25 Mars, 2022 - 10:45 pm
Gazetare e pasionuar, shkrimtare e kulturuar, patriote e paepur, e përshkuar nga një atmosferë magjepsjeje dhe misteri: kjo dhe shumë më tepër ishte Kristina Trivuzlio (Cristina Trivulzio). E lindur në Milano më 28 qershor 1808, në dy familje të shquara, ajo u pagëzua me një grup emrash: Maria Cristina Beatrice Teresa Barbara Leopolda Clotilde Melchiora Camilla Giulia Margherita Laura.
I ati, Gerolamo, vdiq në moshë të re, kur ajo ishte katër vjeç dhe nëna, Vittoria Gherardini, rimartohet me Alessandro Visconti d’Aragona, i cili jo vetëm do ta lidhë me dashurinë atërore, por do rrënjos tek ajo idealet e tij të thella patriotike, që, me të arritur moshën e adoleshencës, do t’i përqafonte me zjarr, duke iu përkushtuar ndërkohë edhe studimeve për shkenca humane. Që e vogël vuajti nga epilepsia, çka e detyroi të pushonte për një kohë të gjatë dhe të kërkonte trajtime novatore në udhëtimet e saj të gjata. Në moshën 16-vjeçare, u martua me Princin Emilio Barbiano di Belgioioso, duke prurë ne vete si pajë një pasuri shumë të madhe, në fakt ajo ishte trashëgimtarja më e pasur në Itali. Bashkimi nuk zgjati shumë, për shkak të tradhtive të vazhdueshme të të shoqit, si rrjedhojë u ndanë në 1828, por mbetën gjithmonë në marrëdhënie të mira. Në 1829, ajo u bë aktiviste politike në seksionin e grave të “Carboneria” (Kopshtaret).
Kristina Trivulzio u afrua me njerëzit më të përfshirë në lëvizjet çlirimtare, me të cilët u ekspozua dukshëm, duke sfiduar policinë dhe spiunazhin austriak. Kur mbërriti në Paris, në 1831, fillimisht e gjeti veten “të pastrehë, pa shtëpi, pa para dhe pa shtrat”, sepse qeveria austriake i bllokoi të gjitha asetet që zotëronte në Milano, ajo shkroi artikuj të flaktë në favor të kauzës së Rilindjes (Risorgimento) dhe u bë botuese e gazetave të guximshme si “Ausonio”, ku gjejnë vend letërsia, informacioni shkencor dhe politik. Kristina, një aktiviste sa militante, aq dhe bujare, u dërgon në mënyrë klandestine shuma të mëdha patriotëve për të blerë armë dhe për të subvencionuar trazirat. Austria, nga inati, fillon të përbaltë imazhin e saj, si një femër fatale me shumë të dashur, mizore dhe e egër.
Me bukurinë trullosëse të një engjëlli të përhumbur, me vështrimin e mprehtë e të palëvizshëm të atyre syve të mëdhenj të zinj, me fytyrën e zbehtë dhe melankolike të një virgjëreshe pararafaeliane, trazon ëndrrat e njerëzve të shumtë, duke filluar me Alfred dë Mysenë, vikont i alkoolizuar dhe poet neurotik, i pashëm si Apolloni dhe i përvuajtur si Mefistofeli, i cili kur e pa shtangu: “Ka dy sy të tmerrshëm sfinksi, kaq të mëdhenj saqë humba dhe nuk po e gjej kurrë më veten”. Mirëpo ajo, princesha e fildishtë e bukurisë së errët, nuk do t’i përmbush kurrë dëshirat e ethshme të tijat, duke e bërë të çmendet nga dëshira: “Më çoi për dore deri në pragun e kopshtit të saj të fshehtë. Më pas, ma mbylli portën në fytyrë”, – do të shkruajë i brengosur Myse.
Më 23 dhjetor 1838, Kristina solli në jetë Marien, ndërsa mirëpret në sallonin e saj elegant më të mirën e kulturës, politikës dhe botës së Parisit, e veshur në të bardha dhe e stolisur me korale të zeza të zymta. Prej aty kalojnë të gjithë: Liszt (me të cilin, thurin një marrëdhënie të shkurtër dhe pasionante), Balzak (i cili është i fiksuar pas saj dhe e përkufizon atë të padepërtueshme si Mona Liza), Hugo, Rossini, Stendal (i cili u frymëzua prej saj në krijimin e personazhit të Dukeshës Sanseverino), Bellini, Heine, që e deshi dëshpërimisht gjatë gjithë jetës. Ajo, si një Circe tekanjoze, mbërthen, trullos, braktis. Pas dhjetë vjetësh kthehet në Itali, banon në Locate, afër Milanos, në një vilë të bukur fshati, ku bën çmos për të financuar ndërtimin e kopshteve, jetimoreve dhe shkollave, duke ngjallur mirënjohje tek të thjeshtët, kritika mes të pasurve dhe madje armiqësinë e të nderuarit Alessandro Manzoni, i cili me përbuzje shkruante: “Ka një zemër që kapërcen shumë”. Në Locate shkroi analiza largpamëse dhe të thella si “Vëzhgime mbi gjendjen aktuale të Italisë dhe të ardhmen e saj” dhe “Mbi politikën moderne ndërkombëtare”, por perëndimi i ekzistencës së saj është shumë i trishtë: i kaloi ditët ulur në poltron, kredhur në harresën e opiumit, duke mos futur gjë në gojë, në njëlloj vakumi lemerie të pafalshëm. Mëngjesin e 5 korrikut 1871, kur iu afrua shërbëtorja për ta pyetur nëse i nevojitej gjë, fjalët e fundit qenë: “Nuk di asgjë, nuk më kujtohet asgjë”.
Trashëgimtarja më e pasur e Italisë pati guximin të sfidonte Austrinë dhe policinë e saj, organizoi një batalion në Napoli për të kontribuar në Pesë Ditët e Milanos, mori pjesë në mbrojtjen e Republikës Romake. Me pasuritë e saj financoi revolta dhe njerëz, jetoi si princeshë dhe e varfër. Ka shkruar artikuj dhe libra, ka qenë redaktore e revistave ndërkombëtare. Ajo u shoqërua nga intelektualët më të shquar të kohës, ndërtoi objekte shëndetësore dhe shkolla për njerëzit e varfër. Nuk u dorëzua kurrë dhe nuk hoqi dorë. Ishte një shembull i shkëlqyer i guximit dhe vendosmërisë. Gjatë ekzistencës së saj, Kristina sfidoi traditat dhe kufizimet në një botë të konceptuar vetëm për burrat. Një grua e lirë, e guximshme që nuk e la kurrë veten të dekurajohej nga pengesat që i vendoste shoqëria. Karizma, popullariteti, ekscentriciteti, teprimet, humanizmi i saj i jashtëzakonshëm, shkrimet e botuara gjithashtu në “Revue des deux mondes”, jeta e saj sigurisht jashtë skemave të shekullit të nëntëmbëdhjetë, përpjekjet në çdo kohë në favor të çështjes italiane e shndërruan në një heroinë, një personazh që vazhdon të magjepsë edhe sot./Konica.al/ KultPlus.com