17 Maj, 2018 - 12:58 pm
Sarandë Selimi
Problemi i racizmit është çdoherë i pranishëm në shoqërinë kosovare, sado që shpesh nuk flitet për të dhe duket si një debat i ftohtë, ose i lënë pezull për më vonë, kur ndodhë diçka sensacionale e kur racizmi shprehet haptazi.
Ngjarja që ndodhi para dy javësh e që mori jehonë në vend ishte ajo e përgjimeve që dolën nga portali Insajderi, ku përveç të tjerash deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës e përdorin me shumicë termin pezhorativ gabel, ose magjup, drejtuar pjesëtarëve të komunitetit RAE në Kosovë. E jo vetëm, por përdorimi i termeve ofenduese bëhet edhe mes vete, ndaj njëri-tjetrit, adresuar armikut.
Për një gjë të tillë në foltoren e Kuvendit të Republikës së Kosovës foli shkrimtari e deputeti Kujtim Paçaku, i cili kërkoi nga protagonistët kryesorë të kësaj ngjarje që të kërkojnë fjale për atë se çfarë kanë thënë. Një gjë e tillë u bë, e Paçaku, morri shumë lëvdata në lidhje me atë se çfarë tha.
U duk sikur Paçaku e lëvizi debatin e heshtur, se racizmi është mes nesh e racistët jemi ne, në situata të ndryshme në jetën tonë, duke krahasuar “atë racë” e duke e asocuar me konotacione të shëmtuara.
Kjo temë është folur e stërfolur por gjithmonë ka vend edhe për më tepër. KultPlus, realizoi një intervistë me shkrimtarin nga komuniteti rom, Kujtim Paçaku, i cili foli në lidhje me atë se pse e mbajti atë fjalim në kuvend, ku foli për racizmin në përgjithësi.
“Nuk ka qenë e imja të akuzoj dikë apo ta dërgoj dikë në burg, e bëra atë ku rezultati doli edhe më i mirë se që e kam pritë, fitoi shefi im, kryetari i parlamentit i cili ka ditë në mënyrë burrnore të kërkojë falje dhe pikërisht këtë gjë e bën një shqiptar. Mua në Bullgari sigurisht më kishte shkuar koka apo dora në një moment të tillë, ndoshta po e teproj pak por do më thoshin të flas në komisionin për të drejtat e njeriut, unë këtë e bëra dhe çka ishte më e mira për mua ishin duartrokitjet sepse në atë parlament ka pasur çdo gjë tjetër përpos debat, dhe kur në fjalimin tim dëgjoj duartrokitjet dhe e shoh se më përkrahin të gjithë, e shoh që kjo është Kosova”, nisi rrëfimin e tij Paçaku, duke sqaruar se ka qenë i detyruar ta bëjë atë gjë, pasi që siç tha ai mbi supe mbante moralin e të gjithë romëve.
Tjetra, sipas Paçakut ishte se po mos të kishte reaguar ai një reagim tjetër për të do ta bënin gazetarët, shoqëria civile në Kosovë, komuniteti i artistëve e kështu me radhë, pasi që ajo bisedë e tmerrshme u dëgjua nga të gjithë dhe sipas tij, po mos të kishte reaguar, do të duhej të kritikohej rëndë.
“Ne mund të flasim çka duam në telefon, por jo ta ofendojmë dikë, sepse mund të them me plot bindje se përpos gjërave të tjera që e bëjnë të pamundur shkollimin e një romi është edhe racizmi, fjalët si magjup e gabel, edhe kjo mund të ndikojë që një fëmijë mos ta vazhdojë shkollën dhe arsimimin”, pohoi Kujtim Paçaku.
Kujtim Paçaku doli para gjithë deputetëve të Kosovës e para gjithë qytetarëve të saj duke thënë se ai është Kujtim Paçaku, dhe është shkrimtar, nuk është as magjup e as gabel. Ai për KultPlus, tregoi se e tha këtë duke dashur t`iu tregojë të gjithëve se edhe komuniteti i tij ka shkrimtarë, ka muzicientë, ka këngëtarë e ka artistë me vlera të mëdha.
Ai tregoi edhe për fëmijët e këtij komuniteti të cilët nuk cilësohen si fëmijët e komuniteteve të tjera.
“Ende jemi larg, në Prizren për fat të mirë po deklarohen si fëmijë të komunitetit rom, dhe unë vet e kam organizuar një mbrëmje me poezi dhe nuk ka ndjenjë më të mirë se ta dëgjosh një fëmijë rom të recitojë ndërsa gjyshi i tij të qajë nga gëzimi. Kjo dhuratë nuk ka çmim sepse i ke dhënë infuzion shpirtit të një fëmije rom”, tha ndër të tjera shkrimtari Paçaku.
Në këtë rast, shkrimtari e deputeti i Republikës së Kosovës, nisi të flasë për artistët, ku ai tha se nuk ka ndonjë dallim në mes artistëve dhe kjo gjë e bënë shumë të lumtur.
“Ne me artistët e kemi shumë mirë, nuk ka ndonjë dallim, kemi një bashkëpunim shumë të thellë dhe kjo është gjë shumë e mirë. E marr shembull Enver Petrovcin, ai reciton në gjuhën rome, unë recitoj në gjuhën shqipe dhe është mjaft gjë e mirë kjo”, tha Kujtim Paçaku, i cili intervistën e tij e përfundoi duke thënë se komunitetit rom u nevojiten dy xixa që ta ndriçojnë qiellin, me rast këtë komunitet e cilësoi si komunitet i cili sjellë shumë artistë por që fatkeqësisht gjendja ekonomike e këtij komuniteti nuk i lejon të kalojnë përtej. /KultPlus.com