Kultura çame “viziton” Kosovën përmes promovimit të librit “Këngë Popullore të Çamërisë”

25 Shtator, 2019 - 1:56 pm

Qendrim Badalli

Dje në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është shpalosur në mënyrë të përkryer kultura çame përmes promovimit të librit “Këngë Popullore të Çamërisë”. Autori u përkujtua në post-mortum, por vepra e tij u vlerësua si e gjallë, si e vlefshme, në mesin tonë, jo vetëm për shqiptarët në Çamëri por për të gjithë shqiptarët jashtë kufijve, shkruan KultPlus.


Këngët janë aty, për ta kujtuar të kaluarën, për ta shprehur të tashmen, apo për ta projektuar të ardhmen. Ata janë aty, për ta shpalosur gjithë korpusin popullor të shqiptarëve të Çamërisë, nga një autor që ka bredhur rrugëve për të lënë pas vetes një testament kulturor, për të lënë pas vetes një kujtim për të, për shqiptarët e Çamërisë.

“Është një kënaqësi e veçantë që sot jemi në mesin e vëllezërve tanë kosovar”, kështu e filloi fjalën e tij, studiuesi dhe kritiku, Hajredin Ismaili.

Duke folur për autorin ai ka treguar për jetën e tij të vuajtur dhe njëkohësisht ka shprehu vlerësimin e tij për veprën e autorit Fatos Mero Rrapaj. “Çdo shqiptar e ka për detyrë të kontribuojë për çështje e atdheut të vet. Pra nuk kemi bërë asgjë në krahasim me atë çfarë ka bërë autori i librit. Ne jemi lodhur pak, ai është lodhur me vite të tëra. Ai ka qenë një njeri i pasionuar, ka punuar me vite të tëra nuk ka lënë familje çame në fshat dhe qytet pa hyrë dhe pa trokitur. Atë e ka motivuar një interes kombëtar, dhe dua ta dini se ai ishte një punëtor si një roje nate që merrte një rrogë me katër dollar në muaj, dhe ai vdiq i papërfillur. Dhe, ne shqiptarët, kemi një zakon që i kujtojmë njerëzit pas vdekjes. Njeriu duhet të kujtohet për veprat e tij kur është gjallë që të paktën t’i kënaqet atij shpirti. Shoqëria çame ka pasur në konsideratë vlerat e tij”.

Tutje, ai ka thënë se vepra e Rrapajt është e pashmangshme për çdo studim tjetër. “Vepra që kemi sot në dorë, asnjë historian dhe studiues nuk mund t shkruaj pa e pasur parasysh këtë libër. Aty i ke të gjitha, doket, zakonet, ke këngët e trimërisë, ke këngë për heronjtë, për trimat, por ke edhe shumë këngë që janë të përbashkëta me Kosovën”.

Ndërsa drejtori i fondacionit “Hasan Tasini”, Alked Veliu, fillimisht ka shprehur një varg falënderimesh për të gjithë ata që ndihmuan botimin e kësaj vepre. “Për botimin e këtij libri unë kam për të shprehur disa mirënjohje të veçanta, për të gjithë ata që mundësuan ribotimin e kësaj vepre. Po filloj me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë që është botues i këtij libri. Në mënyrë të veçantë do të doja të falënderoj dy profesor që janë marrë me ribotimin e këtij libri, profesor Hajredin Isufi që e kemi këtu si dhe profesor Shaban Sinanin, i cili për arsye shëndetësore nuk ka mundur të jetë i pranishëm”.

Ai ka thënë se ndihet mirë që aktiviteti i parë i këtij fondacioni po fillon në Kosovë teksa ka uruar për fat në të ardhmen. “Unë ju falënderoj për pjesëmarrjen dhe shpresoj që ky aktivitet i parë i fondacionit “Hasan Tasini” në Prishtinë të jetë vërtetë një fat dhe uroj e shpresoj që këtij fondacioni të ju bashkohen çdo ditë e më shumë shqiptar nga të gjitha trevat shqiptare. Kjo është dhe arsyeja pse është krijuar ky fondacion”.

Në një fjalë rasti Avni Dehari ka shprehur vlerësimin dhe falënderimin për të gjithë kontribuuesit në këtë ngjarje teksa ka uruar për suksese të mëtejme të fondacionit. “Ndihem tepër i nderuar që sot marrë pjesë në një aktivitet me peshë të madhe kombëtare. Përgëzoj për këtë aktivitet organizatorët dhe një falënderim të veçantë shpreh për autorin e këngëve çame që ka punuar me kaq përkushtim. Fondacionit “Hasan Tasini” i dëshiroj suksese në veprimtarinë e tyre”.



“Këngë popullore nga Çamëria” e autorit Fatos Mero Rrapaj, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është libri i cili nëpërmjet vargjeve të njeh me historinë e kësaj treve që nga Piro i Epirit deri në luftën anti-fashiste. Libri është një shprehje identitare e plotë e Çamërisë e cila vjen nga goja e popullit e papërpunuar. Ky aktivitet u mbyll me këngë Çame kënduar nga zërat brilantë të Çamërise, Enkeleda Arifi dhe Hysni Alushi si edhe vallja e Osman Takës nga valltarët e talentuar, vëllezërit Çam të Vlorës. / KultPlus.com

Të ngjajshme