3 Shkurt, 2022 - 4:09 pm
Xhevat Latifi
1.
Nuk e kujtoj moshën kur kam mundur të dalë nga shtëpia dhe të kem përfunduar duke luajtur më ujin e çezmës në anën tjetër të rrugës. Një gyp çeliku, në mes gurësh të mëdhenj ngjyrë argjendi që dikur nxirreshin, nga bedenat për të bërë dhe katet e para të shtëpisë, të radhitur me mjeshtri më vonë dhe ishin mbuluar çimento. Uji që kishte rrjedhur për vite duke i zbardhur pjesën e poshtme të gypit, e kishte gërryer ngadalë dhe në qetësi. Një gojë me dhëmbë të bardhë mbetej e buzëqeshur në rrezet e diellit, kur loja me ujë mbaronte dhe këmbët e qullura në pus të bënin me u largu me mornica në trup. Edhe sonte kur e dëgjoj zhurmën e rrjedhës nga ballkoni, më behet se çdo njeri ka në qiell një yll dhe një krua ku mund të fshehësh ëndrrat.
2.
Ditën që mësuesja, një grua me origjinë nga Ohri na dha për detyrë shtëpie të mësonim përmendsh poezinë e Lasgush Poradecit “Kroi i fshatit tonë”, në mbrëmje në ekranin bardhë e zi, B.P. një tenor dibran po performonte po ato vargje të kompozuara nga një muzikant kosovar në emisionin muzikor të Radio Televizionit të Prishtinës. Nuk është se ndjehesha i afërt me atë lloj muzike lirike, që s’di pse atëherë e quanin “muzikë serioze”, por në shpërqendrim dhe mos durim për ta shikuar, ai tenori po këndonte pikërisht vargjet të cilat i kisha për detyrë ti mësoja përmendsh. Më shumë se vargjet dhe muzika e këngës, më pat bërë përshtypja e atij momenti një në miliardë që të këngëtari dhe poeti njësoheshin në një dimension të tretë, sa që prej atij momenti në imagjinatën time këngëtari dhe Lasgushi u bënë një simbiozë. Poezia futej në dimensione të tjera dhe bashkë me muzikën po bëhej magji. Magji kjo që do të zgjaste aq shumë, aq që sa herë të takoja më vonë diku Lasgushin, imazhet gjestet e duarve dhe frymëmarrjet e këngëtarit ishin aty. Imazhe që kurrë nuk i kisha humbur, televizioni bardhë e zi dhe liqeni tek dimëron me krahnezë pemësh e bardhësi e llahtarshme. Koha tjetër të mësimit të poezisë atë natë, natyrshëm ishin ecejake e përpjekjeje prej amatori të muzikës, që duke u munduar të imitojë këngëtarin, për tu bërë njësh me të, e që më së shumti kisha problem me gojën, nuk arrija të merrja qëndrimin e Ooo-së, deri vonë natën, sa që ndonjë herë merrja vërejtjen e Nanës “Mos bëjë potere!” Edhe të nesërmen. Rrugës për në shkollë loja më duar vazhdon, dhe kur lëshoja zërin “..ujë i kulluar”, përcillej në kor nga të qeshurat e shokëve! Në klasë të gjithë besoj të kenë pritur që unë t’i futesha recitimin të vjershës si një tenor, por këtë nuk e bëra. E thashë poezinë, shpesh herë duke u gjuajtur nga bankat me “ujë të kulluar” . Mësuesja, ajo që aq bukur na kishte përshkuar liqenin që kishte frymëzuar Lasgushin, u detyrua të ngritej në këmbë dhe të kërkonte qetësi!
3.
Në një festival të poezisë në Pogradec, miqtë që kisha njohur i kisha mërzitur duke ju kërkuar që të shkonim të vizitonim Kroin e Lasgushit. Liqeni me piklat e zogjve të bardhë që po lahej në dritë, korani dhe ngjalat, dollia për poezitë e lexuara, mbeteshin nën hijen e bronztë të Lasgushit me Cucin e vogël që po i bënte roje. Pleqtë me bastun pinin kafen e mëngjesit dhe nga një teke si e do zakoni, krejt afër është edhe një krua me ngjyr’ ergjënd i lyer, do të shkruante Lazër Sotir Gusho. Një trajtë e bukurisë ishte shndërruar në kult të imazheve. Ai dhe do ta quante bukuri e llahtarshme për atdheun, për njeriun, për dashurinë. Unë i dalë nga vetja në heshtje që prishej nga gurgullima po kërkoja Vdekjen e Nositit,Yllin e Dritës, ku muzat, Ora e Mirë, zanat apo engjëjt e kaltër, u japin poetëve ose u marrin fjalët për të përshkuar pankohësinë. Në ujin që po rridhte me laryshi po shihja Çenar Qeshmën time, një krua që kisha para shtëpisë! Duke qenë se kroi gjendet në udhëkryq rrugësh, shpesh herë dilemat gjate jetës sime këtu kanë marrë përgjigjen: Shko rrjedhës së ujit, me pas mirë e mbarë!
Kallnor 2022./ KultPlus.com