15 Shtator, 2017 - 8:36 pm
Është përkujtuar sot shkencëtarja e parë shqiptare, Sabiha Kasimati, në 105-vjetorin e lindjes. Në këtë përvjetor, familjarët e Kasimatit kanë marrë dosjen e saj të plotë nga Arkivi i Shtetit.
Sabiha Kasimatit (1912-1951), biologë dhe punonjëse shkencore, lindi në Edrene (Adrianopol) të Turqisë Evropiane, në një familje nga Libohova. Më 1927 u kthye familjarisht në atdhe, u vendos në Korçë, dhe kreu Liceun Kombëtar. Punoi si mësuese në shkollën femërore të Korçës dhe në shkollën e mesme bujqësore amerikane të Kavajës (1931-1936).
Më 1936 filloi studimet e larta për biologji (dega e iktiologjisë) në Universitetin e Torinos. Më 1941 mbrojti doktoraturën dhe u kthye në atdhe. Punoi si mësuese e biologjisë në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë (1941-1945). Gjatë vitit 1945 qëndroi për kurim në Torino. U kthye në atdhe dhe filloi punën si kërkuese shkencore në Institutin e Studimeve që me themelimin e tij (1946), ku u morr me studimin e peshqve të Shqipërisë. Botoi disa artikuj shkencorë në revistën “Buletin i institutit të Shkencave”. Grumbulloi një material të pasur për iktiologjinë e Shqipërisë, mbi bazën e të cilit do të hartonte një monografi. Më 20.02.1951 u arrestua lidhur me incidentin e bombës në ambasadën sovjetike bashkë me 21 persona të tjerë të arrestuar për të njëjtën ngjarje. U pushkatua pa u gjykuar, më 26.02.1951.
Javën e ardhshme, Muzeu Historik Kombëtar, në veprimtarinë periodike “Një pasdite në muze!” do t’ja kushtojë Sabiha Kasimatit, një nga femrat intelektuale më të shquara shqiptare, shkencëtare e nivelit të lartë, dhe jo vetëm. / KultPlus.com