënimin e statusit kushtetues, nga i skicuar në të ashtuquajturin “Libri i kaltër”, (viti 1978). Këto zhvillime u forcuan posaçërisht në vitet e tetëdhjeta, mbas vdekjes së J.B. Tito, dhe në fillim të të nëntëdhjetave, kur filloi dezintegrimi i përgjakshëm i ish federatës jugosllave.

Një pjesë të rëndësishme të librit zë trajtimi i organizmit të rezistencës institucionale në fund të viteve të tetëdhjeta dhe fillim të nëntëdhjetave. Me krijimin e LDK-se dhe fillimin e luftës institucionale për shtetin e Kosovës. Autori bën një riinterpretim në distancë edhe të bazës politiko juridike të embrionit të shtetit të Kosovës, duke sjellë vlerësime të qëndrueshme rreth funksionit të tyre në një fazë të shtetndërtimit.

Po ashtu Buxhovi trajton edhe organizmin e rezistencës së armatosur që shpie deri në intervenimi i forcave të NATO-s.

Po kaq objekt shqyrtimi në këtë libër bëhet edhe trajtimit të Kosovës në planin ndërkombëtar, mospjesëmarrjes së Kosovës në Konferencën e Dejtonit për shkak të paralajmërimit të një konference ndërkombëtare të veçantë vetëm për Kosovën, çfarë ishte ajo e Rambuje-së.

Historinë e vet Buxhovi e shpie deri të fundi i kufirit kronologjik, deri të intervenimi I forcave ushtarake të NATO-s dhe vendosjen e protektoratit ndërkombëtar në Kosovë, duke e lënë të hapur mundësinë për një vazhdim që do të përfshinte periudhën deri të shpallja e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran (17. II. 2008).

Përkufizime

Historia trevëllimshe e Kosovës e Jusuf Buxhovit, pos një kronike të dokumentuar të ekzistencës së etnisë pellazge- ilire- dardane – abrore – shqiptare, është njëkohësisht edhe histori e shtetit të këtij etniteti që ka kaluar nëpër faza të ndryshme, që nga Mbretëria dardane e periudhës së hershme të hekurit, për të vijuar me formimin e mbretërisë Trojane, pas dyndjes së madhe të Egjeut, bashke me Brygët, që pas rrënimi të saj për t’u shpërndarë nëpër gjithë vendet auropiane , duke themeluar dinasti të shumta mbretërore. Po kaq nuk duhet harruar rithemelimin e mbetjeve të dardanëve të shteti në Ilirik si rival të ashpër të maqedonëve, romakëve, por edhe të popujve të shumtë që lakmonin këtë gadishull.

Më shumë se kjo, “Kosova” e Buxhovit është pikërisht histori shpirtërore e pellazgëve dhe shtratit gjenetik të Europës së mëvonshme. Duke u nisur nga pikëpamja mbi policentrizmin kulturor bëhet i qëndrueshëm mendimi se dy janë qendrat botërore që i kanë dhënë botës këtë pamje që ka sot: njëra është Sumeria e vjetër, rudimentët kulturore dhe shpirtërore që shpjejnë nga pasardhësit hebrenj, pikërisht pse gjuha e tyre, (hebraishtja e vjetër), është edhe gjuhe sumero – akade.

Si oponencë e kësaj vjen qendra civilizuese pellazgjike, e dokumentuar jo vetëm përmes dy eposeve të mëdha homerike (“Iliada” dhe “Odisea”), të Heisiodit, por edhe përmes një dramaturgjie grandioz dhe mendimit filozofik antik. Trashëgimtar i kësaj kulture grandioze në planin gjuhësor, ashtu siç dalin hebrenjtë për kulturën sumere, janë shqiptarët si rudiment etnik i gjallë që trashëgon këtë kulturë. Libri i Buxhovit sa qartëson vijën kronologjike të substratit gjenetik pellazge – dardan, po aq edhe vijën e ndërtimit të një trungu gjenealogjik të kulturës europiane, qoftë përmes ekspansionit të trojanëve nëpër Europë, apo edhe ndërtimit të modelit kulturor kristian përmes përkthimit të Biblës nga Shën Jeronimi, krijimit të himnit bazë kishtar, “Te Deum” të Niketë Dardanit, legalizimit të krishterimit nga Konstandini i Madh apo ndërtimit të një sistemi legjislativ që ka shërbyer si model i organizimit shtetëror me shekuj për gjithë Europën, që e beri Justiniani.

Po kjo “Histori e Kosovës ofron edhe një pasqyrë tjetër, çështjen dardane, përndjekjen e një populli që me shfaqjen e sllavëve në Ilirik, por edhe të dominimit të Perandorisë Otomane, që herë përvetësonin një trashëgimi grandioze e here, duke u përpjekur ta fshijnë nga faqja e dheut këtë popull, siç e kanë quajtur të gjithë autorët antik, si hyjnor. Katër gjenocide vetëm brenda një shekulli mbi shqiptarët e Kosovës të zhvilluar para syve të gjithë botës dhe të mjegulluar nga propaganda ruse – serbe me të vetmin qëllim, të bahen pronar të historisë së tyre.

Derisa hebrenjtë duke iu përkushtuar librit, dijes dhe mësimit, aritën të ndërtojne mekanizma mbrojtës dhe njëherit i dhanë botës matricën religjioze, pellazgo – dardanët ia falën botës fytyrën europiane dhe përmbajtjen gjenetike.

Historia e Jusuf Buxhovit, në momentin aktual shtron edhe çështje të tjera:

1.Idenë për ridefinimin e trashëgimisë shpirtërore në radhe të parë dhe material, në radhë të parë kompleksin ekleziastik në Kosovë që është përvetësuar përmes fallsifikateve të ndryshme historike nga shteti serb që nga shekulli i XIX-të.

2.Problemi i ridefinimit edhe të identiteteve politike greke dhe serbe, duke e zbardhur faktin se janë dy krijesa artificiale të sajuara në territoret ku ata ishin popullatë pakicë dhe kanë mbijetuar përmes gjenocideve të njëpasnjëshme mbi popujt indigjenë,

3.Ridefinimi edhe i politikave të bashkësisë ndërkombëtare që kanë për Ballkanin sepse me defalsifikimin e del në shesh realiteti i ri historik dhe e drejta e vërtetë historike ndaj Kosovës.

4.Duke i ridefinuar këto identitete edhe politika të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës kërkon revidimet e duhura veçanërisht në Pakon e Ahtisarit,që krijon zona të eksteritorialiteti për kishën e rreme serbe në Kosovë, e cila duke përvetësuar kompleksin ekleziastik, është marrë më shumë me hartimin e projekteve gjenocidale se sa më përhapjene fjales së shenjtë, duke e ditur se janë objekte në pronësi shqiptare.

5.Nga ky libër shtrohet edhe nevoja për një ekspertizë ndërkombëtare rreth verifikimit të identitetit të gjithë një kompelski eklesiastik, që së paku duhet të trajtohet si objekte kulti serbe, por si objekte kulturore shqiptare.

Duke u marrë me historinë e shtetësisë së Dardanisë –Kosovës libri i Buxhovit nxjerr në shesh në planin e brendshëm mungesën e një vetëdije historike të klasës sonë politike, e cila që nga teksti Deklaratës së Pavarësisë, që niset nga viti zero, duhet ta trajtojë Kosovën si një trashëgimi të vetën e jo si prone me shume pronarë, çfarë është koncepti multietnik

Ky libër me të vërtet do të shkaktojë kokëçarje, por zbulimi i vonë i identiteteve, veçanërisht i identitetit të vërtetë europian, do të bëjë rivendikime, së paku në ndërgjegje, të kufijve të gabuar që bëhen përmes përdorimit të dhunës. çfarë ndodhi në pranverë të vitit 1999.

Analogjia mes realitetit historik që e kemi sot si trashëgimi nga politikat trivale dëshmon edhe një gjë: idetë liridashëse europiane dhe përpjekjet europiane për emancipimin e popujve të Ballkanit janë të manipuluara sa nga vetë ata popuj, në radhe të parë grekët dhe serbët, si dy popuj që gjenerojnë destabilitet në Ballkan dhe (Europë) po aq edhe nga Rusia, që dëshmon miopinë e diplomacisë europiane në raport me atë ruse që po ndodh edhe në ditët e sotme.

Libri i Buxhovit, fare në fund, bën një katarzë në ndërgjegjen tonë, ia kthen dinjitetin shqiptarëve të Kosovës dhe i bën krenar me të kaluarën e tyre, me rrënjët dhe kontributin e tyre që Europa falë tyre e ketë këtë fytyrë shembullore civilizuese.

Ndërkaq historiografia shqiptare do të detyrohet të revidojë pikëpamjet e veta, të ndryshojë metodologjinë e vet dhe konceptet e veta në trajtimin e historisë nacionale.

(*Studimi u botua në qershor 2012 në gazetën “Koha Ditore” si kundërpërgjigjes ndaj fushatës së ashpër që shpërtheu kundër librit “Kosova” nga Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve si dhe nga disa pseudohistorianë dhe publicistë në një pjesë të shtypit të Kosovës, që iu bashkuan fushatë së Beogradit). / KultPlus.com

Të ngjajshme