2 Nëntor, 2019 - 7:58 pm
Shkruan: Muahmedin Kullashi
TRASHËGIMIA E « LOJËS » e BEKIM LUMIT
Pesë numra të revistës « Loja » dhe librin « Shakespeari dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit » i kam dhuratë nga poeti dhe profesori Afrim Demiri.
Regjisori dhe profesori i shquar i Fakultetit të Arteve në Prishtinë, figura e madhe e teatrit, Bekim Lumi, në vitin 2006, arriti të botojë, me ndihmën e bashkëpunëtorëve të vet të njohur, numrin e parë të revistës « Loja ». Ky numër iu kushtua 100 vjetorit të lindjes së dramaturgut të madh Samuel Beckett (1906-1989).
Në editorialin e këtij numri Lumi shpjegon përse e ka zgjedhur këtë titull të revistës. Ai përmend perceptimin e hershëm të poetit Empu Kanva nga Java, nga shekulli i 10, për teatrin si lojë e « kukullave të gdhendura e të ngjyera me aq merak, që me zërin e huaj flasin e me lëvizje të huaja ecin, në njeriun përngjasojnë, i cili qorraz vrapon mbas hijeve të veta, pa e kuptuar se veç për lojën bëhet fjalë në botën e zhveshur nga nga vlerat ». Ai përkujton këtu edhe formulimin e Shakspeareit, përmes Hamletit, sipas të cilit « Loja është gracka, ku shpirti i mbretit kapet si laraska ». Pasi ta ketë theksuar këtë aspekt të teatrit, Lumi shton se, megjithatë, njerëzit e teatrit « që prej filleve të tij e deri më sot » kanë shkruar drama, sikurse edhe ese e studime. Duke e patur parasysh faktin se sidomos, nga gjysma e dytë e shekullit njëzet, raportet midis tekstit dhe arteve performuese (muzika, vallëzimi, videoja etj) transformohen me ndryshimet që pëson drama bashkëkohore. Ai vë në pah, në këtë editorial, begatinë e trashëgimisë së « dijes së shkruar teatrore, që bota e qytetëruar i ka mbledhur nëpër libra apo revista ». Bekim Lumi nënvizon mungesat në Kosovë, në « ambientin tonë kulturor », (« duke lënë anash përpjekjet e kohëpaskohshme ») të asaj « trashëgimie botërore në fushën e teatrit ». Lumi saktëson këtu se e ka fjalën për mungesën e përkthimeve të « perlave të mëdhave të dramaturgjisë apo edicionin e plotë të veprave të Shakespeare-it », sikurse edhe mungesën e « pjesës më të madhe të dramaturgjisë bashkëkohore botërore të shekullit 20, si dhe pothuaj të gjithë librat teorikë, studimorë e analitikë, në të cilët, që prej mijëra vjetësh, është përmbledhur krejt dija teorike dhe praktike mbi teatrin dhe rreth teatrit. » Bekim Lumi vijëzon horizontin brenda të cilit do të lëvizë revista e tij « Loja », si përpjekje për t’u përgjigjur mungesës të cilën e heton brenda « ambientit tonë kulturor ».
Do tê pêrkujtoja kêtu se disa filozofê e kanê pêrkufizuar njeriun si « qenie e nevojave tê begatshme » : pêrmbushja e tyre supozon pikêrisht vetêdijen dhe nevojên pêr atê qê na mungon.
Bekimi shpjegon kêtu edhe përse ky numër i kushtohet Beckettit : ai dëshiron që ta shënojë 100 vjetorin e lindjes së « klasikut modern të dramaturgjisë botërore të shekullit 20. », në mënyrë që kjo ngjarje të mos kalojë « shurdh e qorazi » te ne.
Revsita ka një strukturë të ndërtuar shumë mirë. Blloku kushtuar Beckettit sjell artikujt e Gerri Dukes, « Beckett », Eqrem Bashës « Beckett-i ndër shqiptarë », Pierre Chabert « Trupi në teatrin e Beckettit, Gonxhe Boshtrakaj « Lojërat televizive të Beckettit », Terry Eagleton « Becketti Politik ». Esetë për teatrin e E. Ionescos « Avangadra është liria », i Albert Camus « Pse u mora me teatrin », « Miti dhe bota teatrore » i Sartreit. Pas një blloku të artikujëve për avangardën amerikane, portreti i Muharrem Qenës, artikulli « Pikëtakimet midis antropologjisë dhe teatrit » i Richard Schechner, « Mbi lojën dhe të luajturit i Jeton Nezirajt, sikurse edhe drama e Bernard-Marie Koltès, dramaturgut bashkëkohor francez me titull « Në vetminë e fushave të pambukut » në përkthimin e shkëlqyer të Eqrem Bashës. Basha, në fakt, na ka ofruar në gjuhën shqipe, veç tjerash, edhe vëllimin e madh Teatri freng i shekullit XX(2008), i cili përman veprat e një plejade të krijuesëve të mëdhenj të teatrit francez (Anouilh, Genet, Cocteau, Camus, Sartre, Duras etj.).
Edhe numrat tjerë të revistës « Loja » ofrojnë analiza lucide e të begatshme mbi aktorët shqiptar (nr.2, Faruk Begolli, Kadri Roshi, Pitarka, Manushi, Fanko) studime mbi teatrin e Peter Brook, « Teatri Lalish. Zëri që shihet » i Bekim Lumit, teksti mbi groteskën i Stanislavskit. Ndërkaq, numri 3 ofron studime për Antonin Artaud por edhe tema të tjera. Numri 4. i kësaj reviste i kushtohet kryesisht teatrit të Eugène Ionesco dhe teatrit të Grotowskit, duke sjellur edhe dhe një varg artikujsh për tema të tjera që lidhen me teatrin bashkëkohor. Numri i 5(u botua në vitin 2010) i kushtohet teatrit të Albert Camusë por edhe temës së « laboratorëve teatror » në shekullin e 20. Në editorialin e këti numri, lidhur me teatrin laborator, Lumi persiat edhe për « zërin e atij ‘tjetrit’ brenda nesh » si edhe për « zërin tonë brenda atij »tjetri ».
Bekim Lumi, me këto numra të revistës « Loja », me autorë të tjerë që bashkëpunuan me të, sikurse edhe me librin e tij Shakespeari dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, na ofroi perla të një trashëgimie të begatshme të kulturës teatrore botërore. Lumi na përkujton se veprat e çmuara të kulturës botërore bëhen pjesë e kulturës sonë, si individë por edhe si popull, nëse çilemi ndaj atyre veprave, nëse komunikojmë me to dhe nëse i përvetësojmë ato.