29 Korrik, 2024 - 11:15 pm
Datëlindja e Arshi Pipës është përkujtuar me një takim në Qendrën e Librit. Shkrimtari, intelektuali e filozofi që u arratis në diktaturë pas dënimit me burg, u soll në vëmendje përmes librave që la edhe pse Shqipëria nuk ia dha kurrë vendin që i takonte.
Datëlindja e shkrimtarit dhe intelektualit Arshi Pipa është përkujtuar me një takim në Qendrën e Librit. Profesori, filozofi, kritiku e poeti në moshën 28-vjeçcare, më 1948 e gjen veten në kampin e Vloçishtit si i dënuar politik. Tatëpjeta kishte nisur me një ligjëratë për Migjenin dhe një koment mbi poezinë e Faustit.
Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Genta Sula u ndal te studimet “Kur Sigurimi merrej me shkencë” që i është kushtuar edhe figurës së tij dhe foli për përmasën e tij intelektuale dhe disidente.
I vëllai avokat e kishte humbur betejën me sistemin diktatorial para tij, studimet ne Itali, revista ‘Kritika’ janë veçse laqe të tjera. pas disa vitesh burgje e spitale, del nga burgu dhe arratiset nga Shqipëria me të motrën duke e kaluar kufirin me not përmes lumit Buna më 957. Dy vite më vonë, boton në Romë “Librin e Burgut” dhe atdheun do e rishihte veçse pas rënies së komunizmit. Nipi, Plator Kalakula kujtoi takimet me të.
“Ai mbeti patriot qw mendonte dhe merrej me atdheun edhe pse Shqipëria e burgosi dhe nuk I dha vendin që i takon”.
Vepra e tij filozofike u botua në Shqipëri nën kujdesin e së motrës pas vdekjes së Pipës. Vetë ai, ka dëshmuar raportin mes lirisë së mendimin e asaj fizike në burg,
ARSHI PIPA:“Kanë prangosur trupin tim, por nuk kanë mundur të prangosin mendimin tim. Dhe – gjë vërtet e mrekullueshme – kur trupin tim e kanë bërë pothuajse një kufomë, atëherë mendimi ka fituar lirinë… Më kanë mbyllur në këtë burg që të vuaj. Unë nuk u mbaj mëri atyre që më kanë bërë të vuaj, madje i falënderoj, dhe sinqerisht. Ka të drejtë të mallkojë vuajtjen ai që shtypet nga ajo. Por, ai që e mund, do të duhej ta bekonte. Ndërsa njëra degjeneron në vuajtje, tjetra ripërtërihet. Poshtë ajo të çon te krimbi, lart te hyjnia…”
Aktiviteti u rrek të sjellë në vëmendje krijimtarinë dhe studimet që la pas. si shumë të tjerë që komunizmi i dënoi ose me burg ose me heshtje, edhe Pipa nuk ka mundur ende të marrë vendin që i takon në letrat e studimet shqipe, sepse themelet u vunë në diktaturë, dhe atë që diktatura bashkoi, demokracia nuk arriti ta ndajë./balkanweb/ KultPlus.com