17 Maj, 2018 - 4:45 pm
Gili Hoxhaj
Kujtim Paçaku, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, poet e gazetar sot pas ikjes nga kjo botë, si epitaf mbi zemrën e secilit që e njohu ka lënë si kujtim vargjet të cilat pasqyronin brengën e tij të shpirtit, çiltërsinë që e karakterizonte, sytë e rrudhosur e buzëqeshjen plot butësi.
“Herdelezi”, “Si bëhet kënga rome”, “Testament” janë vetëm tri nga poezitë e tij, ku vargu të prekë thellë e të bën pjesë të dhimbjes së një komuniteti që është lënë nën hije të shoqërisë. Vargu i fuqishëm i Paçakut nuk e toleronte këtë padrejtësi e dhimbje, andaj merrte udhë në krijimin e poezive që të marrin me vetë në botën e tij shpirtërore.
“nuk ka shumë marifet!”, kështu nis një nga poezitë e tij më të njohura “Si bëhet kënga rome”. Fjali e shkurtë por që të fton në brendësi të poezisë, e cila mes metaforës të fton në rrugicat e jetës së komunitetit rom, atje ku e ndjen dhimbjen e nuhat aromën e stinëve të dashurisë.
Vargjet e tij reflektojnë përditshmërinë e një jete rome
Siç thotë ai në poezinë e tij, kënga rome ndërtohet me një grusht dhimbje, ca pika loti, pluhur rrugësh të pasosura, aromë stinësh të dashurisë. Në zjarr të shpirtit piqet gjer në agim, kënga rome me erëza djegëse dashurie e ca yje sipër. Me pak fjalë, ai përshkruan këngën rome, hapat e së cilës ata i ndjekin ditëve të zakonta deri tek “Herdelezi”, emër të cilin e mban njëra nga poezitë e tij. Një festë për kthimin e pranverës. Poezia e Paçakut e përshkruan mëngjesin e hershëm të një babai xhepzbrazur e sytë e mbushur lot, që në këtë ditë maji para gjithçka-je tjetër duhet të kafshojë krenarinë e vet.
Ishte muaji maj, ditë Herdelezi,
Një mëngjes i hershëm,
Diell pranveror mbi horizont.
Që im bir të mos më kërkonte
rroba të reja.
Në majë të gishtave ika,
sytë të mbushur lot
e xhepat bosh.
Edhe një festë do të kalojë
në lecka të vjetra.
Sot kur ai iku në amshim, poezitë e tij duket sikur janë një lloj testamenti për t’i shtuar ca pika lumturie këngës rome të djegur nga dhimbja. Vet vargu i tij është testament që kënga rome të marrë një melodi tjetër. “Testament”, e ka titulluar ai njërën nga poezitë e tij, që zgjon pikërisht trishtimin e kësaj dite ku tepihu i jetës së tij mbaron. Qëndrimi “Vertikalisht” është kërkesa e tij e fundit, ashtu siç qëndron kjo fjali mes poezisë së saj. Kujtimi për shpirtin e tij poetik e të dashur do ta mbajë të gjallë imazhin e veprimtarinë e tij.
Kur të vie ajo ditë
E fundit, në tepihun e jetës sime
Ju lus:
Së paku atje të qëndroj
V
E
R
T
I
K
A
L
I
SH
T
Meqë gjithë jetën
S`më lanë se s`më lanë të ngrihem në këmbë!
Kujtim Paçaku u lind me 12 mars të 1959 në Prizren. Ai kishte përfunduar studimet në Akademinë e Arteve – Dega e Muzikës dhe studimet postdiplomike në Pedagogjinë Muzikore. Po ashtu arriti ta përfundonte edhe Akademinë e përshpejtuar për Aktrim dhe Regji në Klasën e Prof. Faruk Begollit.
Ish – deputeti i Kuvendit të Kosovës, diplomoi në romologji në Sorbonë të Parisit. Gjatë studimeve krijoi oktete e kore të shumta. Pëveç aktiviteteve të shumta në shoqëri kulturore si ajo “Agimi”, ishte mësues në Duhël e Bllacë në vitin 1986.
Poeti Kujtim Paçaku ndërroi jetë në mëngjesin e kësaj të enjte. Varrimi i të ndjerit do të bëhet më 18 maj në kohë dreke në Prizren. / KultPlus.com