26 Tetor, 2018 - 10:42 am
Shaip Beqiri
Para se ta takoja për të parën herë Fatos Arapin në maj 1978, kur erdhi i ftuar në Mitingun e Poezisë në Gjakovë dhe ndenja pastaj gjatë me të në Prishtinë, ishte takimi im me poezinë e tij tek libri “Kaltërsirat” dhe sidomos magjepsja me një cikël të gjerë poezish te “Nëntori”, ku kishte vënë në qendër motive të Kosovës.
Edhe në takimet e ndenjat e mëvonshme, si tek asnjë koleg e mik tjetër në Shqipëri, dashurinë për Kosovën nuk e hasa tek askush tjetër sa tek shkreptima magjike e syve të Fatosit. Ai atë dashuri e pati shumë të vërtetë e të pashuar dhe sidomos aspak të shtirur!
Një cep të kësaj dashurie e dëshmon edhe kjo fotografi tepër e rrallë, ku poeti mban flamurin kombëtar midis të rinjsh në një demonstratë në mbështetje të Republikës së Kosovës. Ishte hera e dytë që ndodhesha në Shqipëri, në gusht 1992, kurse nga njerëzit e parë që kërkoja të takoja në Tiranë ishte gjithnjë Fatos Arapi.
Ai erdhi shpejt dhe me gëzim, por, sa mori vesh për demonstratën që po bëhej kundër kryeministrit serb Milan Paniç, i cili ndodhej në një vizitë zyrtare në kryeqytetin shqiptar, iku edhe më me vrull dhe u vu në ballin e atij demonstrimi për Republikën e Kosovës. Le të jetë kjo pamje edhe një homazh për poetin e madh dhe mikun tim shumë të dashur, F a t o s i”.