31 Korrik, 2019 - 3:00 pm
Nga: Stefan Cvajg
Përktheu: Bujar Hudhri
Fjala e mbajtur në ekspozitën e librave në Sunday Times, Londër, 1935
Kam vendosur të flas sot për bukurinë dhe kuptimin e dorëshkrimeve, sepse në ditët tona ende nuk ka një përfytyrim të qartë as për kuptimin, as për bukurinë e këtyre thesareve të fshehura. Te krijimet e arteve të tjera, kuptimi i tyre sikur del jashtë; bukuria e tyre nuk mbështillet me ndonjë tis misteri. Për shembull, një tablo e pikturuar nga një mjeshtër: na duhet veçse të afrohemi tek ajo dhe syri ynë të kënaqet me format, me ngjyrat e saj; vazoja e derdhur mjeshtërisht në bronz, qilimi që shndrit nga qëndismat larmingjyrëshe, duke na u shfaqur me gjithë bukurinë e lakuriqtë, sikur ata vetë, shterueshëm, e nxjerrin thelbin e tyre të mistershëm; kristali, monedhat, gurët e çmuar – që të mahnitemi prej tyre, mjafton vetëm t’u ngulim vështrimin. Këto thesare i kupton dhe i dëshiron pothuaj pa u menduar, kaq lehtësisht na magjepsin dhe sundojnë ndjenjat tona.
Në krahasim me to, një koleksion dorëshkrimesh nuk i thotë asgjë shikimit tonë. Po çfarë mund t’i duket tjetër syrit tonë një pirg fletësh të pluhurosura, gjysmë të kalbura, të ndotura, një tog letrash, aktesh dhe dokumentesh, në pamje të parë kaq të padobishme, saqë, po të mbeten po aty ku u gjendën rastësisht, një dorë e ngutur do t’i flakte si të ishin ca vjetërsira. Dhe, në të vërtetë, pamja modeste, së jashtmi, e dorëshkrimeve, ka qenë gjatë shekujve shkaku i zhdukjes së pakuptimtë të vlerave kolosale. Dorëshkrimet e Shekspirit, letrat e tij, shënimet, veprat e shquara e të panjohura muzikore, nëntë të dhjetat e gjithë letërsisë antike, shumë drama të Sofokliut dhe Euripidit, strofa të Safos – të gjitha u zhdukën vetëm sepse kuptimi dhe bukuria e këtyre faqeve të shenjta nuk ishin të qarta. Pikërisht, që të kuptohet rëndësia e thellë, e fshehur, e këtyre thesareve, është i domosdoshëm interesi i brendshëm për to. Vetëm zemrës, jo ndjenjave të jashtme sipërfaqësore, mund t’i shfaqet bukuria dhe vlera shpirtërore e dorëshkrimeve.
Por, jo çdokush mund të futet në mbretërinë e tyre të mistershme. Këtë mund ta bëjë vetëm ai që zotëron çelësin për arritjen e tyre, që e shtyn ajo forcë morale, që është më e mrekullueshmja, më e fuqishmja në botë – përulja. Që t’i kuptosh dorëshkrimet dhe pasi t’i kuptosh, t’i duash, që të mrekullohesh prej tyre, të emocionohesh dhe të entuziazmohesh, për këtë duhet, së pari, të mësohesh t’i duash njerëzit, tiparet jetësore të të cilëve janë ngulitur në to përjetësisht. Dorëshkrimi i Kits mbetet për ne një fletë e zakonshme letre e mbushur me shkrime, derisa vetëm përmendja e emrit të poetit të na zgjojë kujtimin e përulur për ato vargje hyjnore, që i lexonim dikur dhe që janë po kaq reale dhe të prekshme për shpirtin tonë, ashtu sikundër çdo shtëpi e këtij qyteti, si qielli mbi to, si reja mbi det. Që të ndiejmë dridhmën e përulur para njërës prej fletëve që ndodhet këtu, – para skicës së “Sonatës së hënës” – duhet që kjo melodi të kishte jehuar një herë brenda nesh. Vetëm atëherë, kur të sillemi me poetët, kompozitorët dhe heronjtë e tjerë të shpirtit dhe veprimit me ndjenjën e përuljes, na shfaqet kuptimi dhe bukuria e dorëshkrimeve të tyre.
Por, habitshmërisht i dyfishtë është qëndrimi ynë për gjenitë e njerëzimit. Nga njëra anë, ne nuk kemi dyshimin që ata ishin më madhështorë, më hyjnorë se ne, njerëzit e zakonshëm, të vegjël; ne e ndiejmë që ata janë mbi ne dhe kjo na ngjall një ndjenjë respekti më të thellë për ta. Por, nga ana tjetër, ne provojmë edhe ndjenjën e një kënaqësie të fshehtë kur e dimë që këta krijues hyjnorë, gjenialë, kanë qenë po ashtu si dhe ne, që ata të cilët shpirtërisht ishin mbi ne, kanë jetuar mes nesh, vdekatarëve të zakonshëm, kanë banuar në shtëpi, kanë fjetur në krevate, kanë veshur rroba, kanë shkruar letra; dhe kjo zakonshmëri na jep një gëzim modest, kur përulësisht ruajmë gjithçka që na kujton jetesën e tyre tokësore. Vetëdija krenare për afrinë tokësore të tyre me ne na lejon që të duam gjithçka, që ndjeshmërisht na kujton jetën e tyre, na nxit të studiojmë librat e shkruar për to, të koleksionojmë portretet e tyre dhe kujtimet e bashkëkohësve të tyre; por asgjë nuk shpalos kaq bindshëm dhe mrekullueshëm portretin e tyre artistik sesa dorëshkrimet e tyre. Sepse pikërisht në to pasqyrohet fytyra e vërtetë e artistit dhe ne sikur depërtojmë në faltoren e shenjtë të qenies së tyre – në studion e tyre.
Gëte, një nga këta të pavdekshëm, e pranonte “vlerën e pavdekshme”, siç thoshte ai, të dorëshkrimeve. Në njërën nga letrat e tij ai thoshte: “Duke soditur dorëshkrimet e njerëzve të shquar të së kaluarës, unë, si me magji, bëhem bashkëkohës i tyre. Dokumente të tilla nga jetët e tyre janë të shtrenjta për mua, në mos si portret, atëherë, në çdo rast, si një plotësim i dëshirueshëm apo zëvendësim i tij.”
E kam nxjerrë nga mbretëria e shpirtrave dëshmitarin e shquar i cili e ka vërtetuar dashurinë e tij për dorëshkrimet duke i koleksionuar ata; por Gëte nuk ka qenë i vetmi para të cilit u hap kjo botë magjike. Johann Sebastian Bach ruante dorëshkrimin e notave të Handelit, Beethoveni të Mozartit, Schumann të Beethovenit, kurse Brahmsi të të gjithëve bashkë. Ky varg i mahnitshëm zgjatet nëpër të gjitha kohërat, sepse pikërisht ai që krijon vetë, provon një përulje të vërtetë para krijimtarisë së të tjerëve, vetëm artisti është i aftë të kuptojë dhe ta shfaqë dashurinë, madje edhe për ato dukuritë më të veçanta dhe befasuese të artit.
Por, këta mjeshtra i kanë ruajtur letrat e mësuesve dhe sivëllezërve të tyre shpirtërorë jo vetëm si relikte; nga përvoja vetjake ata e dinin që pikërisht në dorëshkrime dhe jo vetëm në to, është fshehur një nga misteret më të thella të natyrës, mbase më i thelli. Sepse nga shumica e mistereve të pazbuluara të botës, më i thelli dhe më i shenjti mbetet misteri i krijimit. Këtu natyra nuk e duron përgjimin. Ajo nuk të lejon kurrë të kundrosh fshehurazi aktin e fundit të krijimit: si u krijua bota, si çel një gonxhe, si lind një varg, si lind një njeri. Pamëshirshëm, pa as më të voglën ndjesë, e ul perden. Madje, poeti apo kompozitori, dhe ata vetë që e përjetojnë procesin poetik apo krijimtarinë muzikore, nuk munden paskëtaj të shpjegojnë misterin e frymëzimit të tyre. Sapo krijimi u krye, artisti nuk mund të thotë asgjë se si lindi, si u rrit dhe u kristalizua; kurrë, apo thuajse kurrë, ai nuk mund të shpjegojë se si nga ndjenjat e tij sipërane lindi ky apo ai varg i magjishëm, apo nga tinguj të veçantë – një melodi që do të jehojë në shekuj.
Këtu, sikundër u thashë, natyra nuk e duron përgjimin, këtu ajo prerazi e ul perden e saj. Dhe e vetmja gjë që ajo mund të na rrëfejë qoftë një grimë, apo që të na afrojë fare pakëz në zgjidhjen e procesit të pakapshëm të krijimit, janë fletët e dorëshkrimeve. Ashtu si gjahtari pas gjurmëve më të lehta gjen bishën, ashtu edhe ne pas dorëshkrimeve – sepse ato janë gjurmët e jetës, gjurmët e krijimtarisë, – mund të ndjekim pas procesin e krijimit të figurës; duke na ngjallur ndjenjën më të thellë të respektit, ata ndërkohë së bashku me të na pasurojnë dijet. Ja, për shembull, një fletëz e bllokut të shënimeve të Beethovenit, ku është ngulitur një nga këto lëvizje prometeane.
Frymëzimi pothuaj kurrë nuk i erdhi Beethovenit kur ishte në tavolinën e shkrimit, por kurdoherë në ecje, në lëvizje. Fshatarët e rrethinave të Vjenës shpesh vërenin me habi një njeri jo shtatlartë, që vuante nga astma, i cili kokëjashtë endej fushave; ata e merrnin për të lojtur; “Murmuritësi”, – i thoshin sepse ai, si i çmendur, kurdoherë shihej duke murmuritur nën hundë, fishkëllente, këndonte, hapte duart sipas ritmit.
Befas, pasi ndalonte, nxirrte nga xhepi një bllok të vogël të bërë me njolla, duke e gërvishtur me laps plumbi ngutshëm, shënonte notat. Në këta rreshta të ngutur sikur kristalizohej prototipi, sido që të lindte: rrufeshëm, nxehtë; dhe ja, në sytë tanë ndodh çudia: fuqia magjike e dorëshkrimit befas na zbulon çastin e frymëzimit që nuk duket zakonisht, ashtu sikundër rrezet rëntgen bëjnë të dukshme për syrin tonë skeletin e njeriut. Më tej ju shihni fletë të tjera, në të cilat kompozitori zhdrivillon në kopje melodinë e skicuar fillimisht, e ndreq, pastaj i vë vizën dhe e nis sërish nga e para.
Dhe nga fleta në fletë ju ndiqni me emocion se si ndryshon gjatë punës gjendja shpirtërore e artistit. Këtu rreshtat shkrihen nxehtësisht dhe ngutshëm, duke e ndjekur me zor vrullin e frymëzimit; atje, duke u ndeshur, ata befas ndalojnë, ndërpriten, lindin sërish dhe përsëri këputen dhe ju e ndieni: poeti, kompozitori, nuk gjejnë këtu fjalën e duhur, kalimin melodik. Dhe si në një pasqyrë magjike ju del në pah: këtu – lodhje, atje – sfilitje, kurse në një zhgrapje tjetër nervoze – madje zemërim, dhe pastaj sërish vrull – tashmë te fitorja e radhës, përfundimtarja.
Dhe ja, më në fund, zë e ndriçon dielli i ditës së shtatë, bota u krijua, vepra u krye, formula e radhës, e fundmja, u gjend – kjo është forma e parë e shfaqjes në botë të një krijimi të pavdekshëm: skerco nga simfonia e nëntë ose “Manushaqja” e Mozartit në shënimin e fundit me dorën e vetë kompozitorit. Në dorëshkrim, më tepër se në çdo rrëfim, në çdo tablo, pasqyrohet fitorja e përjetshme e shpirtit mbi materien. I përjetshëm është edhe mendimi i Gëtes (Johann Wolfgang von Goethe): që të kuptosh veprën artistike, është pak ta njohësh në përsosmëri, duhet të gjurmosh se si ajo u krijua: prandaj shumë vepra letrare, shumë vepra muzikore ne mundemi, mbase, t’i pushtojmë në gjithë thellësinë e tyre vetëm atëherë kur me ndihmën e këtyre dorëshkrimeve e përfytyrojmë veten në atë botë, ku ata janë krijuar.
Dokumentet dorëshkrimore i lejojnë fantazisë sonë të përfytyrojë figurshëm jo vetëm gjendjen krijuese, por edhe episode historikisht të rëndësishme nga jeta e artistit. Nëse mendja njerëzore, tashmë e ngacmuar nga fantazia, do të vështrojë çdo episod të tillë si diçka të gjallë, atëherë asnjë fletë letre nuk do të na duket e vdekur, fëshfëritja e të cilave i ngjan fëshfërimës së gjetheve kur bien. Nganjëherë dorëshkrimi historik zotëron një fuqi të tillë tronditëse, saqë disa rreshta të tij janë në gjendje të rindërtojnë ndonjë skenë ku e ku më plastike sesa mund ta bëjë këtë një poet apo biograf.
Shikoni, për shembull, një letër të Beethovenit, të shkruar pak përpara se ai të vdiste. Tre muaj radhazi, kompozitori i sëmurë nuk çohet nga krevati, trupi i tij i fortë dhe i bëshëm, tashmë i pafuqishëm dhe i lehtë si i një fëmije, dora e tij e tretur, pa gjak, tanimë nuk është në gjendje të shkruajë një rresht. Ai nuk dyshon që vdekja është aty afër, ndërkohë e kanë pushtuar telashet sfilitëse. Si do të jetojë tani, kur nuk mund të krijojë, me çfarë do ta paguajë apartamentin? Por ai e di se atje, larg, matanë La Manshit, është një vend ku e duan dhe e nderojnë.
Ai ka marrë një ftesë nga shoqata filarmonike e Londrës: atë e presin koncertet dhe paratë. Dëshpërimisht, thërret për ndihmë, me shpresë se britmën e tij do ta dëgjojnë përtej detit, por dora e tij tashmë nuk ka fuqi të mbajë as penën; letrën e shkruan Schindleri besnik, deri në fjalët e fundit tronditëse: “Jam tepër i lodhur, nuk mund t’ju them asgjë më shumë.” Pastaj ia zgjat letrën në krevat. Me një tendosje të pabesueshme, me gishtërinjtë që dridheshin, pa pikë fuqie, kompozitori nënshkruan poshtë “Beethoven”; kjo i kushton më shumë përpjekje se krijimi i sonatave apo simfonive. Dhe ky nënshkrim që dridhet, që është kaq torturues, nuk mund të mos tronditë çdo njeri që ka ndjenja, sepse këto germa Beethoven nuk i shkroi i vetëm: penën e mbante vdekja.
Në këto germa sikur ka ngrirë klithma e shpirtit, e sunduar nga tmerri më i thellë, një çast i paharruar, i ruajtur përjetësisht nga kjo fletë letre. Dhe – çfarë kontrasti befasues! – pranë shtrihet një fletë tjetër, dëshmia martesore e Mozartit. Gjithçka tek ajo frymon jetë dhe hare, rini dhe lumturi, germat sikur hedhin valle dasme; por ne e dimë që pikërisht në atë ditë, sapo u kthye në shtëpi nga dasma, Mozarti, si një fëmijë, u lëshua në vallëzim përqark tavolinës së bashku me nusen e re, sepse më në fund kishte arritur ta merrte “nusen e tij të vogël”, pavarësisht gjithfarë pengesash dhe kundër babait të rreptë.
Kështu, në njërën fletë disa rreshta përfshijnë në vetvete lumturinë më të madhe njerëzore, në tjetrën – hidhërimin më të thellë, dhe për atë që di t’i lexojë, jo vetëm me sy, por edhe me zemër, këto shenja të padukshme tregojnë jo më pak sesa bukuria e dukshme e librave apo tablove. Dorëshkrimet zotërojnë një forcë magjike, një aftësi që të ngjallë në të tashmen figura të njerëzve të ikur prej kohësh; pranë këtyre fletëve kalon si në një galeri pikturash dhe secila prej tyre të prek dhe të pushton. Duke vëzhguar koleksionet e dorëshkrimeve të artistëve, të ndarë nga njëri-tjetri prej hapësirës, kohës apo armiqësisë së ndërsjelltë në gjallje të tyre, padashur ndien përmes hapësirës dhe kohës dallimin e natyrave të tyre krijuese dhe së bashku me të larmia e shenjtë, me të cilën arti di të sundojë zemrat tona. Ja shkrimi i madh, i gjerë, serioz, i Handelit.
Aty ndihet një njeri i fuqishëm, i pushtetshëm dhe sikur dëgjohet kori i fuqishëm i oratorios së tij, në të cilin vullneti njerëzor pështillet në ritmin e rrymës së pafre të tingujve. Dhe sa këndshëm dallohet prej tij shkrimi i hijshëm, i lehtë, lojcak, i Mozartit, që të kujton stilin rokoko ma ato lulkat e lehta, të spërdredhura, shkrimi në të cilin ndihet vetë gëzimi i jetës dhe muzika!
Dhe ja hapi i rëndë, prej luani, i rreshtave të Beethovenit: duke këqyrur me vëmendje, ju sikur shikoni në to një qiell të mbuluar me re shtrëngate dhe ndieni padurimin vigan, zemërimin titanik që ka pushtuar zotin e shurdhër. Kurse pranë tij – çfarë kontrasti! – rreshtat elegantë, feminilë, sentimentalë, të Shopenit apo ata me hapje të plotë dhe njëkohësisht me përpikëri alla gjermane të Wagnerit.
Thelbi shpirtëror i secilit prej këtyre artistëve të shfaqet në këta rreshta të ngutshëm më dallueshëm sesa në diskutimet e gjata të muzikologëve dhe misteri, misteri i shenjtë i “unit” krijues të tyre shpaloset më i plotë sesa në shumicën e portreteve të tyre. Sepse dorëshkrimet, ndonëse nuk krahasohen nga bukuria e jashtme dhe tërheqja me tablotë dhe librat, gjithsesi, kanë ndaj tyre një përparësi të pakrahasueshme: ata janë të vërtetë.
Njeriu mund të gënjejë, të shtiret, të dorëzohet; portreti mund ta ndryshojë dhe ta bëjë më të bukur, libri mund të të gënjejë, letra po ashtu. Por në një gjë, gjithsesi, njeriu është i pandarë nga thelbi i tij i vërtetë – te shkrimi. Shkrimi e tradhton njeriun, do apo s’do ai. Shkrimi është i patjetërsueshëm, po ashtu si edhe vetë njeriu dhe, në ndonjë rast, rrëfen edhe më shumë, se për çfarë hesht njeriu.
Përgjithësisht, nuk jam i prirur të mbaj anën e atyre që mbivlerësojnë grafologët, të cilët pas çdo rreshti janë gati të sajojnë horoskopë të së ardhmes apo së shkuarës, – jo gjithçka mund të na japë shkrimi; por më thelbësorja te njeriu, si të thuash, kuintesenca e personalitetit të tij, gjithsesi jepet në të si në miniaturë. Nëse mësohemi ta çmojmë kështu shkrimin, ta lexojmë në këtë mënyrë, atëherë koleksioni i dorëshkrimeve bëhet për ne një shikim krejt i veçantë fizionimik i botës, një tipologji e shpirtit krijues.
Dorëshkrimet kanë, përveç të tjerash, edhe një rëndësi të jashtëzakonshme morale, sepse ata madhështisht na kujtojnë që veprat, të cilat na magjepsin në formën e tyre të përsosur, janë jo vetëm prej dhuntisë së gjeniut, por edhe fryt i një pune sfilitëse, vetëmohuese. Ato na tregojnë fushën e betejës, ku shpirti njerëzor lufton me materien, luftën e përjetshme të Jakovit me engjëllin; ato na shpien në thellësi të mbretërisë së Krijimit dhe na detyrojnë dyfish ta duam dhe nderojmë njeriun tek artisti, për hir të veprës së tij të shenjtë. Kjo është e gjitha ajo që e drejton bekueshëm shikimin tonë nga e jashtmja tek e brendshmja, nga e përkohshmja tek e përjetshmja, dhe prandaj ne duhet t’u qasemi këtyre fletëve të thjeshta me një bekim edhe më të madh për atë bukurinë e tyre të brendshme, sepse nuk ka dashuri më të pastër sesa dashuria për bukurinë e shpirtit. Gjithçka tjetër kalon, vetëm ajo rron përjetë, siç ka thënë poeti: “А thing of beanty is a joy for ever.” /KultPlus.com