10 Korrik, 2019 - 10:30 am
“Dëshmitar në kohë historike” i Rexhep Qosjes ka mbërritur në vëllimin e tij të 8. Në fokus është viti 1999 dhe ngjarjet e një viti të gjatë e jetik për Kosovën. Botimi në tërësi përfshin ditarët e tij që nga viti 1966 deri më 2014-ën dhe mbajnë siglën e “Toenës”. Në ditar akademiku Rexhep Qosja trajton ngjarje, çështje, personalitete, probleme, dukuri, procese shoqërore, politike, letrare, artistike, shkencore, filozofike e kulturore, para së gjithash në Kosovë e në Shqipëri, por edhe në Jugosllavi e në botë. Në një fragment të vëllimit të VIII që po botojmë sot, në fokus është muaji korrik i 20 viteve më parë.
Në Kosovë kanë hyrë trupat paqeruajtëse dhe udhëheqës të Europës takojnë politikanë lokalë për të diskutuar problemet e dala nga pas luftës, qytetet e shkatërrua dhe nevojat e ngutshme. Vetë Qosja takon në ditë të ndryshme politikanin shqiptar Sabri Godo, një diplomat francez, përfaqësuesin e Misionit amerikan në Prishtinë Lari Rosin, gjeneralin britanik, Majkël Xhekson dhe ndalet gjatë te takimi me kancelarin gjerman Shrëder, moment i cili nuk u shfaq në media 20 vite më parë dhe as u përmend. Ai ka kritikat e veta për kryeministrin e atëhershëm dhe presidentin e sotëm në Kosovë, Hashim Thaçi dhe për debatin “e ulët” që ai dhe Edita Tahiri bënë para kancelarit gjerman.
Nga Rexhep Qosja
21.7.1999
E mërkurë.
Është fundi i korrikut.
Është një ditë nga më të shpeshtat brenda një viti: as dritë e kthjellët e as terr i vranët.
Lexoj librin me ngjarje dhe anekdota nga jeta e njerëzve të shquar – krijues, shtetarë, politikanë e komandantë, që ka botuar ‘Toena’. Përkthimi, ndërkaq, mund të ishte më i mirë se ç’është.
Pasdite në orën 16 u takova me një diplomat francez, përfaqësues i Ministrisë së Jashtme të Francës. Takohemi në zyrën time në Institutin Albanologjik.
Është vapë e padurueshme.
Ky diplomat, sipas të gjitha gjasave, është dërguar tek unë prej Bernard Kushnerit dhe është dërguar me qëllim për të më testuar nëse jam a s’jam i përshtatshëm, e kjo i përshtatshëm domethënë i përdorshëm, për të qenë anëtar i Këshillit Kalimtar të Kosovës, që e drejton ai, Bernard Kushneri. Diskutimi im në mbledhjen e fundit të këtij Këshilli e ka bërë të dyshojë se do të pajtohem me të gjitha ato që duhet të bëjë ky Këshill për të ringjallur “bashkim-vëllazërimin” jugosllav edhe pas luftës çlirimtare dhe pas bombardimeve të NATO-s në Kosovë e Serbi. Diplomati francez m’i bëri tri pyetje:
E para, si e parashoh të ardhmen e UÇK-së?
e dyta, çka mendoj për serbët në Kosovë dhe
e treta, a jam i gatshëm të shkoj në takimet popullore edhe me prijësit serbë në Këshillin Kalimtar?
Në pyetjen e parë, iu përgjigja: Me luftën e saj, çlirimtare, UÇK-ja është bërë organizatë e madhe, shumë e rëndësishme e kjo domethënë historike, në Kosovë. Tani për tani ajo do të jetë e shndërruar (transformuar) jo pse ne dëshirojmë ashtu, por pse ashtu po kërkojnë faktorët ndërkombëtarë.
Në pyetjen e dytë iu përgjigja: serbët që nuk kanë bërë krime gjatë luftës duhet të trajtohen si gjithë qytetarët e Kosovës, si shqiptarët e të tjerët, me të gjitha të drejtat e njeriut, të drejtat qytetare dhe demokratike.
Në pyetjen e tretë, iu përgjigja me një po dhe iu përgjigja kështu shkurt sepse nuk mund t’ia bëja qejfin edhe vetes edhe atij.
Në mbrëmje, diku rreth orës 18, në shtëpi më erdhi delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë, në krye me mikun tim shumë të çmuar, Sabri Godo. Gjatë bisedës munda të vërej se Sabri Godo nuk ishte ai Sabriu që kisha njohur në Tiranë gjatë prillit, majit e qershorit të këtij viti. Luante një rol që nuk ia kisha njohur gjatë atyre muajve! Pas disa minutash bisede, Sabriu më thotë se unë, si duket, po ndikoja në qëndrimet e përfaqësuesit të OSBE-së në Kosovë, Dan Everts, ndaj LDK-së dhe në fund të këtij konstatimi më bëri edhe pyetjen:
– E ke mik ti Evertsin?
Më bëri këtë pyetje thuajse kishte harruar plotësisht se së paku dhjetë herë më kishte thënë gjatë takimeve që kishim në Vilën 31 se Dan Evertsi ishte miku im që më çmonte shumë.
Më rrëzon përtokë kjo pyetje e Sabri Godos!
Përnjëherë para syve të mi del jo Sabri Godo i vitit 1999, por Sabri Godo i janarit e shkurtit të vitit 1992, kur më premtoi po nuk erdhi në Kuvendin e Pajtimit Kombëtar në Tiranë.
Ishte ky një Sabri Godo makiavelist.
Më pikëlloi ky mendim që për të ia thashë unit tim të dytë.
E doja dhe e çmoja Sabriun e sivjetmë, të vitit 1999, por jo Sabriun e vitit 1992.
Kush e di edhe sa dëshpërime do të përjetoj në këtë punë politike në qoftë se më lënë mendtë e kresë dhe vazhdoj të merrem edhe ndonjë vit me të!
I ftoj për drekë, nesër, në shtëpinë time.
– Jemi të ftuar prej Qeverisë së Përkohshme, – më përgjigjet Sabri Godo.
I përcolla deri te dera e oborrit.
– Dua të shihemi nesër, – më tha të vogël Sabriu, derisa po lamtumireshim.
E dija se nuk do të shiheshim: ai nuk do të mund të takohej nesër me mua sepse frikësohej prej deputetëve të Partisë Demokratike dhe të Legalitetit që ishin në përbërjen e delegacionit. Prania e tyre në delegacion e kishte bërë Sabri Godon të më bënte edhe pyetjen lidhur me Dan Evertsin dhe LDK-në, domethënë e kishte bërë të tregohej makiavelist.
22.7.1999
U takova me përfaqësuesin e Misionit amerikan në Prishtinë, intelektualin me emrin bukurtingëllues, Lari Rosin.
Bisedojmë në zyrën e Hydajet Hysenit në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës. Është i pranishëm edhe Hydajeti.
Bisedojmë për mjaft çështje të përtashme.
Flasim shkoqur, pa ngurrime.
Flasim thuajse ishim të bindur se edhe ai do të pajtohej plotësisht me të gjitha që do të thoshim unë dhe Hydajeti.
E ai, Lari Rosini, vërtet u pajtua me ato që thamë.
Vërejmë se ka dallime në qëndrimet e tij me qëndrimet e Bernard Kushnerit dhe të diplomatëve të tjerë francezë dhe gjermanë.
Amerikanët dhe britanikët më hapur dhe më vendosmërisht mbajnë anën tonë sesa ndërkombëtarët e tjerë në Kosovë apo jashtë Kosovës. Francezët dhe gjermanët, ndërkaq, mbajnë njëkohësisht anën tonë dhe anën e serbëve!
– Do të kujdesemi, – tha, – që gishtërinjtë e Jugosllavisë (së mbetur) të mos përzihen në Kosovë.
U ndamë me përzemërsi të veçantë me Lari Rosinin.
Pasdite takohem, në shtëpinë time, me këshilltarin politik të komandantit britanik në Kosovë, Majk Xheksonin.
Mendoj, derisa e dëgjoj duke folur: mirë, shumë mirë në qoftë se me të vërtetë mendon siç flet e, siç po shihet, mendon ashtu siç mendonte përfaqësuesi i Misionit amerikan në Kosovë, Lari Rosin.
Pas këshilltarit politik të komandantit britanik në Kosovë, Majk Xhekson, erdhi në takim, po ashtu në shtëpinë time, një diplomat i ri gjerman dhe erdhi me një përkthyese shqiptare, të cilën nuk e kisha takuar ndonjëherë tjetër. Ma sollën orarin e udhëtimit në takimin nesër në Prizren, me kancelarin gjerman, Gerhard Shrëder. Mbas pyetjes sime nëse duhet të shkoj i vetëm në atë takim apo mund të marr edhe dikë tjetër, diplomati gjerman m’u përgjigj buzëqeshur:
– Merrni kë të doni.
Dhe kjo përgjigje e tij m’u ndal në mendje si përgjigje shumë më liridashëse se ç’ishin përgjigjet e tjera të ndërkombëtarëve në Kosovë ndaj pyetjeve tona.
23.7.1999
E premte.
Në orën 13:00 me helikopter ushtarak gjerman fluturuam për në Prizren. Fluturuam me dy helikopterë: në njërin jam unë me Visar Rekën dhe me Sabri Kiçmarin, kurse në tjetrin është Hashim Thaçi me Edita Tahirin.
Prej lartësisë, që nuk është e madhe, shikoj fshatrat mes Prishtinës dhe Prizrenit. Rrënime të mëdha. Shumë, shumë gërmadha kanë hapur gojën drejt qiellit dhe ose i luten Zotit për mëshirë ose mallkojnë egërsinë ushtarake-policore-paraushtarake serbe, që aq pamëshirshëm i ka rrënuar. Dëgjoj jehonën e kujës së grave, piskamën e fëmijëve dhe gjëmën e meshkujve.
Në Prizren arrijmë pas njëzet minutash udhëtim përmbi tokë.
Prej mendjes nuk më largohen pamjet e fshatrave të rrënuara dhe jehona e vajtimeve të grave.
Më çojnë në një sallë.
Nuk mund ta marr me mend se çka ishte më parë: sallë apo kasolle e shtazëve – e lopëve.
Është e mbushur me uniforma.
Njëri prej të uniformuarve më thotë se duhet të nënshkruhem në librin e mysafirëve.
Posa e marr lapsin kimik në dorë, që të vë nënshkrimin ku kërkohej, në sy më përplaset kancelari gjerman duke u përshëndetur me Hashim Thaçin. Mbasi nënshkruhem përshëndetet edhe me mua e me të tjerët.
Zëmë vendet.
Karshi kancelarit Shrëder ulet Hashimi.
Shrëderi është ai që e tregojnë televizionet: as më shumë e as më pak. Ka të veshur një këmishë me mëngë të shkurtra. E unë jam uniformizuar me setër e kravatë!
Sytë e tij janë të mëdhenj e të kaltër: janë përbërësi trupor i tij më identifikues.
E merr fjalën shpejt. Dhe na thotë se kishte dëshirë të takohej me ne për të mësuar ç’mendojmë për perspektivën e zhvillimit të demokracisë në Kosovë dhe të marrëdhënieve, të marrëdhënieve të ndërsjella, e thekson, të partive tona. Kush e di se çka krejt i është thënë prej të huajve dhe prej disa tanëve për këto marrëdhënie.
Nuk e zgjat shumë.
Gjermanët flasin pak po punojnë shumë. E ne e tjerrim shumë muhabetin, gati thashë mut-habetin, dhe punojmë pak!
Edhe pyetjet që bëri, i bëri disi asnjanshëm, disi i çmobilizuar. Mendoj: janë punë të vogla për të këto për të cilat ka ardhur këtu. Më habitën, megjithatë, pyetjet që na bëri: ishin pyetje për çështje të dorës së tretë, për çështje të dorës së tretë në kohën kur do të duhej të pyeste për çështje të dorës së parë mos për Gjermaninë atëherë gjithsesi për Kosovën.
Mbas kancelarit Shrëder e mori fjalën Hashimi. I është mbushur mendja Hashimit apo ia kanë mbushur mendjen Hashimit disa nga bashkëpunëtorët se kudo e kurdo duhet ta marrë fjalën i pari nga kosovarët, ta marrë fjalën i pari edhe kur do të ishte më mirë që, si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme, për të huajt imagjinare, që s’e njeh kush, madje as LDK-ja, ta merrte i fundit, dhe ashtu në fjalën e kryeministrit, t’i nyjëtonte çështjet më të rëndësishme, shpesh keq të shpërndara e keq të tjerra në diskutimet e të tjerëve para tij, sidomos të tjerrtarit të LDK-së!
Flet për rolin e UÇK-së, për përpjekjet që po bëjmë për normalizimin e jetës, për veprimtarinë politike, për Qeverinë e Përkohshme. Flet gjatë, por jo aq gjatë sa foli atë ditë në mbledhjen e Këshillit Kalimtar të Kosovës në krye me Bernard Kushnerin.
Mbas Hashim Thaçit fjalën e mori Edita Tahiri. Dhe foli për synimet e LDK-së sot, dhe foli siç foli, siç s’duhej, në mbledhjen me Dan Evertsin dhe Knut Volebekun. Dhe, foli prapë për problemin e dy qeverive tona. Prapë mbrojti ish-“institucionet”, që ia mbanin paqen Millosheviçit në Kosovë! Prapë na solli plagë politike. Prapë na e zbriti nivelin e mbledhjes! Bukoshi dhe Rugova nuk e lënë Edita Tahirin e shkretë rehat, po e mjelin aq sa mund ta mjelin ata haduma duke e detyruar të blegërojë për “institucionet” e LDK-së nën dhunën e terrorin e regjimit të Millosheviçit, madje edhe para Gerhard Shrëderit!
Në fund e mora fjalën unë. Dhe, fola për njëmendësinë e ndryshuar në Kosovë; për rolin e NATO-s e të Gjermanisë në ndryshimin e kësaj njëmendësie; për rolin që mund të luajë Gjermania në rindërtimin e Kosovës. Dhe fola për problemet që na shqetësojnë sot: për sigurinë ende të pasigurt, për ndarjen e Mitrovicës si vatër e destabilizimit të Kosovës, për paritetin 1 serb – 1 shqiptar në punësim si pengesë e demokratizimit të Kosovës, për privatizimet, për rrënimin e institucioneve të kulturës me qëllim cenimin e identitetit të popullit shqiptar. E të tjera.
Mbas fjalës sime kancelari Shrëder pyeti, prapë, se si qëndron puna e bashkëpunimit mes partive shqiptare?
Edita Tahiri dhe Hashim Thaçi bënë polemikë.
Hashim Thaçi e ngre çështjen e mjeteve që kanë dhënë shqiptarët në Gjermani – çështjen e tre përqindëshit, që mbahen në bankat gjermane si pronë e Bujar Bukoshit dhe e Kryesisë së LDK-së!
Edita Tahiri iu përgjigj duke ngritur çështjen e Fondit Vendlindja thërret, që e kanë tharë e shterur komandantët e UÇK-së!
Niveli i bisedës bie poshtë, tepër poshtë!
Biseda ndotet!
Ndërhyj: nuk është e nevojshme sot të flitet për “imtësi” të tilla.
Kancelari Shrëder e përfundoi takimin me ne duke na falënderuar për pjesëmarrje. Dhe kështu mori fund një takim pothuaj i dështuar, në të cilin ne s’thamë gjithë ç’duhej të thoshim, por thamë edhe çka nuk do të duhej të thoshim!
Kancelari i Gjermanisë e filloi takimin me fjalë për çështje të dorës së tretë dhe e përfundoi edhe më keq: pa thënë çka do të bëjë Gjermania dhe çka do të bëjë Bashkimi Evropian dhe çka do të bëjnë ndërkombëtarët që Kosova të shërohet sa më mirë e sa më shpejt prej plagëve të shumta që ia ka shkaktuar regjimi i Sllobodan Millosheviçit. Mund të jetë se ai ashtu edhe kishte dashur: të parandalonte që të flasim për ato plagë. Megjithëse diçka thamë, por edhe këto që thamë i zhvlerësoi Edita Tahiri duke ringjallur polemikën për politikën e “institucioneve” të nënshtrimit, e tre përqindëshit, e të Fondit “Vendlindja thërret” dhe duke na fundosur ashtu në një bërrakë ku më së shumti u përlloç vetë ajo, por s’e la pa përlloçur as Hashim Thaçin!
U kthyem në Prishtinë me helikopter në ora 15:15 minuta.
Në orën 20:00, TVSH, në emisionin për Kosovën, dha lajmin për takimin e Hashim Thaçit me kancelarin gjerman, Gerhard Shrëder, dhe për mosardhjen e kryetarit të LDK-së, Ibrahim Rugova, në këtë takim. Gazetari, që kishte bërë lajmin, Bujar Muharremi, na injoroi ne të tjerëve në takimin me kancelarin Shrëder si të mos ishim fare as aty as të gjallë! Kjo ishte teknologjia politike dhe informuese e gazetarit Bujar Muharremi, në mendjen e të cilit ishin salduar primitivizmi dhe stalinizmi!
Dhe kjo alkimi e tij kundërdemokratike ndoshta shprehte edhe dëshirën, mund të ishte edhe kërkesën, e atij që e veçoi si të vetmin subjekt me të cilin duhet të merret televizioni i quajtur TVSH në emisionin për Kosovën: edhe kërkesën e Hashim Thaçit!
17.9.1999
Në orën 9:00, me Visarin, Visar Rekën, shkuam në takim me komandantin e KFOR-it, gjeneralin britanik, Majkël Xhekson.
Është i vendosur në ndërtesën e Kosova-filmit, në Dragodan.
E kanë ndërruar plotësisht pamjen e mjedisit ku janë vendosur anglezët e jashtëzakonshëm. Uniforma të bukura, automobila, autoblinda, tanke, helikopterë. Rend, rregull kudo, në të gjitha anët.
Në parazyrën e gjeneral Xheksonit më bie në sy një si tabelë jo shumë e madhe, në të cilën është shënuar orari i punëve të tij të sotme. Aty është i shënuar edhe takimi me mua.
Gjeneral Xhekson më pret në zyrë, i buzëqeshur, i çlirët.
Çohet e ulet afër meje.
Pyetja e parë që më bën pas disa fjalëve që diplomatët i quajnë fjalë kortezie është:
– Si ju duket situata sot? Si e vlerësoni gjendjen?
Heshtje e shkurtër.
– Ardhja e KFOR-it na ka sjellë shpresë për ardhmërinë. Por, ende ballafaqohemi me shumë probleme që i shohim dhe presim probleme që nuk mund t’i parashikojmë. Disa prej problemeve që më duken më shqetësuese, sipas mendimit tim, janë:
1. ndarja e Mitrovicës, 2. prania e rusëve, sidomos në aeroportin e Prishtinës, 3. kërkesat që, edhe mbas të gjitha atyre krimeve që bëri regjimi i Millosheviçit ndaj nesh, Kosova është pa sistemin e vet të mbrojtjes, 4. përqendrimi i serbëve në Fushë të Kosovës, në Rahovec, në Shtërpcë, në rrethinë të Gjilanit, domethënë në enklava, që mund të bëhen enklava terrorizmi kundër nesh e kundër KFOR-it dhe 5. insistimi i Misionit të OKB-së në autonominë e Kosovës edhe pas kësaj lufte që bëri UÇK-ja bashkë me forcat e NATO-s gjatë fushatës së bombardimeve!
Gjeneral Xheksoni përgjigjet ngadalë, përqendrueshëm, ndaj të gjitha shqetësimeve të mia që ia numëroj.
Pranisë së rusëve nuk i kushton farë rëndësie.
Çështjen e sigurimit tonë, vetjak, të mbrojtjes sonë vetjake, e konsideron çështje shumë serioze, por shton se ushtria kushton shumë, kurse ne tani për tani jemi mbrojte pa pagesë, thotë duke qeshur.
Drojën tonë nga përsëritja e autonomisë dhe “sovraniteti” nën Jugosllavinë e mbetur e mënjanon me pohimin se NATO prej Kosovës nuk do të shkojë pa u caktuar statusi përfundimtar i Kosovës.
Ndahem prej tij me përshtypjen: gjenerali Xhekson është anglez i vërtetë sepse është politikan i jashtëzakonshëm edhe kur është ushtarak.
Desha t’i thosha se në pjesën e Mitrovicës, në të vërtetë në krejt Mitrovicën dhe Veriun e saj, do të ishte mirë të shpallej gjendje e jashtëzakonshme, kurse në Kosovë të zbatohet i ashtuquajturi Plani i Marshallit, si në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore, që do ta rindërtonte Kosovën e shkatërruar nga regjimi pushtues gjakatar i Millosheviçit. Por, nuk i thashë! /KultPlus.com