1 Maj, 2020 - 2:00 pm
Janë përgjysmuar shitjet e librave në Gjermani. Shitjet janë ndikuar pasi që dyqanet e librave kanë mbetur të mbyllura për javë të tëra, shkruan KultPlus.
Që nga 20 prilli, në Gjermani libraritë janë hapur përsëri. Ato u mbyllën detyrueshëm për një muaj përveç disave në Berlin, ku lejohej blerja duke i zbatuar rregullat higjienike.
Megjithatë dëmi financiar për këto javë izolimi është i madh, ai arrin në gjysmë miliardë euro.
Disa nga Shtëpitë Botuese gjermane janë skeptik edhe kur të rihapen libraritë, sipas tyre shitjet s’do të përmirësohen shpejt.
“Njerëzit janë të shqetësuar për shëndetin e tyre dhe s’ma ha mendja që do të shpenzojnë para për libra”, shprehet Dirk Rehm nga Shtëpia Botuese “Reprodukt”.
Shtëpitë e vogla botuese janë veçanërisht të prekura nga koronavirusi. Anulimi i Panairit të Librit në Lajpcig, si dhe anulimi i festivaleve të leximit kanë ndikuar shumë, dhe i kanë bërë praktikisht librat të padukshëm. /bm /KultPlus.com