6 Mars, 2019 - 2:50 pm
Haruki Murakami, autori i njohur i romaneve “Pylli norvegjez” apo “Kronika e zogut kurdisës”, ka qenë i ftuar në Paris në një bashkëbisedim me studentë, ku ka folur për politikë dhe letërsi.
70 vjeçari, përpara 650 personave në vigjilje të dhënies se shfaqjes “Kafka në breg”, bazuar në librin e tij, u shpreh për disa nga temat që lidhin shkrimtarin me politikën. “Populizmi i është kundërvënë globalizmit, ndërsa po shtohen forcat e ekstremit të djathtë. Edhe Japonia po përballet me problemin e fuqisë nukleare. Unë kam mendimet e mia lidhur me këto çështje, por nuk di se si t’i shpreh në romanet që shkruaj. Kjo më është kthyer në një sfidë të vërtetë”, ka thënë Murakami.
Duke iu referuar Luftës së Dytë Botërore, shkrimtari japonez ka thënë: “Përpiqem të shkruaj për luftën sa më shumë që të mundem. Edhe Japonia ka pasur një problem me revizionizmin historik. Përpjekja për të mësuar vetëm “historinë e përshtatshme” është një problem në shumë vende, por ne duhet ta luftojmë.”
Nuk ka mundur t’i shpëtojë as pyetjeve për internetin dhe rrjetet sociale. “Në kohën time, jemi përpjekur të tregonim vetëm histori të vërteta. Por liberalizimi i lajmeve dhe historive të rreme u shtua për shkak të internetit. Kjo është shumë, shumë e rrezikshme”, ka thënë Murakami. “Kur je i ri, priresh të mendosh se bota do të bëhet më e mirë. Por sot ne po jetojmë pa këtë ideal. Ditët e sotme, të rinjtë mendojnë se bota do të jetë një vend më i keq në të ardhmen. Prandaj, në një farë forme, detyrohem të kaloj tek idealizmi im, të cilin e kam të rrënjosur në mendje që kur isha dhjetë vjeç.”
Duke folur edhe për forcën e romaneve të tij, Murakami tha: “Ne nuk e dimë se çfarë do t’i ndodhë botës në të ardhmen. Por unë besoj në ato kohë, dhjetëra mijëra vjet më parë, kur njerëzit jetonin në shpella dhe natën tregonin histori për të luftuar ankthin dhe frikën. Origjina jonë do të mbetet e njëjta, edhe pse bota ecën përpara. Prandaj besoj se forca e rrëfimit”./Opinion.al