21 Qershor, 2019 - 7:45 pm
Ata u takuan fare thjeshtësisht, një ditë në boulevardin Saint-Germain ku gëlonin artistët e kohës së luftës dhe të pasluftës. Ai ishte 30 vjeç ndërsa ajo 21, në lulen e rinisë. Ishte 5 qershor i vitit 1944 dhe tre javë para shfaqjes “Moskuptimi” (Le Malentendu) të shkruar nga Kamy, ku ajo interpretonte rolin e Martës.
Në mbrëmje janë të ftuar në një “soirée” të organizuar nga Jean-Paul Sartre dhe Simone de Beauvoir tek regjisori Dullin. Beauvoir e kujtonte me nostalgji atë mbrëmje (pasi dhe ajo e pëlqente shumë Kamyn).
Në tetorin e atij viti, meqë gruaja e tij Francine erdhi nga Algjeria për të jetuar me të në Francë, dy të dashuruarit u ndanë. Por katër vjet më vonë ata do të bashkoheshin sërrish.
Pas pothuaj 60 vjetësh, botuesi Gallimard i mblodhi letrat e këtyre dy dashnorëve të mëdhenj, dy emigrantë në tokën e Francës, njëri një francez i ardhur nga Oran-i i Algjerisë dhe tjetra, bija e një ministri të Spanjës republikane të emigruar pas shëmbjes së Republikës. Ai u botuan në një vëllim voluminoz me 1312 faqe dhe 365 letra.
Në vazhdim është njëra nga letrat me kujtimet e Marias për Kamyn:
“… E kam dashur dhe e dua Kamynë, pasi e kapur nga kontraditat e tij, të cilat ai i pari i denonconte edhe në çastet e diversionit, të cilat asnjë njeri nuk mund tu rezistojë, ai tregoi gjithë vëmendjen e tij që të mos kënaqej kurrë nga kjo ide e fortë që e ndiqte gjer dhe në sipërfaqen e gurit, pa u shmangur asnjëherë, me rrezikun që ndoshta mund të ngjante se kishte humbur nga sytë, diku në një labirint apo ku shtegu zgjatej tutje në tokë – linjë kjo pas së cilës ai ishte përkushtuar që të mbetej besnik i pasionit të tij, drejtësisë dhe të vërtetës.
Pavarësisht nga nevoja e tij e thellë për të gjetur një formë, ai përdorte gjithë arsyen e tij që të mos mashtronte nën pretekstin se do të vinte në rregull ekzistencën dhe mendimin e tij. E po kështu dhe ndershmëria e tij, kjo çmenduri e tij që e mbante dhe e mban larg nga cirqet e kohës sonë – ku nuk duhet ti afrohesh shtazës, për të shmangur kështu që shqetësimi në arenë të shtohet tek njerëzit – pra që të mos i mashtronte kurrë ata që mund ta dëgjonin.
Kur s’kishte asgjë për të thënë ai heshte. Donkishotizmi i tij dhe çmenduria e tij e shenjtë, qëndronte pikërisht në këtë gjë, sikur ai të mos dëshmonte më veçse përmes heshtjes, sikur kompleksiteti i rrethanave apo kontraditave të veta nuk i linte më vend veçse një lloj përshtatjeje apo gënjeshtrës, ku para se të klithte, ai e guxonte këtë marrëzi, pra ti vinte një shtupë gojës dhe të qëndronte pa folur.
Dhe nëse i humbur përballë dallgësh e në shkretëtirë, asnjë shteg nuk hapej për të arritur në breg, në një tokë pjellore, në vend që të ndërtonte një udhë rrethore rreth një grope, në vend që të krijonte mirazhe ku të humbiste në oaze të largëta për të harruar një çast etjen e tij, ai ftonte të tijët që të shkonin bashkë me të dhe të kapërcenin kënetën apo shkretëtirën – për të vazhduar – duke u zhytur apo djegur së bashku – sepse në arrogancën dhe krenarinë e tij ai i mendonte ata të denjë që të vuanin për të vërtetën me ndërgjegje të plotë.
I detyruar të zgjidhte midis besimit që kishte për drejtësinë dhe mbrojtjes së nënës së tij, i kërcënuar në emër të një drejtësie, ai zgjidhte që të mbronte nënën e tij : pikërisht atje në udhën që ndiqte mbi fillin e së vërtetës – e kishte gjetur këtë akrobaci kokëfortë – dhe unë nuk shoh tashmë në çka mund ta akuzosh atë rreth angazhimit të tij, as për atë që i heq apo i shton idesë së vetë drejtësisë që ishte e tija.
Nuk besoj se mund të diskutohet rreth saj apo të komentosh, veçse nëse është për të diskutuar mes drejtësisë dhe së vërtetës, ku ai zgjidhte të vërtetën kundër çdo drejtësie të gënjeshtër.
Mbreti i mënçur Solomon, përpara dy grave që pretendonin të dyja se fëmija ishte e tyre, ai u propozoi atëherë ta priste, pra ta ndante në dysh që secila të kishte pjesën e saj që pretendonte. Por ai e dinte se për të mbrojtur fëmijën, klithma e nënës së fosshnjes do të tregonte në fund të fundit se cila ishte nëna e vërtetë dhe kështu ai do të vendoste me drejtësi.
Tashmë, janë fëmijët që duan të ndajnë mes tyre të njëjtën nënë dhe në këtë betejë plot zhurmë, atje ku drejtësia shfaqet vërtetë mes dy kampeve armike dhe ku idea e vetë drejtësisë kërkohet nga secili kundërshtar, unë pyes veten se cili do të ishte vendimi i Solomonit të ri mes këtyre dy kampeve dhe nëse i detyruar të ndante mes tyre dhe drejtësisë e nënës, ai vallë do detyrohej të heshte?
Ndoshta… Mund të zgjedhim dhe një rrugë tjetër, atë të luftës, ta ndajmë dhunën e vëllezërve të tij dhe t’i ndihmojmë për të coptuar nënën e tij, por kur i përkushton jetën refuzimit të terrorit dhe kur gjendesh larg vendeve ku synohet veç vdekja, nuk shoh vërtetë se ç’duhet bërë tjetër, veçse të heshtet.
Atëherë mbetet që heshtja të jetë veç një britmë e gjatë. Eshtë klithma që ulurin për vdekje – që vazhdon – përtej fundit ku bëhen si ujë forcat e gjalla të tokës sonë, përtej kësaj shplarje të vazhdueshme që rrjedh nga vrimat e hapura të retorikës së trukuar – propagandave të shumfishuara dhe të maskuara në mënyrë të trashë – budallallosje – kjo mënyrë sheqerosjeje, kjo bojë që vlerësohet nuk e di nga çfarë marrëveshjesh për të mbytur në avazin e vjetër e të trishtë udhëkryqet e shkëmbimit dhe komunikimit të botës sonë aktuale – kjo gjë e çuditshme që përkund mërzinë dhe që ve në gjumë dëshirat e mëdha të shpirtit të kohës sonë.
Por duhet të them vetëm këtë : që ai ka klithur… “