24 Shtator, 2019 - 12:00 pm
I përkthyer nga Ilirjana Angoni, libri “Kujtime nga Shqipëria e epërme” e Alexandre Degrand ka dalë nga shtypi. Kujtimet e baronit francez, Jules Alexandre Théodore Degrand (1844- 1911), marrin një rëndësi të veçantë në ndriçimin e të vërtetave historike në një shekull trazirash historike dhe diplomatike në jetën e shqiptarëve.
Alexandre Degrand lindi në Paris dhe ishte diplomat e shkrimtar.
Në vitin 1874 ishte në Rumani si kancelar i konsullatës Franceze në Galati. Vitin në vijim ai punoi me konsullin dhe arkeologun amator Charles Champoiseau (1930-1909), i cili disa vite më parë kishte zbuluar statujën e Fitores me Flatra të Samothrakës. Në vitet 1893-1899 ai punoi si konsull francez në Shkodër. Degrand ishte i interesuar në veçanti për historinë e rajonit dhe më saktësisht për parahistorinë dhe antikitetin. Ai vizitoi shumë fortesa, kisha mesjetare dhe rrënoja duke shënuar ato që pa dhe që dëgjoi nga njerëzit vendas. Dy vite pasi u largua botoi librin ‘Kujtime nga Shqipëria e Epërme’. Në libër bëhet një përshkrim i historisë së lashtë të shqiptarëve duke u bazuar në të dhëna nga historianë apo studiues të ndryshëm, prandaj edhe nëse gjendet ndonjë pasaktësi nuk mund t`i vishet autorit, përkundrazi autori shkruan me shumë dashuri për Shqiptarët dhe bën analiza të thella, por që gjithmonë i përkasin asaj periudhe dhe jo të ardhmes, të cilën ai e shikonte jo dhe aq në favor të shqiptarëve.
Interesant në këtë libër është zbulimi i varrezave të Komanit – sipas vendasve të quajtur ‘Mali i Varreve’ – të gjendura majë malit. Degrandit i takon merita si zbuluesi i parë i tyre dhe i atij që quhet ‘qytetërimi i Komanit’. Një pjesë e artifakteve të gjetura atje, në varret ilire të Komanit dhe në fortesën e Dalmacit iu dhuruan Muzeut të Antikiteteve të Saint Germain në Laye, pranë Parisit. Për Degrandin mbeti enigmë popullsia dhe vendbanimi i popullit të varrosur atje, sepse ai nuk zbuloi aty rrotull apo më tej ndonjë vendbanim të hershëm. Mendimi i Degrandit – bazuar në rrallësinë e objekteve prej hekuri të gjetura aty – ishte se kjo popullsi i përkiste antikitetit dhe gjithashtu bën emërtimin ‘Pellazgë misteriozë’. Për nga ngjashmëria, ai e krahasonte me zbulimet e bëra në Samothrakë. Ajo që mbeti enigmë për Degrandin, u zbulua pas 120 vitesh nga një ekspeditë franko-shqiptare, pra u zbulua pikërisht në atë vendndodhje i mbuluar nga shkurrishtet e hershme që nga maja e malit e deri poshtë, diçka që Degrandi mendonte se duhej të ishte diku poshtë përreth. Nga gërmimet ka dalë në pah qytetërimi i hershëm i Komanit, ku ndër të tjera janë zbuluar mbi 12 kisha dhe madje katedrale.
Mënyra e të shkruarit të Degrandit është e thjeshtë dhe mjaft e qartë nga ana konceptuale kur përshkruan qytetet dhe fshatrat e ndryshme shqiptare si dhe banorët e tyre, të cilët i respekton të gjithë njësoj. Lidhur me këtë mund të veçonim një detaj në kohën e gërmimit në Malin e Varreve, kur një plakë malësore fillon dhe shan për këtë zhvarrim. Me shumë takt Degrandi, ndonëse nuk kupton fjalët, por kupton shqetësimin e saj, i kthehet duke iu përgjigjur se këta që zhvarrosen nuk janë të krishterë por janë paganë dhe ky ishte mendimi i tij në atë kohë, sepse në gërmimet e tij nuk gjeti gjurmë të krishtërimit. Vetëm atëherë malësorja largohet, natyrisht jo plotësisht e qetë. Degrandi shprehet se në Shqipëri kam gjetur njerëz shumë dashamirës, qoftë të krishterë qoftë myslimanë. Meritë tjetër e Degrandit janë fotografitë e shumta dhe origjinale të këtij libri, nga të gjitha zonat e Shqipërisë së Epërme.
Ky libër është ribotuar disa herë, madje edhe në vitin 2013, gjithashtu gjendet edhe në gjuhën angleze/Dhurata Hamzai, Shqiptarja. / KultPlus.com