16 Maj, 2020 - 11:25 am
Tregim nga Ibrahim Berisha
Pamja e përhapur e kumbullës, vërejtur nga krahu i majtë i dritares së Spitalit të Mushkërive në Pejë, nuk ndryshonte.
Gjithë kohën ajo ishte përhapje e çmalljes.
Artani kollitej dhe djerësinte, por nuk largohej nga dritarja.
Kurora e gjelbër, bukuria rrethuese e kodrave dhe zërat e herëpashershëm të fëmijëve, mbulues të atij trupi që premtonte begati, motivonin dëshirën për të qëndruar përballë katërkëndëshit të drunjtë, për të shikuar më tej xhamave të dritares, brenda të cilëve, e pushtetshme, kish zënë vend sëmundja e stërgjatur.
Ulu se lodhesh, flet kujdesshëm infermierja. Nesër ke fotografinë me rreze rëntgen.
Po, përgjigj ai.
Doktori brengoset se rri gjatë në dritare, thotë infermierja.
Është një kumbull atje, përgjigje.
Mund të jetë ora njëmbëdhjetë e mëngjesit, kur i sëmuri, fëmija trembëdhjetë vjeç, Artani, zë pozitën e përsëritur; shikon atë pamje, kumbullën që e luhasnin lehtë erërat e stinës.
Por, befas sheh dy veta te kumbulla.
Ata sillen rrotull trungut dhe me zemërim përqapin lartësinë e bukur të kurorës. Nuk pushojnë as pas një ore së godituri trupin e saj të njomë.
Në mesditë, lartësia dhe gjatësia e gjelbër, nënshtrohet plotësisht. E shkulin, pastaj të prerë, e lënë shtrirë mbi dyshemenë e gjelbër të tokës.
Ende në dritare?
E prenë kumbullën, i tha Artani infermieres, kur i solli ilaçet e drekës.
Fëmijët më nuk do të luajnë afër kumbullës dhe as zogjtë nuk do të zbresin dehshëm nëpër kurorën e saj të gjelbër e rrumbullake, mendoi.
Sa mbaron terapinë, zuri pozitën e përsëritur; shikon atë pamje, kumbullën që luhatet lehtë nga erërat e stinës. Njësoj, sikur para shkuljes së trungut nga ata dy të dëshpëruar këmbëngulës.
Rri vazhdimisht në dritare, i tha infermierja sa hapi në mëngjes derën e dhomës.
E prenë, por ajo është aty, tha Artani.
Kumbullën, e shikon, e pyeti ajo.
Po, përgjigjet Artani.
E shikon gjithë ditën.
Ia shikoj kurorën, tha.
Aty është, por nuk duket, thua?
Ka shumë gjëra që nuk duken, por janë.
Po, u dorëzua infermierja. Po, tha.
Atje është, bëri me gisht drejt në hapësirë.
Sigurisht, tha infermierja.
Kur erdhi vjeshta, të gjitha pemët lëshuan gjethet poshtë.
Infermierja hyri në dhomën që kish dy javë pa pacientin.
Tërhoqi perdet dhe hapi dy krahët e dritares.
Çfarë shikon, e pyeti doktori, që pa në dhomë infermieren në dritare. Shikon vazhdimisht sikur voglushi, pacient.
Është një kumbull atje, tha infermierja.
Doktori u afrua, pa me kurreshtje.
Nuk duket, tha ai.
Ka shumë gjëra që nuk duken, por janë, tha me zërin e lëkundur infermierja. /KultPlus.com